E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fermerët: Analizat italiane e nxorrën kërp

TIRANË- Në kundërshtim me atë që thotë kreu i policisë shqiptare, vetë fermerët e Shkrelit mbrojnë idenë se ata kanë mbjellë kërp industrial dhe policia do të detyrohet të tërhiqet sërish, ashtu siç ka ndodhur herët e tjera. Koordinatori i shoqatës së fermerëve të Shkrelit, Alfred Pllumbi, ka pohuar dje për “Shekullin” se policia ka kryer një sërë shkeljesh në rastin e tyre. “Pikë së pari unë dua të vë në dukje se analizat e kryera në Romë nuk kanë treguar se bima e sekuestruar është narkotike. Ato tregojnë se bima e kërpit industrial i përket familjes së kanabis sattiva por jo narkotike. Kjo theksohet shumë qartë në përgjigjen e analizave të kryera në itali. Edhe ne kemi një kopje të përgjigjes së analizave dhe aty thuhet shumë qartë qëse bimaqë të jetë narkotike duhet të ketë përqindje THC rreth tre. Ndërkohë bimët tona, që edhe policia i ka analizuar në Itali, kanë përqindje THC-je në masën nga 0.09 deri në 0.2. Pra në asnjë rast ato nuk janë narkotike”,- theksoi Pllumbi. Sipas tij, një tjetër shkelje e policisë është edhe koha kur është kryer riekspertimi. Sipas ligjit shqiptar, për të bërë riekspertim duhet të njoftohet edhe pala tjetër. Në këtë rast pala tjetër janë fermerët e Shkrelit por kjo gjë nuk është bërë. Vetë laboratori i Mjekësisë Ligjore në kryeqytet ka theksuar se mostrat e bimëve do të mbahen gjashtë muaj pas analizimit, deri në qershor 2006. Por policia këto mostra i ka dërguar për ri ekspertim në Itali në maj të vitit 2007, pra një vit pas afatit të lejuar nga vetë ekspertët. “Analizat e para të bimës treguan se ishte kërp industrial e jo bimë narkotike dhe të njëjtën përgjigje kanë sjellë edhe analizat italiane”,- thotë Pllumbi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›