E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtraus, Çarçanit: Fillimisht vendosim marrëdhëniet, pastaj borxhin e luftës

 

TIRANE

“Na ktheni borxhin e luftës, pastaj vendosim marrëdhëniet diplomatike” Përballë qëndrimit stoik të autoriteteve të Tiranës, kryeministri i Bavarisë, ofroi disa alternativa për të përqasur pozicionet dypalëshe. Gjatë bisedimeve me kryeministrin Adil Çarçani në maj të ‘86, Franc Jozef Shtraus hodhi idenë e kompensimit të reparacioneve të luftës me kredi të favorshme që Shqipëria do të përfitonte nga Gjermania në formën e fondeve dhe objekteve për zhvillimin ekonomik, shkencor e teknik. Dialogu Çarçani-Shtraus, pavarësisht se nuk shënoi ndonjë arritje konkrete, për zyrtarët e Tiranës shërbeu si një moment reflektimi pas të cilit nis konturimi i platformës së  bashkëpunimit pa kushte me Republikën Federale të Gjermanisë. Gjithsesi, kryeministri i Bavarisë mbetet nismëtari i zhvillimeve pozitive në marrëdhëniet dypalëshe të ngrira që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore...
ADIL ÇARÇANI: Madje para takimit të fundit që bëri Profesor Sofokli Lazri, ishte thënë që Shqipëria do të ketë një përfitim të konsiderueshëm, do të marrë një shumë të konsiderueshme,   kështu që nuk mbetej veçse të takoheshin të dy ministrat e jashtëm për të firmosur këtë çështje, kurse në momentin e fundit ne vumë re një tërheqje nga ana e palës gjermane, arsyen e së cilës nuk e kuptuam...
SOFOKLI LAZRI: Ne biseduam me delegacionin gjerman.
FRANC JOZEF SHTRAUS: Kush ishte partneri juaj?
SOFOKLI LAZRI: Braunmyler, drejtori politik. Për çështjen e reparacioneve të dy palët shprehën pikëpamjet e tyre, domethënë RFGJ deklaron se nuk i njeh reparacionet, pagimin e tyre, por edhe ne, si të drejtë, nuk e renoncojmë, pra të dy palët morën dijeni për pikëpamjet e njëri-tjetrit.
FRANC JOZEF SHTRAUS: Edhe të dy palët sikur të mos thonin gjë, do të ishte e njëjta gjë.
ADIL ÇARÇANI: Të paktën kjo është deklarative.
SOFOKLI LAZRI: Domethënë ne ngritëm çështjen e reparacioneve, pala gjermane tha pikëpamjet e saj dhe këtu e lamë. Pika e dytë ishte te vendosja e marrëdhënieve diplomatike pa asnjë kusht.
Një pikë tjetër ishte që RFGJ, në rrugën e bashkëpunimit ekonomik e tekniko-shkencor, t’ i japë Shqipërisë një kontribut. 
FRANC JOZEF SHTRAUS: Dhe ky është propozimi im.
SOFOKLI LAZRI: Kur i pyetëm se sa do të jetë ky kontribut, ata na thanë se do të jetë 4-5 milionë marka gjermane, mirëpo 4-5 milionë marka gjermane është diçka shumë e vogël.
ADIL ÇARÇANI: Edhe shpenzimet vajtje-ardhje që janë bërë deri tani për bisedimet që kemi bërë, besoj se janë më shumë, pra diçka e papërfillshme. Duhet të na kuptoni nuk kemi kërkuar e nuk kërkojmë lëmoshë, por të drejtën tonë legjitime
SOFOKLI LAZRI: Domethënë, ne jemi për atë që ç’mund të kontribuojë Gjermania jo për një periudhë 1 vit, por për 10 vjet. Ne do të preferonim në formë objektesh, pajisjesh të veçanta, por me 4-5 milionë marka gjermane mund të marrim vetëm një automobil.
FRANC JOZEF SHTRAUS: E di edhe këtë punën e 4-5 milionëve, por kjo 4-5 milionë do të ishte një gjest, por nuk është bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve. Besoj, kam frikë se nuk do t’ia arrijmë qëllimit, në qoftë se do të mendoni që RFGJ do të japë objekte si një detyrim moral për ato që thamë. Të nisemi nga ana praktike e çështjes: RFGJ paguan në një vit pothuajse 7 miliardë marka në një radhë shtetesh të ndryshme, shumica e të cilave as që kanë qenë në luftë fare me ne; si në Bolivi, Brazil, Indi etj. Ministri i kësaj Ministrie është i Partisë sime dhe ai është shumë operativ në punë, kështu që nuk duhet t’ ju pengojë as juve dhe as neve që të lidhet një marrëveshje për bashkëpunimin tekniko-shkencor, në bazë të së cilës ju me siguri do të merrni një ndihmë shumë më të madhe materiale sesa kjo shumë qesharake prej 4-5 milionë markash. Tanzanisë i kemi dhënë, nuk e di mirë, por gjatë disa vjetëve i kemi dhënë deri në 300 milionë marka, Angolës e Mozambikut gjithashtu. Edhe në Azi, p.sh., Indisë i kemi dhënë shuma të konsiderueshme.
SOFOKLI LAZRI: Në rrugën e bashkëpunimit ekonomik e tekniko-shkencor e pranojmë.
FRANC JOZEF SHTRAUS: Se si do ta rregulloni ju këtë, brenda - përbrenda shtetit tuaj, me Kushtetutën tuaj, ne nuk mund t’ju ndihmojmë dot, por, p.sh., në rastin e Tanzanisë, shumica e këtyre parave që ne u kemi dhënë atyre, është “fond perdu”. Nuk është dhënë në formën e objekteve dhe nga këto para që u kemi dhënë, ekonomia gjermane nuk ka pasur ndonjë përfitim.
