E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Hajduti i shekullit" me numra politikanësh në celular

Armando Muçaj, fieraku që mund të konsiderohet si hajduti më i suksesshëm shqiptar i dekadave të fundit ka pasur lidhje edhe me politikanë me peshë në Fier. Gjykata e Vlorës ka rikonfirmuar dje ligjshmërinë e arrestimit të Muçajt, i cili akuzohet se vodhi rreth 1,5 miliardë lireta nga shtëpia e biznesmenit vlonjat, Sulo Shehu. Ndërkohë, prokuroria dhe policia e Vlorës po punojnë për gjetjen e bashkëpunëtorëve të 37-vjeçarit Muçaj në vjedhjen që është konsideruar si "vjedhja e shekullit".

Gjyqi

Të arrestuarit i është bërë dje komunikimi i masës së arrestit burg pa afat. Muçaj ka qenë prezent në sallën e gjyqit dhe pasi është pyetur nga trupi gjykues ka deklaruar se ndaj tij nuk është përdorur dhunë fizike dhe psikologjike nga policia dhe se në dhomat e paraburgimit është me dy persona të tjerë. Sipas tij, kushtet janë normale dhe nuk ka pasur ankesa për ushqimin. Prokurori Dorjan Tafili deklaroi edhe njëherë se Muçaj është arrestuar, sepse së bashku me persona të tjerë në vitin 1998, ka hyrë në ambientet e zyrës së Sulo Shehut dhe prej andej kanë marrë një kasafortë ku ndodhej një sasi e konsiderueshme parash. Arrestimi është bërë në bazë të gjurmëve të gjetura në vendngjarje, si dhe në kasafortën e cila u gjet e hedhur në periferi të qytetit të Vlorës në plehra. Avokati i të dyshuarit nuk ka pasur asnjë ankesë dje, por mësohet se ai po përgatit një kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Muçajt.

Hetimet

Burime nga Prokuroria e Vlorës bënë të ditur se Armando Muçaj është marrë në pyetje menjëherë pas arrestimit, por ai e ka kundërshtuar akuzën dhe nuk ka pranuar të bashkëpunojë. Ndërkohë, mësohet se nga provat e mbledhura deri tani nuk është arritur të gjendjet ndonjë lidhje e Muçajt me bashkëpunëtorët e tij në vjedhjen e 10 viteve me parë. Ndërkohë, nga burime konfidenciale të Prokurorisë së Vlorës bëhet me dije se në celularët që i janë sekuestruar të dyshuarit janë gjetur numra të disa politikanëve të rëndësishëm në Fier. Mësohet gjithashtu, se policia dhe prokuroria po hetojnë për pasuritë e Armando Muçajt dhe pritet që në ditët e ardhshme të lëshohet një urdhër për sekuestro konservative të tyre.

Pasuria

Nga të dhënat që policia e Fierit ka mundur të sigurojë për Armand Muçajn si shkak i kërkesës së policisë së Vlorës, mësohet se në fillim të vitit 1999, pak muaj pas grabitjes së shumës së madhe të biznesmenit vlonjat, Sulo Shehu, 37-vjeçari Armand Muçaj ka ndërtuar një vilë trekatëshe. Ai e ka ndërtuar atë në lagjen "Sheq i Vogël" të qytetit të Fierit, ku banojnë prindërit. Policia e Fierit, që është duke siguruar të dhëna për pasuritë e Muçajt bën të ditur gjithashtu, se një tjetër apartament luksoz rezulton të jetë në emër të tij. Apartamenti është blerë në një pallat të ri në qendër të qytetit të Fierit. Ndërkohë që në listën e pronave të Muçajt në Fier rezultojnë edhe dy automjete: një "Mercedez Benz" i vitit 2007, si dhe një "Jeep". Ndërsa automjeti që është bllokuar para tri ditësh nga policia është i babait të tij. Të paktën kështu është shkruar në dokumentacionin që policia ka gjetur në brendësi të mjetit. Gjithashtu, në emër të njërit prej autorëve të vjedhjes së biznesmenit vlonjat është edhe një pjesë e aksioneve në ndërtimin e dy pallateve në Fier. Një prej këtyre pallateve ka përfunduar dhe i dyti është në përfundim. Këto informacione vijnë nga agjentët e luftës kundër krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë së Fierit, të cilët janë autorizuar për të mbledhur të dhëna për 37-vjeçarin Armando Muçaj. Sipas policisë, Muçaj shfaqej rrallë në ambiente publike dhe ishte gjithmonë i shoqëruar nga dy persona, ashtu siç ka ndodhur edhe ditën e arrestimit të tij. Muçaj bënte pjesë në një grup shoqërie që për policinë e Fierit konsiderohen si "VIP"-a të krimit dhe që operojnë vitet e fundit në fushën e ndërtimit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›