Provimi, ja detyrat e ministrave
Një libër prej mijëra faqesh, mbi të cilin goma nuk mund të fshijë asnjë rresht suksesi. Dhe në mes, një moment surprizash dhe euforie. Vetëm për pak, sa për të ndarë kufirin e shkurtër mes dy mandateve. Surprizat dhe euforia e fitores tashmë kanë marrë fund dhe qeverisë së re i duhet të shtrohet në punë. Detyrat janë të mirëcaktuara qartë për secilin nga 15 ministrat e qeverisë “Berisha 2”. Sali Berisha mundi të zhdukte pasojat e frikës dhe mjerimit që ishte i shtrirë si një batalion. Por, misioni i Berishës, sërish i mandatuar si Kryeministër i vendit, vazhdon dhe bashkë me stafin e ri qeveritar, ai është gati të ecë përpara.
Qeveria “Berisha” e vuri sërish kurorën, madje mbi një kokë të mirë. Puna e saj 4-vjeçare, një libër prej mijëra faqesh, mbi të cilin goma nuk mund të fshijë asnjë rresht suksesi. Dhe në mes, një moment surprizash dhe euforie. Vetëm për pak. Aq sa për të ndarë kufirin e shkurtër mes dy mandateve. Por, tashmë kanë marrë fund dhe qeverisë së re i duhet të shtrohet në punë. Detyrat janë të mirëcaktuara qartë për secilin nga 15 ministrat e qeverisë “Berisha 2”. Ndonjërit prej tyre i kanë rënë për pjesë punët e vështira dhe më të zotëve, pasi atyre u besohen përgjegjësitë kryesore. Rrethanat në të cilat nis qeverisja e re, janë më të favorshme se katër vite më parë, por projekti që duhet të zbatohet përgjatë mandatit të ri, është shumë më kompleks, më i vështirë sesa ato që u realizuan gjer sot. Për 4 vjet, qeveria “Berisha” u përpoq të ishte vetvetja, ndaj për shqiptarët ajo ishte dhe mbetet e veçantë. I besuan sërish më 28 qershor. Shqipëria që po ndryshon, është më njerëzore, më sociale se kurrë në historinë e saj. Por, sërish ajo është larg objektivit të qeverisë, të kohezionit dhe solidaritetit më të lartë njerëzor, shoqëror dhe kombëtar, vendit dhe shoqërisë në të cilin as dhe një qytetar nuk duhet të ndihet i përjashtuar. Përballë kësaj qeverie dhe shqiptarëve që e votuan atë për vazhdimësinë, është një opozitë që vetëm baltos, pa e kuptuar akoma se balta mund t'i përlyejë diamantet, por nuk mund t'i kthejë në baltë. Për Kryeministrin Sali Berisha, “Shqipëria Evropiane” nuk është një bulevard i shtruar, por projekti më madhor, më ambicioz, më kompleks dhe më i vështirë që Shqipëria ka ndërmarrë në tërë historinë e saj dhe që duhet të bazohet kryekëput në performancën tonë, si interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë. Shqipëria Evropiane është një ëndërr e bukur kombëtare e shqiptarëve që në rilindjen e tyre, por shndërrimi i saj në realitet është një univers i tërë reformash, ligjesh, vendimesh, veprash dhe ndryshimesh me të cilat qeveria “Berisha 2” duhet t’ua garantojë qytetarëve shqiptarë të drejtat, standardet, normat, praktikën e qytetarëve të vendeve të zhvilluara evropiane. Sukseset e mëdha janë triumf i këmbënguljes, zellit për punë, gjë të cilën Sali Berisha me stafin e vjetër e përmbushi më së miri, por një rrugë e gjatë e pret drejt vijimësisë së ndryshimit të Shqipërisë. Njeriu që deshi të bënte mirë, realizoi më të shumtat, pjesa e mbetur është një tjetër kohë 4-vjeçare. Para se Sali Berisha të kthehej në pushtet, shqiptarët kishin filluar t’i frikësoheshin jetës së keqe. Z. Berisha mundi të zhdukte pasojat e frikës dhe mjerimit që ishte shtrirë si një batalion. Por misioni i Sali Berishës, sërish i mandatuar si Kryeministër i vendit vazhdon... Ai zotëron atë që ka bërë dhe tani bashkë me stafin e ri qeveritar është gati të ecë përpara.
