E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provimi i Matematikës, ngujon në AVA 20 mësues për pyetjet

Provimi i dytë i detyruar i Maturës Shtetërore 2009, ai i Matematikës ka izoluar sërish ambientet e agjencisë së vlerësimit të arritjeve të nxënësve (AVA). Forcat e policisë janë vënë përsëri në ruajtje të kësaj godine si objekt i rëndësisë së veçantë. Shkak është bërë "ngujimi" i radhës i 20 profesorëve, këtë herë të lëndës së Matematikës. Ata do të përzgjedhin edhe pyetjet finale, që do të renditen në tezat e ndara në përputhje me profilet e shkollave të mesme të përgjithshme për të gjithë maturantët e këtij viti. Ndërkohë që nuk do të mungojnë edhe variantet e dyfishta për profilin natyror dhe atë shoqëror në gjimnaze. Fondi i pyetjeve të seleksionuara që më parë nga puna e një numri më të madh arsimtarësh të kësaj lënde do të shfrytëzohen për hartimin e tezave finale.

Drejtori i AVA-s, Alfons Harizaj, nga ana e tij, ka garantuar diskrecion maksimal lidhur me përmbajtjen e tezave të provimit, që sipas tij, nuk do të dalin nga ky institucion, deri në datën e provimit, më 11 qershor, kur edhe do të zhvillohet provimi i dytë i detyruar i Maturës Shtetërore 2009.

Sikundër edhe tezat e lëndës së Letërsisë edhe për Matematikën do të jenë në total 25 pyetje dhe mundësia maksimale e pikëve të fituara do të jetë gjithsej 50. Të konvertuara në notë ato arrijnë vlerësimin me 10. Në provimin e dytë të detyruar është parashikuar që të marrin pjesë mbi 35 mijë maturantë. Më tej ata që do të kalojnë do t‘u nënshtrohen edhe dy provimeve të lëndëve me zgjedhje që do të mbahen në datën 10 korrik në të gjithë vendin.

Menjëherë pas daljes së rezultateve të provimeve të Letërsisë dhe Matematikës, Ministria e Arsimit ka premtuar se do të shpërndajë edhe modelin e Formularit A2, ku çdo kandidat për në universitetet publike në vend do të rendisë 10 degë studimi, sipas preferencës dhe mundësive reale, që ka për të fituar. Por, dalja e këtij formulari, që nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim esencial nga ai i një viti më parë, mbetet sërish në varësi të kuotave të studimit që duhet të miratojë me një vendim të posaçëm Këshilli i Ministrave.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›