“Protestat, një sjellje politike e Edi Ramës, që tregon se ai nuk ka asnjë ide”

Elmaz Sherifi, anëtari i Asamblesë Kombëtare të PS-së
Lidershipi i i Partisae Socialiste Edi Rama është në varfëri e krizë politike e për pasojë protestat e shtatorit janë një komedi e radhës e kryesocialistit. Ky është qëndrimi i anëtarit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste Elmaz Sherifi i cili thotë se aksioni politik i vjeshtës i artikuluar nga Rama sërish do të dështoj si kundër ai që u mbajt nën moton “Hap kutitë ose largohu”.
“Kjo sjellje politike buron nga fakti që lidershipi i partisë socialiste është në varfëri idesh politike, të zgjidhjes politike dhe kjo buron nga fakti se nuk u realizua ajo që pritej, që Partia Socialiste do të vinte në pushtet. ‘Politika e re e Edi Ramës’ ‘hap kutitë ose largohu’ është politika e dështimit. Në fakt as kutitë nuk u hapën as Berisha nuk u largua. Ai është, ndërsa do të ishte më efikase në qoftë se do të kishte një politikë gjithëpërfshirëse ndaj atyre personaliteteve që kanë krijuar vlera që kanë dhënë kontribute në Partinë Socialiste. Fakti që ka filluar përsëri ky artikulim i protestave të reja, më le të kuptoj se vetë Edi Rama ende nuk ka vendosur nëse do të jetë vetëm kandidat për kryetar bashkie apo i do të gjitha funksionet. Ai përfundimisht duhet të vendos, pra të zgjedh përfundimisht ose të jetë kryetar i partisë socialiste ose të jetë një kandidat i mundshëm për kryetar bashkie”, shprehet Sherifi.
Për zotin Sherifi opozita duhet të nxitoj me reformën zgjedhore për aq kohë sa për më se një vit ka kontestuar procesin elektoral të vitit 2009. Kjo vonesë e kryesocialistit për amendime të reja në kod në prag të zgjedhjeve lokale vjen si pasojë e politikës së Edi Ramës për qëllime personale, thekson Sherifi. Futjen e socialistëve në procesin elektoral të 2011 pa bërë më parë ndryshime në ligjin e zgjedhjeve, anëtari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, sheh si një handikap.
“Pretendimi i zgjedhjeve nuk ka një kuptim të mirëfilltë edhe politik pa ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor për pretendimet që kanë pasur forca të ndryshme politike. Pra të futesh në një fushat të re zgjedhore pa bërë ndryshimet politike është një handikap. Duhen krijuar situata për të investiguar mangësitë e lidershipit në partinë socialiste”, vijon më tej Sherifi.
Deklarata e anëtarit të Asamblesë Kombëtare të selisë rozë vjen pas qëndrimit kundër lidershipit Rama që edhe shumë zëra te tjerë brenda Partisë Socialiste, që kanë mbajtur vitet e fundit duke iu shtuar listës së socialistëve në qendër dhe në bazë që kundërshtojnë aksionin politik të vjeshtës për ta rikthyer sërish në protesta opozitën.