E Diel, 1 Nëntor 2026

Masterat dhe doktoraturat, rrezikohet nisja e vitit të ri akademik në Universitetin e Tiranës



Jonida Tashi

Viti i ri akademik në Universitetin e Tiranës rrezikon të mos nisë në muajin tetor. Pas shumë kohë heshtjeje, rektori i universitetit më të madh në vend, që është ai i Tiranës, Dhori Kule ka hedhur kritika të forta ndaj Ministrisë së Arsimit për masterat dhe doktoraturat. Në rast se nuk do të miratohen masterat e nivelit të dytë, por edhe të gjitha programet për doktoraturat, atëherë auditorët nuk do të presin studentët për fillimin e vitit akademik 2009-2010. Ky është vendimi më i fundit, që ka vendosur të marrë Universiteti i Tiranës (UT), nëse programet e mësipërme nuk do të miratohen. Rektori i UT-së, Dhori Kule, fajëson Ministrinë e Arsimit, e cila nuk po zbaton në kohë bazën ligjore dhe procesi është bllokuar që nga muaji korrik i vitit të kaluar.
Reagimi
“Ciklet e tjera të studimeve, të domosdoshme në Universitetin e Tiranës janë në një situatë kolapsi. Është për të ardhur keq që Universiteti i Tiranës me vendimmarrjen e tij në senat dhe përcjelljen që ka bërë në Ministrinë e Arsimit ka propozuar mastera të nivelit të parë, mastera të nivelit të dytë, diploma të nivelit të dytë dhe doktoratura dhe shifrat janë në një situatë jashtëzakonisht problematike që domosdoshmërisht gjatë kësaj periudhe, derisa të fillojë viti i ri akademik, duhet të kenë kaluar në procedura ligjore se ndryshe UT-ja nuk fillon dot vitin akademik”,- deklaron Kule. Sipas rektorit të UT-së, Ministria e Arsimit po favorizon institucionet e arsimit të lartë jopublik, duke ua miratuar programet e të gjitha cikleve. “Ka universitete të tjera të cilat sapo kanë përfunduar ciklin e parë të studimit dhe u janë miratuar ciklet e treta. Ka një politikë diskriminuese ndaj UT-së”,- shprehet Dhori Kule. Një vit më parë, masterat e nivelit të dyte u miratuan vetëm për një fakultet të UT-së, që ishte ai i Ekonomikut, ndërkohë që numërohen tetë fakultete dhe mijëra studentë që presin të ndjekin studimet pasuniversitare.
Bllokimi
Masterat e nivelit të dytë për studentët që kanë mbaruar studimet me sistemin 4-vjeçar kanë “ngecur” në Agjencinë e Akreditimit. Kjo agjenci, prej afro një viti po mban të bllokuar paketën e masterave një vjeçar që ofrohen në universitetet publike të vendit. Ndërkohë që krejt e kundërta ka ndodhur me po të njëjtët mastera që ndiqen në universitetet private. Bëhet fjalë për rreth 50 mastera të nivelit të dytë, të cilët gjenden që prej muajit korrik të vitit të kaluar në këtë agjenci, për të cilët ekspertët e saj, megjithëse kanë plot 12 muaj që i mbajnë në zyrat e tyre nuk po i kalojnë dot në sitën e akreditimit. Në fillim të vitit akademik 2008-2009, mosmarrja e një vendimi të tillë bëri që për një vit të pezulloheshin masterat e nivelit të dytë në universitetet publike të vendit dhe që mundësia për të ndjekur master njëvjeçar të ofrohej vetëm tek privatët. Nëse një situatë e tillë do të përsëritet edhe gjatë këtij viti, masterat e nivelit të dytë, do të pezullohen për të dytin vit radhazi në universitetet publike. Deri tani, nuk dihet ende se kur do të miratohet paketa e masterave njëvjeçar. Për rrjedhojë, procedurat e aplikimit për nisjen e këtyre studimeve specializuese janë të “ngrira” në të gjitha fakultetet publike të vendit, për arsye se pritet vendimi i kësaj agjencie nëse këto programe do të akreditohen ose jo.

29 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›