Protestojnë studentët e mjekësisë

Në protestën e mbajtur nga studentët e Fakultetit të Mjekësisë u shpalosen kërkesa të drejta e legjitime, duke shpërfaqur me këtë mënyrë, gjendjen e tmerrshme që ka kapluar këtë fakultet.
Këto kërkesa adresojnë korrupsionin, ryshfetin dhe papërgjegjshmërinë në pranimin e stafit akademik dhe administrativ.
Në krejt këtë degradim, studentët e Fakultetit të Mjekësisë, kanë vënë në pah se si sistemi i (keq) funksionimit të këtij fakulteti është shtrirë kudo, dhe në vet Shërbimin e Studentëve.
Studentët e Mjekësisë shpërfaqën probleme të panumërta, e që janë të domosdoshme të zgjidhen, në mënyrë që të kemi studime cilësore. Ndër të tjera në kërkesat e tyre përfshihen: literatura adekuate dhe në gjuhën, bibliotekë të mirëfilltë, vlerësimin e vazhdueshëm bërë stafit akademik dhe atij administrativ, infrastrukturën e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit mësimor, thuhet në komunikatën e SKV-së
Pikërisht këto probleme të përbashkëta na çojnë në një rrugë, atë të ngritjes së zërit studentor. Ne si lëvizje studentore besojmë në angazhimin e pakompromis dhe të sinqertë të studentëve.
Në protestën e para një jave në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, sikundër dhe sot në Fakultetin e Mjekësisë, ishin çështjet ato që bashkuan studentët. Kjo tregon frymën e domosdoshme studentore për ndryshime të përnjëmendta në universitetin tonë.
Ne përkrahim protestën e studentëve të Fakultetit të Mjekësisë dhe inkurajomë studentët e të gjitha fakulteteve të tjera që të angazhohemi së bashku në denoncimin e atyre që tashmë sa vite janë duke e rrënuar Universitetin Publik të Prishtinës, që ka qenë shenjë emancipimi për studentët dhe rrjedhimisht për tërë shoqërinë./Indeksonline/