E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestë në fushë për rroga

Futbollistët e ekipit spanjoll Pontevedra e kanë zgjedhur një mënyrë të veçantë për të protestuar ndaj klubit për vonesën e rrogave. Bashkërisht, lojtarët për një moment janë ulur në gjunjë për ta shprehur pakënaqësinë ndaj udhëheqësve të klubit, që ua kanë borxh 5 rroga. Ndërkohë, lojtarët kundërshtarë janë treguar ‘fair-play’, duke e qarkulluar topin në fushën e tyre. Nga Express më 09 janar 2011 në ora 12:55

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në një ndeshje futbolli të ligës së tretë spanjolle. Në fakt, futbollistët e ekipit Pontevedra për një çast janë ulur të gjithë në gjunjë, si shenjë proteste për ta shprehur pakënaqësinë e tyre zyrtare ndaj udhëheqësve të klubit, të cilët nuk ua kanë paguar rrogat në pesë muajt e fundit, shkruan ueb faqja spanjolle futbolgalego.es.

Mirëpo, këtë mundësi të dhënë nuk e kanë shfrytëzuar fare futbollistët kundërshtarë të ekipit Lugo, të cilët u treguan mjaft ‘fair-play’. Ata gjatë tërë kohës kanë qëndruar në pjesën e tyre të fushës, duke e qarkulluar topin si në stërvitje.

Në fanellat e brendshme të futbollistëve të Pontevedras vërehej mbishkrimi: kjo është zgjidhja e duhur për momentin. Ky veprim i futbollistëve i ka lënë gojëhapur udhëheqësit e klubit dhe publikun, i cili megjithatë i mbështet lojtarët.

Ky klub nuk është i vetmi që përballet me problemin e pagave në Spanjë, ku fatkeqësisht borxhet e klubeve ndaj futbollistëve janë të shumta, sidomos në ligat më të ulëta.

Më parë, në mënyrë afërsisht të njëjtë kishin vepruar edhe futbollistët e ekipit italian Catanzaro, të cilëve nuk u ishin kryer të gjitha obligimet nga udhëheqësit e klubit. Sa për informatë, ekipi Lugo e fitoi ndeshjen ndaj Pontevedras me rezultat 3:2.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›