Unë e kuptoj, tani e di që ju doni objekte dhe pajisje për zhvillimin e industrisë suaj. Ka aq shumë paragrafë kur bëhen këto diskutime, sa që është e tmerrshme, por siç duket, paragrafi kryesor është që me paret që duhet të japë RFGJ, të blihen objekte ose pajisje. Në këtë kuptim, me sa shoh unë, ju pastaj ta bëni dhe të paraqitni dëshirën dhe nevojat tuaja.
ADIL ÇARÇANI: Ç’ formë përdorni me Tanzaninë, apo Brazilin?
FRANC JOZEF SHTRAUS: Brazilit i dhamë kredi, janë kredi shtetërore, që nuk besoj që t’i shikojë prapë Brazili ato që ka marrë. Në Tanzani ishte diçka që u bë nga qeveria jonë, por mund të them se u bë gabim që ju dhamë ato para, por s’ke ç’i bën, kjo ndodhi. Unë e mendoj kështu, megjithëse nuk jam ekspert, por do të përpiqem që të flas për një rrugë. Ta zëmë, të bëjmë një marrëveshje 10-vjeçare, e ndarë nga marrëveshja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, që mund të bëhet pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ose mund të bëhet menjëherë, por të na kuptoni që nuk duam të gënjejmë.
ADIL ÇARÇANI: Ne nisemi gjithnjë nga ajo që të gjejmë rrugët dhe kemi besim që mund të gjenden rrugët pa dëmtuar pozitën juridike as tuajën e as tonën.
FRANC JOZEF SHTRAUS: Ju falenderoj shumë. Ja si e mendoj unë: Them për një marrëveshje 10-vjeçare, për një bashkëpunim tekniko-shkencor. Gjatë periudhës 10-vjeçare ju do të merrni një shumë të caktuar vjetore, p.sh., në vitin e parë 30 milionë. Para pak kohësh isha në Siri dhe bisedova me Asadin, pothuajse për të njëjtën temë. Ne kemi dy vjet që i japim Sirisë, pra i kemi dhënë brenda dy vjetëve 220 milionë marka, mirëpo sirianët nuk janë në gjendje që t’i shfrytëzojnë këto para, sepse nuk janë në gjendje që të krijojnë projektet e tyre për të ndërtuar fabrika.
ADIL ÇARÇANI: Këtë dyshim, për rastin e Shqipërisë, të mos e keni hiç fare.
FRANC JOZEF SHTRAUS: Sigurisht rendimentin tuaj në asnjë mënyrë nuk mund ta krahasoj me sirianët. Në këtë marrëveshje 10-vjeçare,   mund të shkëmbejmë edhe projekte me njëri-tjetrin, të përcaktohen fushat e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Ndoshta gjatë viteve mundet t’u afrohemi mendimeve e kërkesave tuaja, por vendosja e marrëdhënieve diplomatike janë shinat e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Këtë e harrojmë për një çast. “Shina” tjetër është Ministria Federale për Bashkëpunimin Ekonomik. Në qoftë se treni do të niset në shinat e para, unë do të veproj që ai të filloje të niset, ndoshta, në të njëjtën kohë, edhe në shinat e dyta. Kjo që do të them tani është diçka që nuk është kaq miqësore ndaj Qeverisë sime. Nëpunësit e Ministrisë së Jashtme dhe kryesori politik atje na sjellin shumë pengesa, të cilat ne më vështirësi i kalojmë. Unë do të bëj një propozim konkret: Do të thërras në Mynih Ministrin e Ministrisë për Bashkëpunimin  që është miku im do të ftoj gjithashtu në Mynih edhe Profesor Lazrin dhe së bashku të bisedojnë konkretisht në zyrën time lidhur me këtë marrëveshje, me kufijtë e asaj, pa hyrë në problemet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet diplomatike.
Zoti Kryeministër, dëshiroj të them edhe diçka, përsa i përket legjitimacionit tim, nuk dua të flas shumë. Unë, sigurisht, jam Kryeministri i Bavarisë, jam Kryetari” i Partisë se Bashkimit Socialkristian, që është një Parti Qeveritare që ka në Bon influencën e saj por dua të shtoj edhe diçka se ne në Bavari e ndiejmë veten si “urë të lidhjes” ndërmjet Evropës Perëndimore dhe Ballkanit. Me Rumaninë, Bullgarinë, Hungarinë e Jugosllavinë unë kam biseduar dhe të gjithë kanë qenë të kënaqur e më kanë falenderuar përsa i përket zgjerimit të marrëdhënieve ekonomike. Kjo duhet të jetë e mundur edhe me Shqipërinë.
ADIL ÇARÇANI: Ju faleminderit për bisedën, do të ketë mundësi pas një ore të shikohemi prapë, ju ftoj për darkë, por ju them paraaprakisht se pajtohem me propozimin e fundit konkret që bëtë dhe do t’i jap porosi Ministrit të Punëve të Jashtme ta konkretizojë sa më parë këtë dhe t’i shtyjmë edhe më tutje bisedimet, që të arrijmë të konkretizojmë qëllimin tonë të përbashkët, vendosjen sa më shpejt të marrëdhënieve diplomatike.
FRANC JOZEF SHTRAUS: Edhe unë gëzohem shumë.
ADIL ÇARÇANI: Dëshiroj të shfaq edhe njëherë konsideratën tonë të madhe për kontributin tuaj të sinqertë dhe për atë që me insistim punoni në drejtim të Shqipërisë për Zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në të gjitha ato drejtime që patëm mundësi të bisedonim miqësisht edhe në këtë takim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›