E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga, kërkohej për trafik të 6 kilogramëve heroinë

Një i kërkuar për trafik droge është arrestuar nga Policia e Tiranës, ndërkohë që kohë më parë ishte liruar për mungesë provash. Nga specialistët e Seksionit Kundër Drogës u krye ekzekutimi i masës së sigurimit "arrest në burg" për Renato Shopin, 27 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan. Ndalimi i tij u bë në funksion të procedimit penal nr. 15, viti 2009, të Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, pasi akuzohet për veprën penale të "trafikimit të lëndëve narkotike" në bashkëpunim. Bëhet fjalë për operacionin e koduar "Çelësi", i realizuar në nëntor të vitit 2006. Gjatë atij operacioni u arrestua Shopi dhe Shpëtim Tahirllari. Arrestimi i Tahirllarit u bë më 16 nëntor të atij viti, rreth orës 15.45, në rrugën nacionale Qafë Thanë-Pogradec, pranë fshatit Pojskë, në momentin që lëvizte me mjetin e tij tip "Golf" me targë EL 2323 B. Nga kontrolli në mjet i janë gjetur e sekuestruar një sasi prej 6 kilogramësh e 240 gramësh lëndë narkotike e tipit heroinë, e ndarë në 12 pako dhe një pistoletë e tipit "Zastava". Në këtë aktivitet kriminal ka bashkëpunuar edhe Renato Shopi. Operacioni i koduar me emrin "Çelësi" është kryer nga Sektori i Operacioneve Speciale dhe Sektori i Luftës Kundër Drogës në Drejtorinë e Luftës Kundër Krimit të Organizuar dhe Mbrojtjes së Dëshmitarëve. Por, pak kohë më vonë, Renato Shopi u la i lirë për mungesë provash. Ndërsa rihetimi i çështjes bëri që prokuroria të gjente prova të reja për të dhe e dërgoi sërish çështjen në gjykatë. Togat e zeza të Krimeve të Rënda vendosën masën e arrestit "burg pa afat" për Shopin, ndërkohë që policia e ekzekutoi, duke e vënë në pranga sërish.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›