E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestuesit sulmojnë institutin Francez, dëme të mëdha materiale

Athinë - Persona të panjohur sulmuan sot me gurë dhe me koktej molotov Institutin Francez në Athinë duke shkaktuar dëme materiale. Mediat e Athinës njoftojnë se protestuesit janë larguar aktualisht nga skena e ngjarjes, por bëjnë të ditur se ka patur dëme të shkaktuara fasadës së ndërtesës së institucionit.

Ndërkohë, protestat sot kanë hyrë në ditën e 15-të tyre. Pritet që sot të organizohet edhe një koncert i madh në shenjë mobilizimi të të gjithë popullit pas vdekjes së 15 vjeçarit dy javë më parë. Greqia, ka kaluar një natë të qetë për tu lënë sot sërish vendin manifestimeve të tjera. Në mbarim të një manifestimi ku merrnin pjesë 5 000 gjimnazistë, studentë dhe militantë të së majtës u arrestuan gjashtë persona gjatë përplasjeve mes forcave të policisë dhe disa të rinjve. Policia greke ka bërë të ditur se ka marrë masat e duhura të sigurisë gjatë organizimit të koncertit.

Ndërkohë, Konfederata Sindikaliste Greke ka parashikuar zhvillimin e një manifestimi para parlamentit për të protestuar kundër buxhetit. Gjimnazistët kanë parashikuar të mblidhen në lagjen Peristeri, në perëndim të Athinës ku një adoleshent u plagos lehtë nga një person i paidentifikuar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›