Për ministrin Basha, detyrat më të vështira
Atij të cilit kostumi i diplomatit i shkonte për shtat më shumë se kujtdo tjetër, Lulzim Bashës, Kryeministri Sali Berisha i ka besuar detyrat më të vështira. Dhe përgjegjësitë e mëdha u besohen më të zotëve. Dhe Basha premton për më të mirën, pasi si një ndër përparësitë më madhore të saj, qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme do të ketë sigurinë më të lartë të jetës, pronës dhe veprimtarisë së qytetarëve shqiptarë, luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, bashkëpunimin dhe partneritetin luajal në këtë fushë, në rajon dhe më gjerë. Lufta me zero tolerancë kundër krimit të organizuar, solli si rezultat çmontimin e mbi 206 grupeve dhe organizatave kriminale, rënien e treguesve të kriminalitetit nën mesataren e vendeve anëtare të BE-së, rënien e ndjeshme të trafiqeve kriminale, trafikut të njerëzve, drogës etj. Në katër vitet që vijnë, kjo luftë do të vazhdojë me vendosmërinë më të madhe. Shqipëria do të ecë drejt niveleve të ulëta të kriminalitetit në rajon dhe Evropë. Kontrolli i integruar i kufijve, sistemi i ri i identifikimit të qytetarëve janë një mbështetje e fuqishme për këtë objektiv. Shqipëria do të mbajë në fuqi moratoriumin për skafet. Lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore do të përbëjë një ndër përparësitë më madhore në kuadrin e tolerancës zero ndaj krimit të organizuar. Policia shqiptare do të pajiset me mjetet më moderne për luftën kundër të gjitha formave të krimit të organizuar. Legjislacioni ynë do të përshtatet për një luftë më efikase kundër krimit ekonomik dhe pasurive të tij, larjes së parave, hetimit të pasurive të fshehura. Ndërkohë që për lëvizjen e lirë pesha kryesore e punës bie në 5 institucione qendrore, për dy pikat e tjera të axhendës do të jenë të angazhuar absolutisht çdo institucion qendror në të gjitha nivelet, deri tek specialistët më të thjeshtë. Plotësimi i pyetësorit të KE-së do të jetë një sfidë e vërtetë për administratën shqiptare, por ne do ta kryejmë me sukses. Ministria e Integrimit Evropian, koordinatore kryesore e këtij procesi, por edhe Ministria e Jashtme dhe Ministria e Brendshme do të kenë në dispozicion të gjithë ekspertizën dhe autoritetin e nevojshëm për të kurorëzuar me sukses këto objektiva madhore brenda këtij mandati.
Meta, promovues i Shqipërisë në botë
Diplomacia shqiptare do të shndërrohet në një promovuese të fuqishme të potencialeve të Shqipërisë për investimet e huaja dhe bashkëpunimin e ekonomik ndërkombëtar të vendit. Ilir Meta, ministër i Jashtëm, është i qartë në objektivin e qeverisë se Shqipëria anëtare e NATO-s do të vazhdojë një politikë të jashtme të paqes dhe do të forcojë edhe më tej rolin tashmë të konsoliduar të saj, si një kontribuues i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Politika e jashtme e qeverisë së integrimit evropian do të vijojë të luajë rol të rëndësishëm dhe të kontribuojë në frymën e dialogut dhe mirëkuptimit në të gjithë sistemin e organizatave ndërkombëtare e rajonale ku Shqipëria aderon, duke intensifikuar prezencën dhe pjesëmarrjen më aktive në veprimtaritë ndërkombëtare. Republika e Shqipërisë do të vazhdoje të ruajë marrëdhënie shume te mira politike dypalëshe me të gjitha vendet demokratike të botës.
Bregu, ministrja që do të integrojë shqiptarët
Majlinda Bregu do të jetë firmëtarja e hyrjes së Shqipërisë në BE. Udhërrëfyesi më i shkëlqyer, modeli më efikas, synimi dhe destinacioni final e i pazëvendësueshëm i Qeverisë së Integrimit Evropian është dhe mbetet integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, më 1 prill 2009, Qeveria e Integrimit Evropian do të punojë në tri plane: Së pari, duke zbatuar në çdo nen të saj detyrimet në kuadër të dialogut politik e bashkëpunimit rajonal, perspektivës së afërt të vendosjes së zonës të tregtisë së lirë me BE-në, përafrimit të legjislacionit tonë me aquis-në, dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat e tjera që mbulon kjo marrëveshje dhe së dyti, duke u përqendruar në mirëfunksionimin e mekanizmave të dialogut të ndërsjellë që monitorojnë zbatimin e MSA-së, si Këshilli i Stabilizim-Asociimit, Komiteti i Stabilizim-Asociimit, dhe nënkomitetet dhe duke monitoruar shkallën e zbatimit të MSA përmes përditësimit të vazhdueshëm të Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA (PKZMSA) dhe së fundmi, përmes forcimit të bashkëpunimit të hapur dhe të plotë me Këshillin, Komisionin, Parlamentin Evropian dhe të gjitha institucionet e tjera të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e tij anëtare të BE-së, për një Shqipëri që ndryshon çdo ditë dhe që po evropianizohet në çdo qelizë.
