Kina ndërpret shkëmbimin ushtarak me SHBA-në
Uashingtoni kërcënohet pas vendimit për t’i shitur armë Tajvanit
Kina ka ndërprerë shkëmbimin ushtarak me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka deklaruar si kurrë më parë për ndërmarrjen e sanksioneve ndaj kompanive të mbrojtjes së SHBA-së duke paralajmëruar gjithashtu, po dje se bashkëpunimi mes të dyja vendeve do të jetë shumë problematik. Ky reagim i ashpër i Pekinit vjen pas lajmit të Uashingtonit se ai është i gatshëm që t’i shesë Tajvanit 6.4 miliardë armatime. Kundërpërgjigjja ndaj kësaj deklarate, e cila nuk mund të thuhet se ishte e papritur, ishte gjithsesi shumë e shpejtë dhe tregues i faktit se Kina planifikon që të shndërrohet në një kundërshtar të patrembur të cilitdo vend, përfshi Shtetet e Bashkuara kur bëhet fjalë për prekjen e interesave të saj kombëtare. Mandej në këtë rast bëhet fjalë për një çështje shumë të rëndësishme të marrëdhënieve mes Amerikës dhe Kinës. Ky është reagimi më i fortë dhe më i ashpër i bërë nga Kina që prej shumë vitesh. Kina, ndërkohë, po pret llojin e përgjigjes që do të marrë nga Uashingtoni për të vazhduar më tej. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes kineze, shitja e një sasie kaq të madhe armatimesh Tajvanit vetëqeverisës shkakton një dëm të madh në marrëdhëniet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara dhe ndërkohë janë shtyrë të gjitha kontaktet dypalëshe për çështjen e armatimit dhe shkëmbimeve ushtarake. Kjo krizë vjen ndërsa Uashingtoni i ka kërkuar Pekinit ndihmë në çështje të tilla si kriza financiare dhe përplasja bërthamore me Korenë e Veriut dhe sigurisht edhe ndërsa Presidenti amerikan planifikon që të takohet me liderin shpirtëror të Tibetit, Dalai Lama këtë vit. Zëvendësministri i Jashtëm i Kinës tha se shitja e helikopterëve të tillë mund të shkaktojë pasoja që asnjëra palë nuk do t’i dëshironte. Ministria e Jashtme ka deklaruar se ajo do të vendosë sanksione ndaj kompanive amerikane në shitjen e armëve. Shtetet e Bashkuara janë aleati më i rëndësishëm i Tajvanit dhe njëherazi furnizuesi i tij më i madh me armë. Kina, në fakt, reagon gjithmonë shumë ashpër ndaj çdolloj tentative, apo shitje armësh ndaj Tajvanit, jo vetëm nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të njëjtën përgjigje të ashpër ajo ia dha edhe administratës “Bush” në vitin 2008, pasi administrata njoftoi një shitje armësh disamiliardë dollarësh ndaj Tajvanit. Por këtë herë, reagimi ka qenë më i ashpër dhe mbi të gjitha e rëndë është ndërprerja a marrëdhënieve ushtarake çka vjen pikërisht në momentin kur të dy vendet po tentonin që të përmirësonin marrëdhëniet ushtarake. Shtetet e Bashkuara kanë tentuar që të ndërmarrin disa delegacione për të krijuar besimin e Pekinit. Në të shkuarën, ndërprerje të tilla kanë zgjatur nga 3 deri në 6 muaj dhe sipas analistëve një shkëputje e tillë pritet edhe këtë herë. Nuk dihet nëse kjo situatë do të ndikojë në vizitën që pritet të bëjë këtë vit Presidenti i Kinës në Shtetet e Bashkuara. Ajo çka vihet re këtë herë në kundërpërgjigjen e Pekinit është shpejtësia e kësaj përgjigjeje dhe ashpërsia e saj. Duket se Kina ndihet e fortë përballë Shteteve të Bashkuara jo vetëm në planin ekonomik, por edhe atë ushtarak dhe është e ashpër e intolerante ndaj çdo veprimi që ajo e konsideron si të rrezikshëm për sigurinë kombëtare.
#