E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, gjashtë të plagosur dje nga dy aksidente në rrugë

TIRANE - Dy aksidente të rënda kanë shkaktuar dje gjashtë të plagosur në Tiranë, përkatësisht në Kombinat dhe në Sauk, pranë Akademisë së Policisë. 

Në aksidentin e parë të ndodhur në Kombinat, Rexhep Toto, 54 vjeç, banues në të njëjtën zonë është qëlluar nga një makinë. Një automjet i markës “Mercedez-Benz” në ngjyrë gri me targa gjermane, i drejtuar nga një 27-vjeçar e ka marrë përpara 54-vjeçarin. Ai është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak nga vetë drejtuesi i mjetit, i cili ka qenë duke udhëtuar në automjet me dy persona të tjerë. Paraprakisht policia tha se personi i ka ndërprerë rrugën mjetit, ndërsa ka qenë duke kaluar nga njëra anë e rrugës në anën tjetër. Po kështu, sipas policisë, edhe drejtuesi i mjetit ka qenë duke ecur me shpejtësi më të lartë nga e lejuara. Ndërkaq aksidenti i dytë ka ndodhur rreth orës 17:00 të ditës së djeshme në Sauk, pranë Akademisë së Policisë, kur dy mjete “Mercedez-Benz” ML dhe një tjetër po i të njëjtës markë e llojit “Regina”, janë përplasur mes tyre kokë më kokë. Nga përplasja mes tyre, sipas burimeve të policisë, janë plagosur së paku pesë vetë, të cilët ktheheshin nga një dasmë. Si shkak të aksidentit, policia pohon se dyshohet parakalimi i gabuar i njërit prej mjeteve. d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›