Nishani, konsoliduesi i drejtësisë shqiptare
Ministri i ri i Drejtësisë, Bujar Nishani, gjen mbi tryezën e zyrës së re, një program të ngjeshur pune që nis me respektimin dhe konsolidimin e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve, pavarësisë së sistemit gjyqësor në të gjitha nivelet, përmirësimi rrënjësor i kushteve të veprimtarisë së këtij sistemi, transparenca e vendimeve gjyqësore, ekzekutimi me vendosmëri i vendimeve të gjykatave, përcaktimi më i qartë i kompetencave midis Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, transparenca e sistemit të emërimeve dhe kontrollit të gjykatësve, do të jenë objektivat kryesore të punës sonë. Riorganizimi i sistemit të akuzës, përgjegjshmëria para ligjit dhe lufta kundër korrupsionit do jenë përparësitë tona. Ne angazhohemi për një rishqyrtim tërësor të legjislacionit të vendit, kodeve, ligjeve dhe procedurave ligjore, për t’i përshtatur ato me standardet evropiane.
Bode, ta njohësh financën deri në detaje
Ridvan Bode, sërish në krye të Financave do të jetë zbatuesi i projektit të Shqipërisë Evropiane e cila ka si kusht themelor ekonominë funksionale të tregut të lirë, kompetitivitetin e saj, rritjen e shpejtë ekonomike, zhvillimin e qëndrueshëm dhe të pandërprerë të vendit. Asgjë nuk përcakton më shumë dhe më qartë ritmet e integrimit të vendit tone në BE, sesa rritja e shpejtë ekonomike, zhvillimi i qëndrueshëm, i pandërprerë i tij. Për të garantuar kompetitivitetin më të lartë, do të ndërmerren reformat e thella administrative, fiskale dhe gjyqësore. Reformës së thellë do t’i nënshtrohet sistemi i të gjitha inspektorateve të vendit, me objektivin e rritjes së eficencës dhe zvogëlimit të barrës së tyre mbi bizneset. Regjistrimi i biznesit, pagesa e taksave dhe bilancet do të jenë online. Do konsolidohen One Stop Shop për licencat dhe lejet edhe për energjetikën dhe do të ndërtohet One Stop Shop për minierat.
Olldashi, ndërtuesi i infrastrukturës moderne
Sokol Olldashi njeh më shumë se kushdo tjetër suksesin e arritjes së një infrastrukture moderne në çdo cep të Shqipërisë. Por, projekti i rrugëve moderne vazhdon dhe Olldashi ka gati energjitë e reja për vijimësinë e projekteve madhore si rruga Dhërmi-Sarandë, e cila do të mbetet edhe kjo si rruga më panoramike e vendit. Por, të një rëndësie të veçantë janë dhe do të mbeten autostrada Lushnjë-Fier, Korçë – Qafë-Plloçë, Ura e Çerenecit-Bulqizë, Gjirokastër-Tepelenë, Vorë - Fushë-Krujë etj., etj. Gjatë këtij katërvjeçari, janë për t’u ndërtuar edhe rreth 7 mijë km autostradë, rrugë kombëtare, rurale, dytësore në fshatrat dhe qytete e vendit. Dyfishimin e lidhjeve ndërkombëtare tokësore me Kosovën, Greqinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Ndërtimin e Portit të Vlorës, si ndër portet më të mëdha të Mesdheut për kontejnerë, si dhe ndërtime të tjera portuale. Ndërtimi i një aeroporti të ri në jugun e Shqipërisë; lidhjen hekurudhore me Maqedoninë dhe hartimi i projektit për lidhje hekurudhore me Kosovën. Rruga e Arbrit, Levan-Vlorë, Levan-Tepelenë, Tiranë-Elbasan, Qafë-Plloçë - Qukës, Boshti i Jugut në trajektoren Elbasan-Belsh, Kuçovë-Berat, Kardhiq-Delvinë, Konispol-Sarandë, Fushë-Krujë - Ura e Limuthit, si dhe shndërrimi në katër korsi i autostradës Shkodër-Vlorë etj.
Vasili, të kujdesesh për shëndetin e shqiptarëve
Petrit Vasili do të jetë qeveritari përgjegjës për shëndetin e shqiptarëve. Qytetarët shqiptarë do të mund të ndihen qytetarë evropianë, vetëm e vetëm kur kujdesi për shëndetin e tyre, parandalimi dhe trajtimi i sëmundjeve të jetë i standardeve evropiane. Ndaj edhe reformat në sistemin e shëndetësisë do të jenë edhe reformat e para dhe më të rëndësishme të qeverisë sonë.
