Shitjet me lotari dhe ankandet televizive, qeveria shton taksat
Ervin KOÇI
Lotaritë televizive, ankandet, promocionet e ndryshme dhe shitjet nëpërmjet televizionit, do të kenë tarifa ekstra si për organizatorët ashtu dhe për klientët përfitues. Qeveria ka vendosur që të rrisë taksat për këto lloj aktivitetesh dhe për kompanitë që i organizojnë ato, duke përcaktuar për to një skemë të re tatimi. Të gjitha shitjet me anë të lotarisë do të kalojnë në skemën e re të organizimit, duke paguar më shumë taksa, por ku duhet të ketë edhe më tepër transparencë për fituesit. Vendimi është marrë në mesin e muajit korrik, por dje ka hyrë në fuqi, pra një javë pas sezonit veror, ku fushatat promocionale janë tepër agresive. Skema e re i fut kompanitë private në detyrime të tjera tatimore, por më së shumti i bën më përgjegjëse për lojërat dhe aktivitetet që ato organizojnë. Ndryshimi i parë lidhet me faktin se për të marrë pjesë në lojë nuk do të paguhet ekstra, por do të mundësohet në forma të ndryshme si: falas, me një kupon, biletë, duke gërvishtur në ambalazhin e produktit të blerë, si dhe çdo mënyrë tjetër, e parashikuar nga organizatori, por pa kosto të tjera shtesë për klientin.
Lojërat e fatit
Për lojërat e fatit promocionale, jepet autorizimi i posaçëm, i vlefshëm nga data e fillimit të lojës (e cila nuk duhet të fillojë më vonë se 30 ditë pas datës së marrjes së autorizimit) dhe vlen vetëm për një tip të caktuar loje promocionale. Tregu i lojërave promocionale, me qëllim rritjen e shitjeve, xhiron qindra milionë lekë, kryesisht në sezonet e verës, por për shkak të mungesës së ligjit, ky lloj aktiviteti nuk është taksuar. Për tipet e lojërave promocionale, organizatori duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme, sipas llojit të lojës. Me anë të këtij ligji të ri, qeveria synon të taksojë edhe promocionet ose reklamat televizive që bëhen për këto lloj aktivitetesh, ku këto të fundit do të kenë përsëri taksa ekstra. Nga taksimi nuk do të shpëtojnë as ankandet televizive për shitje të ndryshme, që gjithashtu konsiderohen si aktivitete biznesi të shit-blerjes. Por nga kjo rritje e taksave do të preken pa dyshim edhe klientët apo pjesëmarrësit në lotaritë televizive, të cilëve deri tani u mbahej vetëm TVSH-ja nga shuma që fitonin.
Mesazhet promocionale
Përveç lojërave të ndryshme televizive kompanitë që i organizojnë duhet të paguajnë tasa edhe në ato raste kur ato dërgojnë mesazhe promocionale tek kientët me anë të sms-ve nëpërmjet telefonave celularë. Për lojën promocionale me anë të mesazheve (sms), kompania organizatore duhet të bëjë deklarim jo vetëm për pjesëmarrësit në lojë, por edhe për rregulloren e lojës: koston e një mesazhi telefonik, me ose pa TVSH, e cila nuk mund të kalojë vlerën 100 lekë me TVSH; numrin ku duhet të dërgohet mesazhi dhe operatorin që ofron shërbimin. Kurse për lojën promocionale me telefonata, duhet të deklarojë jo vetëm për pjesëmarrësit në lojë, por edhe në rregulloren e lojës, si: koston e një telefonate, me ose pa TVSH, e cila nuk mund të jetë më e lartë se 200 lekë/telefonatë, pa TVSH; numrin ku duhet të dërgohet; operatorin që ofron shërbimin, etj.
Tatimet rimbursojnë 1.5 miliardë lekë në 7 muaj nga eksportuesit
Tatimet rimbursuan rreth 1.5 miliardë lekë Tatim mbi Vlerën e Shtuar për bizneset eksportuese, gjatë periudhës janar-korrik të vitit 2009. Sipas të dhënave më të fundit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, rimbursimi i TVSH-së për periudhën janar-korrik 2009 ka qenë në nivelin e 1.5 miliardë lekëve nga 1 miliard lekë të rimbursuara në të njëjtën periudhë të vitit 2008, ose rreth 47 për qind më shumë. Ekspertët të financave publike shpjeguan se po bëhen përpjekje maksimale nga administrata tatimore për rimbursimin e shpejtë të TVSH-së për disa kategori specifike të biznesit që po përballen me vështirësi likuiditeti, sikurse janë kompanitë që punojnë me material porositësi. Mbi bazën e ligjit për TVSH-në, rimbursimi i saj për të gjithë eksportuesit kryhet 30 ditë kalendarike pas deklarimit nga biznesi dhe kontrollit financiar.
26 Gusht 2009