E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestojnë fermerët: 'S'kemi ujë, po na prishen të mbjellat'

 

100 fermërë të zonës së Cerrikut kanë protestuar para Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë në Elbasan, kundër mënyrës së menaxhimit të ujit të vaditjes.

CERRIK- Rreth 100 fermerë të Cerrikut kanë protestuar sot para dite para Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë në Elbasan. Ata kundërshtojnë keqmenaxhimin që po i bëhet për vaditje ujit të një rezervuari të zonës, nga shoqata e ujit 'Allkja sh.p.k", pasi ujin e vaditjes më anë të një marrëveshjeje nëpërmjet komunës dhe bashkisë e bëjnë shoqatat. Fermerët, të cilët janë futur me forcë në zyrat e Drejtorisë së Bujqësisë janë shprehur se mungesa e vaditjes po u prish të mbjellat dhe ekonominë e familjeve të tyre

Ata akuzojnë kryetarin e komunës Shalës, Vasif Mëhillin pasi ai nuk po ushtron mirë detyrat për t'u kujdesur për administrimin e mirë të ujit të vaditjes. Fermerët kërkojnë që Riza Allkja kryetari i shoqatës "Allkja sh.p.k", të hiqet dhe të vendoset dikush tjetër që të menaxhojë mirë ujin e vaditjes, në mënyrë që të mbarështohen të mbjellat. Në fakt në këtë komunë ka rreth 300 ha tokë që nuk vaditet siç duhet, siç bëhet e ditur nga fermerët të kontaktuar nga korrespondenti i shekullit online në Elbasan.

Si pasojë e protestës ka pasur reagime nga specialistë në Drejtorinë e Bujqësisë. Daman Sinani, specialist i projektit të Menaxhimit të Ujit u shpreh se 'nuk është në kompetencat e kësaj drejtorie për të pezulluar kryetarin e shoqatës së ujit "Allkja sh.p.k", por këtë punë mund ta zgjidhë vetëm prefekti, Rezart Kovaçi'.

Fermerët janë futur me forcë brenda godinës së Drejtorisë së Bujqësisë, ndërkohë që mësojmë se në momentin kur ndodhi protesta drejtori Shkëlqim Elezi nuk ndodhej në zyrë.

Megjithatë ata i kanë bërë thirrje edhe ministrit të Bujqësisë që të mos e shikojë çështjen që nga Tirana, por të vijë vetë për t'i parë nga afër vështirësitë që po hasin ata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›