E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provimet e maturës, tashmë në mjedise universitare

Rregullorja e re e Maturës Shtetërore është pothuajse gati dhe pritet të publikohet gjatë ditëve në vijim, me shumë mundësi edhe brenda ditës së sotme. Këtë vit, rregullorja nuk do të ketë shumë ndryshime në krahasim me një vit më parë, porse ndryshimet e parashikuara pritet të jenë të rëndësishme. Kështu, gjatë këtij viti, parashikohet se provimet e maturës nuk do të zhvillohen më në shkolla, por në... universitete.
Provimet, tashmë në universitete
Ndryshimi kryesor që pritet në këtë rregullore të Maturës Shtetërore ka të bëjë pikërisht me mënyrën e administrimit të tri provimeve që do të duhet të japin të gjithë maturantët e të gjitha shkollave të mesme, publike apo private në vend. Burime nga grupi i hartuesve të rregullores së re bën të ditur se këtë vit ministria do ta ndryshojë sistemin e administrimit, duke hequr dorë nga provimet në shkolla.
Në këtë mënyrë, sipas këtyre burimeve, provimet pritet të zhvillohen në mjedise më të mëdha e madje edhe në universitete, me qëllim që administrimi i provimeve të mos ketë ndryshim nga njëri vend në tjetrin e si pasojë notat e maturës të kenë të njëjtën “vlerë” në të gjithë vendin.
Ky ndryshim u pa i domosdoshëm pas akuzave të një viti më parë për kopjime të shumta në provimet e maturës në disa zona të vendit, duke krijuar për herë të parë një diferencim nga zona në zona për maturën. Modeli i ri i administrimit duket se do ta hedhë poshtë edhe këtë hije dyshimi të krijuar gjatë edicionit të kaluar të maturës.
Rregullorja dhe programet orientuese
Në rregullore përcaktohen rregullat e provimit, mënyra se si duhen plotësuar tezat, përqindja e pyetjeve me zgjedhje dhe me zhvillim, ato çka nuk duhet të bëjë maturanti gjatë provimit, të drejtat e tij dhe detaje të tjera, që përbëjnë në vetvete mekanizmin funksionues të Maturës Shtetërore. Rregullorja bëhet publike në të gjitha shkollat e mesme të vendit, si edhe në media dhe përmban gjithashtu edhe datat e provimeve të detyrueshme dhe të provimeve me zgjedhje.
Ndërkohë, pas pak ditësh, Ministria e Arsimit do të bëjë publike edhe programet orientuese për të gjitha lëndët që mund të jepen provim në Maturën Shtetërore. Këto programe orientuese përmbajnë të gjitha mësimet nga ku mund të ketë pyetje në provimet e detyruara ose ato me zgjedhje të maturës, si edhe kapitujt që nuk do të jenë pjesë e provimeve.
Programet orientuese janë të ndara, jo vetëm sipas lëndëve, por edhe sipas profileve të shkollave. Kështu, maturantët e një shkolle të mesme të përgjithshme me profil shoqëror, profil natyror, shkolle të mesme tekniko-profesionale apo shkolle artistike, do të kenë programe të ndryshme orientuese, pasi do të kenë edhe provime të ndryshme gjatë Maturës Shtetërore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›