Lushnjë, plumba kamerierit se kërkoi rrogën
Një 31-vjeçar nga Lushnja ka plagosur me pistoletë ish-punëtorin e hotelit të tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të ditës së djeshme, në hotelin "Monterei" që ndodhet në rrethrrotullimin e Çermës anës autostradës Lushnjë-Rrogozhinë, pronë e shtetasit Besnik Sula, janë dëgjuar tri krisma pistolete. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, krismat janë dëgjuar në katin e parë të hotelit, pikërisht në pjesën ku ndodhej lokali. Pas krismave është parë që 25-vjeçari Emiljano Mone është rrëzuar përtokë i gjakosur. Pak persona që kanë qenë prezentë në vendin e ngjarjes kanë mundur që të transportojnë të plagosurin drejt spitalit të Lushnjës me një automjet të rastit. Pas ndërhyrjes së menjëhershme mjekësore, Mone është dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës, pasi gjendja e tij ishte kritike për jetën. Mjekët janë shprehur se 25-vjeçari ka plagë plumbash në qafë, në shpatull dhe në krah. Policia është njoftuar nga dëshmitarët dhe ka mbërritur në vendngjarje vetëm pak minuta pas transportimit të të plagosurit. Pas hetimeve të para është identifikuar si autor i plagosjes 31-vjeçari Besnik Sula, lindur në Kukës dhe banues në Lushnjë. Ai është pronar i hotelit "Monterei", ndërsa i plagosuri punonte si kamerier në lokalin e këtij hoteli. Sipas policisë, autori i plagosjes është larguar me armën në dorë në drejtim të Divjakës. Pasi ka ngritur postblloqe të shumtë në hyrjet dhe daljet e qytetit të Lushnjës, por edhe në Rrogozhinë e në drejtim të Divjakës, policia ka mundur të mësojë se drejtimi që kishte marrë 31-vjeçari ishte plazhi i Divjakës. Burimet zyrtare të Komisariatit të Policisë së Lushnjës bëjnë të ditur se Sula është ndjekur për më shumë se 1 orë e 40 minuta në këmbë dhe është arrestuar, pasi ka kaluar tejpërtej pyllin me pisha që ndodhet përgjatë plazhit të Divjakës. Nga të dhënat që vijnë prej grupit të hetimit bëhet e ditur se Besnik Sula, banor i lagjes "Loni Dhamo" të Lushnjës ka dëshmuar se "25-vjeçari nuk ka kryer punime cilësore. Edhe pse i premtova më shumë para se kolegët e tij, ai sërish abuzoi me besimin tim". Ndërkohë, një i afërm i të plagosurit tha se 25-vjeçari Emiljano Mone ka punuar për disa kohë si kamerier në hotelin e Sulajt. Ai nuk është paguar për punën që bëri dhe dje kishte shkuar në hotel për të marrë rrogën. Sipas të afërmve të të plagosurit, Mone dhe Sula kanë debatuar për paratë dhe ky ka qenë motivi i krimit.