Ish-zyrtari i tatimeve nën akuzë për pasurinë
TIRANE - Prokuroria e Tiranës mori të pandehur ish-zyrtarin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Adem Rrenga, për akuzën "deklarim i rremë i pasurisë nga persona të zgjedhur ose nëpunësit publikë". Lajmi konfirmohet nga burimet e Prokurorisë, sipas të cilave dosja penale me nr.1017, ndaj ish-zyrtarit të sektorit të Tatimpaguesve VIP, është dorëzuar në gjykatën e Tiranës për shqyrtimin e provave të grumbulluara gjatë hetimeve paraprake. Sipas Prokurorisë, mësohet se në deklaratat e pasurisë të bëra nga Adem Rrenga, janë gjetur mospërputhje në raport me pronat që ai zotëronte në të vërtetë në momentin e plotësimit të formularëve. Shuma financiare, e cila nuk është gjetur e deklaruar në formularë por që vërtetohet se ishte në zotërim të Adem Rrengës, është 2.1 milionë lekë të reja. Prokuroria mësohet se ka kryer verifikimet e saj me anë të bankave, Hipotekës dhe institucioneve të tjera përfshi edhe Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurisë. Pas akuzave publike të bëra ndaj tij në media, Adem Rrenga ka hedhur poshtë çdo shkelje ligjore nga ana e tij duke pohuar se nuk kishte probleme me deklaratat e pasurisë.