E Diel, 1 Nëntor 2026

Letrat me vlerë të qeverisë, si ka ecur tregu sekondar ne 2009

Tregu sekondar i letrave me vlerë të qeverisë gjatë vitit 2009 u dominua në masën 89.41% nga transaksionet në instrumente afatshkurtër (bono thesari) dhe 10.59% nga instrumente afatgjatë (obligacione). Për sa i takon numrit të transaksioneve, 97.24% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të letrave me vlerë të qeverisë i takojnë transaksioneve të kryera me bono thesari. Të dhënat statistikore të tregut me pakicë të letrave me vlerë të qeverisë për vitin 2009, flasin për një dominim të transaksioneve "Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar" dhe "Shlyerje e vlerës nominale në maturim" përkatësisht me 43.20% dhe 32.13% kundrejt volumit të përgjithshëm. Pjesëmarrja në tregun sekondar të letrave me vlerë të qeverisë dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë rreth 96.32% të të gjitha transaksioneve në këtë treg, në raport me personat juridikë.
Transaksioni i llojit B "Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar" gjatë vitit 2009 ka pasur një rritje prej 11.9 miliardë lekë ose në masën 140.81%, krahasuar me vitin 2008, shoqëruar me një rritje në masën 14.25% të numrit të transaksioneve.
Transaksioni i llojit C "Blerje nga individët para afatit të maturimit" gjatë vitit 2009 ka pasur një rritje prej 2.33 miliardë lekë ose 377.51%, krahasuar me vitin 2008, ndjekur nga një rritje në masën 74.83% të numrit të transaksioneve. Krahasuar me vitin 2008, vihet re një rritje në vlerë absolute e totalit të transaksioneve të llojit B dhe C, të marra së bashku, me rreth 14.24 miliardë lekë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›