E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ivanaj: “Nuk do të ketë shtyrje të vitit shkollor për shkak të A/H1N1”

Zëvendësministri përjashton fëmijët nga kategoritë e rrezikuara nga virusi

Emanuela Sako

Viti shkollor nuk do të shtyhet për shkak të përhapjes së virusit AH1N1. Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj sqaroi se fëmijët nuk bëjnë pjesë në kategoritë më të rrezikuara në popullatë dhe për këtë arsye nuk do të ketë shtyrje të vitit të ri shkollor që do të fillojë në shtator. Madje, ai pohoi se nuk do të merren masa të veçanta për parandalimin e përhapjes së virusit në shkolla. Ministria e Shëndetësisë ka vendosur rregulla të tilla, ndryshe nga vendet e tjera europiane që mbyllën shkollat në fund të vitit shkollor, ndërsa janë në diskutime për hapjen e tyre gjatë fillim vitit të ri shkollor. Kjo për shkak se në këto vende numri i fëmijëve të prekur ka qenë më i lartë se në vendin tonë. Ndërsa në Shqipëri nuk është shënuar asnjë rast i fëmijëve të prekur me virusin gripal.
Dyshimet
Megjithëse në vend nuk ka asnjë rast të konfirmuar për fëmijë të prekur nga virusi sipas të dhënave zyrtare të ISHP-së dy raste janë ende në fazën e ekzaminimit. Dy fëmijë të moshës 5 dhe 14 vjeç dyshohet se janë prekur nga virusi i gripit. Aktualisht, mostrat e të rinjve janë nisur për në Bukuresht, ku pritet të vijnë rezultatet përfundimtare. Ndërkohë që pak javë më parë në listën e të dyshuarve ka qenë edhe një fëmijë 4 vjeç. Ministria e Shëndetësisë do të monitorojë situatën dhe në varësi të situatës do të bëjë ndërhyrjet e domosdoshme në kopshte apo shkolla. Por, deri më tani situata përsa u përket fëmijëve duket ende nën kontroll. Moshat më të rrezikuara janë ata të moshës 25 dhe 44 vjeç.
Vaksina
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ivanaj theksoi se Ministria e Shëndetësisë nuk ka bërë ende porosinë për prodhimin dhe blerjen e vaksinës kundër virusit Gripal. Ndërkohë që ka premtuar se do të kryejë vaksinimin e të gjithë popullatës në vend. Sipas Ivanajt, disa kompani farmaceutike kanë dhënë garancinë për sjelljen e vaksinës në vendin tonë. Zëvendësministri bën të ditur se nuk janë përcaktuar ende në mënyrë përfundimtare kategoritë më emergjente për kryerjen e vaksinës. Por, nëse do të jetë e nevojshme dhe do të ketë përkeqësim të situatës, qeveria do të ndërhyjë dhe do të sigurojë vaksinimin e të gjithë popullatës. Deri tani rezultojnë të prekur nga virusi i gripit 20 persona, kurse 5 persona të tjerë dyshohen të jenë mbartës të këtij virusi. Për të gjithë këta persona pritet ardhja e rezultateve përfundimtare nga Laboratori i Virologjisë për Europën Juglindore në Bukuresht. Ndërkohë që çdo ditë në spitalet e vendit merren mostra të personave të dyshuar, mostrat e të cilëve analizohen në fillim në ISHP dhe nëse konfirmohet virusi atëherë mostrat nisen për në Rumani.

26 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›