E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta pro Karaxhiçit, mijëra policë në gatishmëri

Mijëra policë serbë janë mbledhur në rrugët e Beogradit për t’u përballur me protestën masive të ultranacionalistëve kundër arrestimit të Radovan Karaxhiç. 

Ultranacionalistët zbarkuan në Beograd me autobusë të shumtë nga të gjitha qytetet serbe, në mbështetje të lirisë së Radovan Karaxhiç, në protestën që nisi në orën 19:00. Që në minutat e para në sheshin e Beogradit ishin mbledhur rreth 10 000 nacionalistë në mbrojtje të Karaxhiçit që protestonin kundër politikës së Boris Tadiç. Sipas zyrtarëve amerikanë në Beograd numri i tyre do të kapë shifrën 100 000. protestuesin thërrisnin “Liri për Serbinë, liri për Radovanin”. Protesta u mbështet nga ish-kryeministri nacionalist serb, Vojisllav Koshtunica. Protesta e fundit e nacionalistëve në Beograd u bë në shkurt kundër pavarësisë së Kosovës dhe arriti në 150 000 pjesëmarrës. Liderët radikalë serbë e dedikuan këtë protestë kundër presidentit Boris Tadiç, politika e të cilit mundësoi edhe arrestimin e Karaxhiç. Radikalët e quajtën presidentin tradhtar dhe ekstremistët e tyre dërguan kërcënime me vdekje në e-mailin e tij dhe me telefonata. Presidenti Tadiç u ka bërë thirrje pjesëmarrësve të jenë paqësorë.
në Hagë
Ish-lideri serb i Bosnjës, Radovan Karaxhiç do të transferohet në Hagë në fund të kësaj jave, tha një zyrtar i lartë serb për bashkëpunimin me Gjykatën. Dusan Ignjatoviç komentoi se avokati i Karaxhiç, me sa duket ka dështuar për të apeluar ekstradimin e tij në Hagë, citon agjencia shtetërore serbe “Tanjug”. “Unë nuk mendoj se apeli ekziston. Nëse do të ekzistonte do të kishte mbërritur në Gjykatë tani”, tha Ignjatoviç, i cili drejton zyrën e qeverisë serbe për bashkëpunimin me Hagën. Avokati ka refuzuar të japë detaje mbi kërkesën e apelit për ekstradimin dhe Gjykata serbe ka deklaruar se do ta presë këtë kërkesë, deri në një periudhë të arsyeshme përpara se të vendosë ekstradimin.
Kërkesa nga Bosnja
Avokati mbrojtës i Karaxhiçit lidhur me ankesën kundër dërgimit në Hagë tha se “Nuk shkruhet në ligj se nga ku duhet ta dërgoj kërkesën për apelim të vendimit. Interpretimi i këtij ligji është i hapur, e për pasojë unë mund ta dërgojë kërkesën edhe nga Sidnei. Por unë e kam konfirmimin e dërgesës nga Bosnje-Hercegovina”, tha Vujaçiç, i cili në një “luftë macja me miun” në prokurori tha se, kërkesa mund të arrinte edhe pas 7 ditësh. Ai ka parashikuar se autoritetet megjithatë do ta ekstradojnë në Hagë para protestës së djeshme, një transferim i parashikuar tërësisht i mbrojtur dhe sekret nga autoritetet që do ta njoftojnë vetëm pasi Karaxhiç të ketë hipur në avion për në Hagë. Avokatët e tij kanë njoftuar se Karaxhiç është përgatitur për muaj të tërë për mbrojtjen e tij, duke mbledhur dokumente që gjendeshin në lap-topin e tij të konfiskuar nga policia, megjithatë në ato dokumente, ai ka përgatitur mbrojtje për në Gjykatën serbe dhe ajo atë të Hagës.

BE shtyn vendimin

Ministrat e Bashkimit Evropian të mbledhur në Bruksel kanë diskutuar dje mbi Serbinë dhe shanset e saj, për t’iu afruar më shumë bllokut pas arrestimit të Radovan Karaxhiç. Por BE ka vendosur ta shtyjë vendimin për lidhje më të ngushta me Serbinë, derisa të marrë një raport nga OKB për bashkëpunim të Serbisë me gjykatën e Hagës që pritet në shtator. Ambasadorët e BE-së thanë se do të prisnin që ish-udhëheqësi serb i Bosnjës, tashmë i arrestuar, të transferohet në Hagë. Lidershipi pro-evropian i Serbisë shpreson se, kjo do të forcojë shanset e vendit për anëtarësim në BE, për nënshkrimin e MSA-së pas dorëzimit në Hagë të Karaxhiç. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç është në favor të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por disa anëtarë të BE-së, ku përfshihet Holanda kanë nguruar t’i japin mbështetje idesë, duke pretenduar se Serbia ende nuk është marrë me trashëgiminë e luftës në Ballkan  dhe nuk i ka dorëzuar të gjithë të shumëkërkuarit. Serbia nuk mori pjesë në takimin e Brukselit, në të cilin u përfshinë vetëm ambasadorët e vendeve anëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›