Plot oferta për Bashën
Migjen Basha është bërë objektiv i disa skuadrave për afatin kalimtar të janarit. Ekipi i fundit i interesuar për të është Cagliari, i cili e sheh mesfushorin shqiptar si pasardhës ideal të Lazzarrit. Ky i fundit mund t’i bashkohet Milanit.
Por, për t’i sqaruar gjërat e asistuesit të tij është përkujdesur menaxheri i Bashës, Sergio Gabarello. “Ditë më parë kam biseduar me drejtorin e Atalantas, Zamagna. Ai më ka thënë se vështirë se do të lëvizë Basha. Sipas tij, edhe pse futbollisti po luan pak, ekipi bergamask nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga lojtari”, tregon Gabarello për ueb faqen italiane tuttomercatoweb.com.
Menaxheri italian ka folur më hollësisht për ekipet e interesuara për 23 vjeçarin nga Kosova. “Kishte interesim nga ana e Chievos e Torinos, por Atalanta beson në lojtarin dhe nuk e ka ndërmend ta lëshojë atë. Mirëpo, ‘pazari’ dimëror është i paparashikueshëm”, vazhdoi Gabarello.
As Basha nuk e ka ndërmend të lëvizë nga Atalanta. Mirëpo, futbollisti me pasaportë zvicerane ka thënë se do të largohej pa problem në rast se klubi zi kaltër vendos ta shesë.