Shkon në 11 numri i viktimave nga virusi A/H1N1
Shkon në 11 numri i viktimave nga virusi i gripit të derrit në vendin tonë. Një grua 54-vjeçare ndërroi jetë në spitalin e Korçës, ku prej tri ditësh ishte nën kujdesin e plotë të mjekëve. Burimet spitalore bëjnë të ditur se 54-vjeçarja kishte probleme me mushkëritë. Specialistët thonë se virusi do të qarkullojë dhe për pak javë në vendin tonë, ndërkohë që popullsia duhet të ndërgjegjësohet për vaksinimin. Deri tani ka pasur dhjetë viktima të cilët kanë humbur jetën për shkak të virusit A/H1N1. Viktima e fundit ishte një grua 55-vjeçare nga Fieri e cila humbi jetën para dy ditësh për shkak të gripit të derrit dhe komplikacioneve të tjera me shëndetin. Aktualisht në të gjithë vendin numërohen rreth 418 persona të prekur nga gripi pandemik, por sipas ISHP numri mendohet të jetë më i madh pasi analizat u merren vetëm personave të prekur rëndë. Sipas të dhënave nga spitalet e vendit,në gjendje të rëndë për jetën si pasojë e prekjes nga gripi i derrit janë 5 persona. Sipas mjekëve virusi A/H1N prek më shumë pacientët kronikë, ndaj specialistët bëjnë thirrje për kryerjen e vaksinës sidomos nga kjo kategori. Por shihet një neglizhencë nga ana e qytetarëve për të për tu vaksinuar. Ata shprehen se kanë frikë nga efektet anësore që mund të shkaktojë vaksina. Sipas specialistëve kjo vaksinë nuk ka efekte anësore të rrezikshme për jetën por ajo nuk rekomandohet për personat që kanë alergji nga veza.
8 Janar 2010