Divorci, avokati i Inva Mulës shtyn gjyqin me Pirro Çakon
TIRANE - Sopranoja Inva Mula dhe kantautori Pirro çako, të cilët janë përfshirë në procedurat e divorcit mes tyre, duket se do ta mbyllin vitin 2009 në statusin e "bashkëshortëve". Seanca e dje-shme në ngarkim të tyre në gjykatën e Tiranës, nuk u zhvillua duke shtyrë kështu në kohë vendimin përfundimtar të Gjykatës. Burime pranë gjykatës së kryeqytetit, sqaruan dje se shkak i shtyrjes së seancë së divorcit mes çiftit të famshëm ishte angazhimi i mbrojtësit ligjor të sopranos Mula në një gjykim tjetër. Bëhet e ditur se avokati kishte paraqitur një kërkesë për shtyrje, kërkesë që u pranua nga gjykata pasi u konsiderua si ligjore. Mos zhvillimi i seancës së djeshme shtyn në kohë verdiktin përfundimtar të Gjykatës dhe për shkak të mbylljes për pak ditë të vitit kalendarik të punës në gjykatë pritet që vendimi të shpallet në vitin e ardhëm. Sopranoja Inva Mula dhe kantautori Pirro çako u përballën për të parën herë në gjykatë për zgjidhje të martesës së tyre në 22 prill të këtij viti. "Nismëtare" e divorcit ishte Sopranoja, e cila në ditët e para të prillit depozitoi në gjykatë një padi ku kërkon divorc nga kantautori çako. Pika më e vështirë në divorcin e tyre është caktimi i kujdestarisë së djalit të tyre të mitur. Ndonëse dy seanca më parë ata pranuan se do ta zgjidhnin vetë këtë punë, në seancën e fundit në 5 tetor caktoi një psikolog që të merrte mendimin e vetë fëmijës për çështjen e kujdestarisë. a.b