E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, Gjenerali i ushtrisë së uritur për pushtet

Ka ca gjëra që nuk kuptohen. Për shembull udhëtimi njëditor i Edi Ramës në Paris, kur të gjitha medieve Partia Socialiste u kishte thënë se ka shkuar në Bruksel. Kurse shumë shqiptarë të ndryshëm na kanë njoftuar se ai është parë në bulevardin “Champ’s Elize” me mikun e tij intim, Anri Sala.
Në fakt, dje në Bruksel ishin mbledhur e tërë Europa, sepse po diskuton për krizën greke, që rrezikon të prekë kontinentin. Liderët europianë kanë hallet e tyre dhe nuk kanë kohë të humbin me një të humbur në shtëpi.
Në Tiranë, 200 petritë socialistë grevosen në tenda, kurse shefi i tyre bredh rrugëve të Parisit, pa asnjë motiv zyrtar a logjik. Ai erdhi nga Parisi më i lodhur se kurrë, më i tensionuar se kurrë, më i depersonalizuar se asnjëherë tjetër; kurse sot do të protestojë prapë për kauzën patologjike “kutiste”, që po e profilizon opozitën në një kompleks të pandershëm mediokriteti. Argumentet e sajuara kinse për transparencë vijnë prej humbjes se zgjedhjeve të 2009 dhe kërkesës së fitores në tavolinë të pushtetit.
Pretendimet hipotetike të “krimit elektoral” dhe se PD u ka marrë pushtetin dhe u nevojitet transparencë janë veçse fiktivitete që sugjestionojnë ndonjë militant grevist. Argument tjetër që është tepër aktual, është fakti se këto protesta koti, këto greva të nisura pa paralajmërim e domosdo, pa arsye, jo vetëm që janë ridikule, e po bëhen gazi i botës, por po duket si instrumente për të destabilizuar situatën politike në vend, në prag të vendimeve të mëdha për Shqipërinë, siç është liberalizimi i vizave me BE.
Natyrisht është e qartë në dritën e diellit se Edi Rama sot e gjithë ditën nuk ka problemin e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit, porse ka frikë nga zgjedhjet lokale që po vijnë, pra ka frikë për oreksin e karriges së vet. Sigurisht argumentimi dhe betonimi i kauzës “kutiste”, që në fillim e artikuloi rastësisht dhe kuisi me një inkoherencë të habitshme, në pak kohë e shndërroi në kalin e reformuar të Trojës, në betejën për t’u pozicionuar si panegociueshëm, për rrjedhojë logjike konfliktuale, me koalicionin e ri në pushtet. Kutitë janë vetëm një pretekst për ta mbajtur në nivel të panegociueshëm krizën politike në Shqipëri.
Gjithsesi Edi Rama vuri kushte që edhe ai e dinte që nuk mund të pranoheshin dhe në të vërtetë këtë kërkonte; mosmarrjen vesh me maxhorancën, që këtë ta përdorte si alibi për të qëndruar në fronin e PS. Ndërkohë që radikalizimi i situatës me politikën e rrugës greviste, bojkotin part-time të institucionit bazë të demokracisë përfaqësuese, parlamentit, përmendjen e dhunës dhe forcës për të sugjestionuar kamikazë që mendojnë se politika e tyre ka nevojë për martirë.
Sidoqoftë kanë kaluar 8 muaj nga zgjedhjet parlamentare dhe mund të thuhet se Edi Rama, pavarësisht çmimit të lartë për vendin dhe demokracinë e brendshme, e fitoi betejën-farsë brenda partisë SOS-ialiste, duke arritur të narkotizojë çdo mendim ndryshe. Shpëtimi i tij ishte përshkallëzimin me bojkot i Kuvendit. Aq i vendosur qe Edvini në atë llogore, saqë shkoi deri në dead-line për të djeguar mandatet e deputetëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›