Protestat e PS, finaljae Kupës është në rrezik
TIRANE- Protestat përpara Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe nëpër rrethe të tjera të vendit, kanë vënë në një rrezik serioz edhe zhvillimin e finales së Kupës së Shqipërisë mes Tiranës dhe Dinamos, më 22 maj. Kjo ndeshje është parashikuar në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa", vetëm 5 metra larg selisë së KQZ-së, ç'ka do të krijonte një pështjellim edhe në radhët e protestuesve të Partisë Socialiste që ndodhen gjithë kohës aty pranë. Për këtë arsye, por edhe për faktin se forcat më të shumta të policisë janë ta angazhuara me detyrën e ruajtjes së qetësisë para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, finalja e Kupës është seriozisht në rrezik. "Do të flas nesër (sot) me drejtuesit e policisë, - tha për Gazetën shefi i Sektorit të Garave në FSHF, Ilir Shulku. - Duam një konfirmim, ndonëse policia deri tani nuk na ka sjellë ndonjë shkresë, ku të thotë se nuk e merr përsipër", shtoi ai. Megjithatë, nëse situata nuk ndryshon, duket e pamundur që finalja të luhet në "Qemal Stafa", ndërsa mund të kemi një zhvendosje të saj në "Selman Stërmasi", që gjithsesi është më larg Pallatit të Kongreseve, ku është vendosur KQZ-ja. Në finalen e Kupës, më 22 maj, përballen Tirana e Dinamo.
(s.g/GSH/BalkanWeb)
(s.g/GSH/BalkanWeb)