E Diel, 1 Nëntor 2026

Turizmi, ministria kontroll hoteleve në bregdet për standardet dhe yjet



Në Shqipëri numërohen mbi 600 mijë njësi akomoduese, por vetëm 5 për qind e tyre kanë vulën e Ministrisë së Turizmit, për sa i përket kushteve dhe standardeve që ato ofrojnë. Kjo është një nga arsyet pse shpesh herë zhgënjehemi nga raporti hotelier çmim-shërbim. Por pavarësisht të gjitha këtyre abuzimeve që kanë vite që bëhen në kurriz të konsumatorëve, duke larguar shumë prej tyre jashtë vendit, Ministria e Turizmit që duhet të merret direkt me këtë problem, është kujtuar vetëm tani që edhe ky sezon veror po mbaron. Sipas ministrit të Turizmit, Ardian Turku, ka ardhur koha që të rishikohen kriteret e klasifikimit të hoteleve, pasi ato nuk ofrojnë standardin e kërkuar.
“Jam i mendimit se ka vend për të riparë kriteret e licencimit të hoteleve në raport me kushtet që ato ofrojnë. Ka vend që këto kritere të forcohen më tej, pasi një pjese e hoteleve nuk respektojnë standardet për të cilat janë klasifikuar”, - thotë Turku. Ministri deklaron se ka vend për t’i tërhequr vëmendjen komunitetit të biznesit, i cili nuk i përputh çmimet e kripura me kushtet akomoduese. Por, në kushtet që pjesa më e madhe e hoteleve është e palicencuar kontrolli nga ana e shtetit mbetet i pamundur. Duke folur për sezonin turistik të këtij viti, ministri pranon disa pika të dobëta të këtij sektori. “Pavarësisht punës së bërë nga pushteti vendor, sërish mund të themi se vërehen mbeturina përgjatë bregut të rërës në disa zona turistike”, - thotë Turku. Kurse shton se nga ana tjetër, fluksit në rritje të numrit të turistëve nuk iu përgjigj në nivelin e duhur infrastruktura. “Ky sektor mbetet sërish problematik dhe këtu duhet të përmend trafikun e rënduar në zonën e Durrësit dhe të Vlorës, të evidentuar këtij viti”, - evidenton Turku duke mos lënë pa përmendur edhe defektet e energjisë, si një problem më vete. Sipas të dhënave zyrtare nga MTKRS, deri në fund të muajit korrik 2009 numërohen të kenë hyrë në Shqipëri, 1 milion e 600 mijë turistë, ose 36 për qind më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

26 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›