E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, 2554 kg mbetje spitalore në ditë

Çdo ditë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” prodhohen mbi 2500 kg mbetje spitalore, nga të cilat, 15% e tyre janë të rrezikshme dhe infektive. Pra, çdo ditë shëndeti i pacientëve që i drejtohen këtij spitali për ndihmë mjekësore rrezikohet nga rreth 400 kg mbetje infektive. Të paktën deri dje, kjo situatë ka qenë e përditshme në QSUT, pasi, prej kohësh në këtë spital, pajisja që përdoret kudo në botë për trajtimin e mbetjeve spitalore, autoklava nuk ka qenë funksionale. Pas një periudhe të gjatë të djegies së mbetjeve spitalore në krematoriumin e QSUT-së, e cila prej vitesh ka shkaktuar ndotje të zonës përreth spitalit më të madh në vend, tashmë këto mbeturina do të trajtohen me avull. Në mënyrë simbolike, ministri i Shëndetësisë ka “kyçur” krematoriumin e vjetër, si për të hedhur pas të shkuarën e tij, si një shkaktar i ndotjes së mjedisit. Ditën e djeshme, në ambientet e QSUT-së është instaluar hidroklava e re për mbetjet spitalore, e cila nuk do t’i djegë, por do t’i neutralizojë, duke i shndërruar ato në mbetje normale urbane. Vënia në funksion e kësaj aparature pritet t’i japë zgjidhje problemit të hershëm të mbetjeve spitalore, që deri më tani digjeshin apo hidheshin vend e pa vend, duke ndikuar jo vetëm në ndotjen e mjedisit, por duke riskuar jetën e qytetarëve dhe pacientëve. Tashmë me metodën e re, këto mbetje do të sterilizohen me anë të avullit, në një temperaturë prej 145 gradë përgjatë një procesi që zgjat 40 minuta. Projekti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Bankës Botërore parashikon instalimin e shtatë pajisjeve autoklavuese-copëtuese për trajtimin e mbetjeve spitalore, me vlerë mbi 1.5 milion USD në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Spitalin e Sëmundjeve të Mushkërive “Shefqet Ndroqi”, Spitalin Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, Spitalin Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Glozheni”, Spitalin Rajonal të Shkodrës, Spitalin Rajonal të Korçës, Institutin e Shëndetit Publik, Tiranë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›