Shpërthejnë ujërat e zeza,epidemia prek banorët
BURREL/ HASAN PASHA
Gjithë ujërat e zeza të qytetit të Burrelit, me afro 20 mijë banorë, kanë shpërthyer vetëm 100 metra poshtë qytetit, në lagjen “Dungaj”. Të shqetësuar, banorët kanë trokitur në bashkinë e qytetit, por nuk kanë marrë asnjë garanci për zgjidhjen e këtij shqetësimi. Ata kërcënojnë me braktisje të votimeve, si mënyrën ekstreme për problemin e tyre.
"Gjithë ujërat e zeza derdhen në oborrin e shtëpive tona, - shprehen banorët e kësaj lagjeje. - Në stinën e dimrit, kur prurjet janë më të shumta, e gjithë zona pushtohet nga ujërat e zeza, madje dhe oborret e shtëpive tona. Situata bëhet akoma më e vështirë në stinën e verës. Njerëzit, sidomos fëmijët, nuk guxojnë të lëvizin as në mjediset pranë shtëpive të banimit. Shumë herë i kemi dërguar fëmijët në spital dhe mjekët na kanë thënë se alergjia dhe sëmundjet e lëkurës apo rrugëve të frymëmarrjes janë pasojë e derdhjes së ujërave të zeza në këtë lagje". Kaosi vjen dhe për një arsye tjetër. Territori ku kanë shpërthyer ujërat e zeza është në administrim të komunës Komësi, ndërkohë banorët janë të regjistruar në gjendjen civile të Bashkisë së Burrelit. "Paguajmë të gjitha detyrimet, taksat vendore dhe gjithçka tjetër si banorët e qytetit, ndërkohë nuk na afrohet asnjë shërbim", pohojnë banorët e lagjes "Dungaj". Ditë më parë kanë trokitur në bashkinë e qytetit, por asnjë premtim nuk kanë marrë aty. Banorët thonë se shtëpitë e kësaj lagjeje janë ndërtuar para se sa të ndërtohej qyteti, pa llogaritur se çfarë do të ndodhte më vonë. Rrjedhja e vazhdueshme e ujit në sipërfaqe ka dëmtuar dhe rrugën nacionale, në vendin e quajtur "Kthesa e Sanës". Duke parë se strukturat shtetërore nuk po interesohen për zgjidhjen e këtij shqetësimi jetik, banorët deklarojnë se kanë vendosur të mos marrin pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit. "Para katër vitesh na garantuan se ujërat nuk do të derdheshin në mes të lagjes, ndërsa tani na sorollatin dhe na mashtrojnë. Ne nuk kemi gjë tjetër në dorë veç votës sonë. Pasi kemi diskutuar me njëri-tjetrin kemi vendosur të bojkotojmë zgjedhjet politike të qershorit. Askush të mos guxojë të vijë në lagjen tonë për vota. Jemi afro 100 votues që nuk do të votojmë për askënd, derisa ujërat e zeza të izolohen e shëndeti i njerëzve të garantohet", thanë dje për "Panorama" banorët e qytetit të Burrelit.