E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prova nga SHBA në dosjen e tragjedisë së Gërdecit

Prokuroria e Përgjithshme përfundoi përkthimin e dosjes së ardhur nga Byroja Amerikane ATF në SHBA, lidhur me tragjedinë e Gërdecit. 

Trazhgim Sokolaj

Materiali voluminoz i hartuar nga gjashtë agjentët amerikanë të Byrosë së Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve (ATF), i cili mbërriti dy javë më parë në Prokurorinë e Përgjithshme, është përkthyer dhe u është dorëzuar prokurorëve shqiptarë të dosjes “Gërdeci”. Autorët e raportit hetimor kanë qëndruar në Tiranë për një javë nga data 7 deri në 14 prill 2008 dhe bashkë me prokurorët shqiptarë kryen hetime në vendin ku ndodhi shpërthimi në Gërdec. Duke u bazuar në të dhënat që morën gjatë qëndrimit në Tiranë, por edhe duke analizuar dhe interpretuar në SHBA provat e mbledhura gjatë qëndrimit në Tiranë, gjashtë agjentët amerikanë hartuan raportin e tyre në të cilin rindërtohet skena e ngjarjes dhe shpjegohet mekanizmi që aktivizoi shpërthimin. Kjo dosje e ardhur nga SHBA pas përkthimit të saj është administruar në fashikullin e dosjes “Gërdeci” dhe mësohet se është një nga provat më të forta që Prokuroria shqiptare ka siguruar dhe do të paraqesë në gjykatë për fajësinë e personave të akuzuar si shkaktarë të tragjedisë së Gërdecit. Në dosjen e përkthyer thuhet se, çmontimi i municioneve dhe predhave bëhej jashtë kushteve të sigurisë, në një ambient të ngushtë e të pa përshtatshëm ku proceset e punës bëheshin shkak për ekspozimin e sasive të barutit dhe predhave ndaj faktorëve aktivizues.
Shkaku i shpërthimit
Sipas dosjes së Prokurorisë, mesditën e 15 marsit, në fabrikën e demontimit në Gërdec ndodheshin rreth 15 700 mijë predha si dhe 700 tonë barut i vendosur në 34 kontejnerë. Origjina e shpërthimit ka qenë 10-11 metra larg portës hyrëse të fabrikës. Në këtë pozicion, në momentin kur ndodhi tragjedia katër punëtorë po saldonin një nga karrocat që përdoreshin për transportin e barutit të dalë nga çmontimi jashtë fabrikës. Karroca që po saldohej shkaktoi shkëndija, të cilat aktivizuan barutin që gjendej në tri karroca të tjera si dhe grumbuj të tjerë që ndodheshin përtokë. Në këtë mënyrë është krijuar një flakë masive e cila është përcjellë prej barutit deri në vendin ku ndodheshin predhat e pa çmontuara. Ato kanë goditur kontejnerët që ndodheshin në krahun e djathtë të portës hyrëse të fabrikës së çmontimit. Pas goditjes nga të paktën pesë predha, baruti në kontejnerë është aktivizuar, duke shkaktuar shpërthimet e mëdha në formë kërpudhe. Si një nga shkaqet kryesore që shkaktoi tragjedinë, veç incidentit me karrocën, ekspertët kanë cilësuar edhe grumbullimin e një sasie të lartë baruti, e cila nuk ishte zhvendosur larg fabrikës për disa javë me radhë. Mbajtja e barutit fare pranë fabrikës është konsideruar, jo vetëm shkak i shpërthimeve tragjike, por edhe në kundërshtim më rregulloret ushtarake për trajtimin e municioneve. Sipas verifikimeve hetimore, 3 mijë metra kub ka qenë volumi i gropës së krijuar nga shpërthimi kryesor që shkaktoi tragjedinë.

Arrestimet
Ylli Pinari, ish-drejtor i ndërmarrjes shtetërore MEICO, biznesmeni Mihal Delijorgji, pronar i kompanisë “Albademil” dhe Dritan Minxolli, drejtor ekzekutiv i fabrikës së çmontimit, ndodhen në qeli të arrestuar që më 18 mars 2008 për shkelje të rregullave të sigurisë për lëndët luftarake me pasojë shkaktimin e tragjedisë së Gërdecit.  

Tre në hetim
Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, Sokol Gjeci, ish-mbikëqyrës i ndërmarrjes MEICO në Gërdec dhe Dashnor Çaushi, ish-shef i Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm, janë persona nën hetim nga Prokuroria, lidhur me tragjedinë e Gërdecit. Për Mediun Prokuroria ka kërkuar autorizim nga Kuvendi për heqjen e imunitetit, ndërsa dy ish-zyrtarët e tjerë hetohen për “shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.

Pasojat
Tragjedia e Gërdecit shkaktoi vdekjen e 26 personave, që pësuan dëmtime të rënda për shkak se, u ndodhen pranë vendit të ngjarjes. Mbi 300 persona të tjerë pësuan plagosje dhe dëmtime më të lehta pa rrezik për jetën. Mbi 5 mijë banesa u dëmtuan, ndërsa 380 prej tyre u shkatërruan tërësisht. Sipas përllogaritjeve zyrtare, dëmi financiar në total pas ngjarjes së Gërdecit llogaritet mbi 16 milionë euro.

ATF në Gërdec

Gjashtë agjentë të Byrosë Amerikane të Hetimit, ATF, të cilët investiguan edhe sulmet e 11 shtatorit 2001 mbi Pentagon, qëndruan për një javë në Gërdec bashkë me prokurorët shqiptarë që hetuan çështjen. Ata verifikuan origjinën e shpërthimit si dhe analizuan provat e të dhënat, që ndihmuan në saktësimin e shkakut të ngjarjes dhe rindërtimin e ecurisë së procesit, që është bërë shkak për shpërthimet në seri, të cilat sollën për pasojë tragjedinë. Së fundi, agjentët e ATF-së kanë dërguar në Prokurori një raport të hollësishëm mbi shkakun e ngjarjes. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›