E Diel, 1 Nëntor 2026

Provim shteti për profesionistët në fund të 2010-s

13/10/2009  Ministri Pollo sqaron në Kuvend projektin “Për profesionet e rregulluara në RSH”

Drafti do të shqyrtohet nga Komisioni i Shëndetësisë për t’iu propozuar seancës plenare

Komisioni parlamentar i Shëndetësisë ka miratuar në parim projektligjin e qeverisë “Për profesionet e rregulluara në Republikës e Shqipërisë”, i cili synon të përcaktojë kritere të qarta për ushtrimin e profesioneve të rregulluara. Ministri i Shtetit, Genc Pollo, ka prezantuar projektin para komisionerëve, duke renditur risitë që sjell projekti në përmirësimin e nivelit të profesionistëve në vendin tonë. “Projekti garanton më shumë profesionalizëm dhe kualifikim të atyre që ushtrojnë profesione të lira, në mbrojtje të interesit publik. Mjekët, infermierët, mamitë, dentistët, arkitektët apo dhe inxhinierët e ardhshëm, sipas këtij ligji duhet të kryejnë praktikën profesionale, të japin provimin e shtetit për formim profesional si dhe të bëjnë regjistrimin e profesionistit në urdhrin profesional për të ushtruar profesionin e tyre”, - sqaroi ministri Pollo. Në përgjigje të interesit të medies pas mbledhjes së komisionit nëse ligji ka fuqi prapavepruese, Pollo sqaroi se ligji nuk ka fuqi prapavepruese. Ai do të zbatohet për ata që e ushtrojnë një profesion të rregulluar para hyrjes në fuqi të këtij ligji. Në këtë mënyrë, ligji aktual vlen për të gjithë studentët që përfundojnë studimet në vitin 2010. “Ligji do të hyjë në fuqi 6 muaj pas miratimit të tij dhe vetëm atëherë ai do të zbatohet. Gjatë këtyre 6 muajve qeveria në respektim të tij do të përcaktojë, me propozim të autoritetit kompetent, kërkesat minimale për formimin dhe kualifikimet profesionale për profesionet e rregulluara si dhe listën e specialiteteve të nënspecialiteteve apo specialiteteve plotësuese për profesionet e rregulluara”, - nënvizoi Pollo. Por çdo profesionist, për të fituar të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar duhet të regjistrohet në regjistrin e urdhrit profesional përkatës. Kriteri tjetër i rëndësishëm për të fituar të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar është edhe kryerja e praktikës profesionale.

Profesionet e përjashtuara

Përjashtohen nga ky ligj veprimtaritë e ushtruara në profesionin e rregulluar që lidhet me kryerjen e funksioneve në autoritetet gjyqësore dhe për profesione të cilat sipas legjislacionit në fuqi kanë kërkesa të veçanta, por jo domosdoshmërisht të karakterit të formimit apo kualifikimit të kërkuar për profesionet e rregulluara.

Kush nuk i nënshtrohet praktikës

Projektligji përjashton nga detyrimi për të kryer praktikën profesionale kandidatin që provon se për një periudhë të caktuar ka qenë i angazhuar në një veprimtari profesionale, ku ka fituar një përvojë të mjaftueshme. Është autoriteti kompetent që në bashkëpunim me urdhrin profesional përkatës përcakton kriteret që përdoren për të vlerësuar nëse përvoja profesionale e kandidatit është e mjaftueshme për ta përjashtuar nga detyrimi për të kryer praktikën profesionale. Përjashtim i kandidatit nga kryerja e praktikës profesionale mund të reduktojë ndjeshëm periudhën e parapunësimit, duke pasur parasysh faktin se kohëzgjatja e praktikës është e ndryshme për profesione të ndryshme. Nëse për disa profesione kjo praktikë mund të zgjasë 6 muaj, për profesione të tjera mund të zgjasë të paktën tre vjet (siç parashikohet në ligjin “Për auditimin ligjor, organizmin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar”). Projekti në fjalë parashikon edhe një shpërblim për praktikantin, të cilit gjatë zhvillimit të praktikës profesionale i jepet një pagesë prej jo më pak se 50 për qind të rrogës bazë. Pagesa apo shpërblimi vlerësues bëhet nga profesionisti që drejton praktikën profesionale. Profesionisti zgjidhet nga urdhri profesional përkatës. Ai duhet të ushtrojë profesionin prej jo më pak se tre vjet dhe duhet të japë garanci të mjaftueshme për përgatitjen teoriko-praktike të praktikantit.

Pas 3 vjetësh ligj për kualifikimin

Në një perspektivë më të largët, njëra nga objektivat kryesore të projektligjit është hapja e rrugës për njohjen profesionale në përputhje me kërkesat e BE-së. Kjo mendohet të realizohet përmes ngritjes së nivelit të formimit dhe të kualifikimit të studentëve në ato profesione të lira që mund të vlerësohen të rregulluara ndërmjet konkurrencës së lirë, ndërmjet institucioneve të arsimit, filtrit të provimit të shtetit për formim profesional si dhe përmirësimit të ushtrimit të profesioneve të rregulluara ndërmjet urdhrit profesional përkatës, do t’i hapë rrugë njohjes së kualifikimeve profesionale. Objektivi përfundimtar është ushtrimi i një profesioni të rregulluar në një shtet anuat të BE-së, të ndryshëm nga ai në të cilin profesionisti është formuar dhe ka fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit. Njohja e kualifikimeve profesionale ka qëllim të nxisë lëvizjen brenda hapësirës evropiane të të gjithë profesionistëve dhe në mënyrë të veçantë të atyre që kanë nivel të përparuar formimi. Njohja profesionale mund të bëhet vetëm nëpërmjet shteteve që kanë një nivel formimi profesional të përafërt dhe që respektojnë kërkesat minimale për ushtrimin e disa profesioneve. Ligji për njohjen e kualifikimeve profesionale mund të hartohet vetëm pas zbatimit efektiv të dispozitave të këtij projektligji, brenda një afati kohor që nuk duhet të kalojë dy, apo e shumta tre vjet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›