Për këtë qëllim, në katër vitet që vijnë zhvillimi i shëndetit, edukimi shëndetësor dhe parandalimi i sëmundjeve do të jenë drejtime themelore të sistemit tonë shëndetësor; do të rrisim me 60% buxhetin për shëndetësinë; do të reformohet tërësisht sistemi i menaxhimit dhe financimit të shërbimit shëndetësor; do të vendosim praktikat më të sigurta të luftës kundër korrupsionit në këtë sistem; do të vazhdojmë rritjen e madhe të rrogave dhe pensioneve të mjekëve dhe infermierëve, duke parakaluar gjashtë vende anëtare të BE; do të hiqet TVSH për mallrat dhe shërbimet shëndetësore në sektorin privat etj.
Prifti, ministri i superfuqisë energjitike
Dritan Priftit, ministrit të ri të Ekonomisë, i ka rënë për pjesë të drejtojë këtë dikaster i cili merr përsipër një objektiv madhor, atë të Shqipërisë superfuqi e vogël energjitike në rajon. Prandaj dhe Qeveria e Integrimit Evropian do të bëjë çdo përpjekje, do të shfrytëzojë të gjitha burimet energjitike, nga ato eolike, ujore, tek nafta, qymyret dhe burimet nukleare që ky vend, me një pozicion strategjik gjeografik, të shndërrohet, duke ruajtur standardet më të larta mjedisore, në një vend kryesor prodhimi dhe eksporti energjie në rajon. Deri tani janë licencuar rreth katër mije megavat hidrocentrale, termocentrale me biomas dhe eolike, që kapin një investim prej rreth 5 miliard euro, ndër të cilat kaskadën e Devollit, projektin më të madh energjetik ujor në Evropë, por janë gati për t’u paraqitur në treg kaskada të Vjosës, Osumit, Shkumbinit, Matit, Skavicës, degëve të Drinit dhe parqe të mëdha eolike të Lezhës, Karaburunit, parqet energjitike të Porto Romanos, Lezhës, etj.
Ksera, si do t’i punësojë 160 mijë shqiptarë
Spiro Ksera e gjen Ministrinë e Punës dhe Shanseve të Barabarta me një projekt voluminoz, i cili duhet konkretizuar brenda 4 viteve të ardhshme. Qeveria është e vendosur të konsolidojë në Shqipëri standardet evropiane të shtetit social. Lufta kundër varfërisë në zonat verilindore dhe juglindore të vendit do të përbëjë përparësinë madhore të qeverisë së re. Brenda viti 2013, çdo qytetar shqiptar të ketë ndihmë ekonomike mbi dy dollarë në ditë dhe pensionet e fshatit të barazohen me pensionet e qytetit. Sirenat e mjerimit nuk do të ulërijnë më në vatrat e familjeve të Shqipërisë Evropiane. Familjet dhe individët në nevojë, që për arsye të vërtetuara janë në pamundësi të dalin nga mjerimi, do të gëzojnë të gjithë ndihmën ekonomike të nevojshme që të ushqehen, vishen dhe gëzojnë të gjitha shërbimet, kujdesin shëndetësor, sigurimet shëndetësore dhe shoqërore, arsimimin e fëmijëve, njëlloj si të tjerët. Qeveria ka premtuar se do të krijojë rreth 160 mijë vende pune.
Tafaj, profesori që do të kujdeset për arsimin
Ministrit Myqerem Tafajt i duhet të përmbushë reformën e thellë në sistemin arsimor në vend. Brenda këtij mandati, buxheti për arsimin, nga sektori publik dhe privat, të arrijë në 7% të PBB-së. Qeveria premton luftë me zero tolerancë analfabetizmit me programe të veçanta; sistemi i arsimit parashkollor të modernizohet dhe shtrihet në çdo skaj të vendit; reformë e thellë tërësore e kurrikulave të arsimit, të të gjitha cikleve, përshtatje maksimale me kërkesat e tregut; parimi ynë do të jetë: çdo fëmijë që mbaron klasën e nëntë, të ketë kushte për të ndjekur shkollën e mesme, çdo i ri që mbaron shkollën e mesme të ketë të hapur dyert e universiteteve. Rekrutimi i nxënësve nga shkollat e mesme në universitete të kalojë mbi mesataren e vendeve anëtare të BE-së; të rritet, së paku edhe me 10%, numri i nxënësve që ndjekin shkollat profesionale; numri i studentëve të rritet në 150 mijë, pra mbi mesataren e vendeve të BE-së; të dyfishohet numri i studentëve nga zonat verilindore dhe juglindore të vendit, duke ofruar cikël parapërgatitor për universitet.
Xhaferri, të dimensionosh kulturën dhe sportin
Kultura, Turizmi, Rinia dhe Sportet për 4 vitet e ardhshme i përkasin ministrit Ferdinand Xhaferri. Nën drejtimin e tij, institucionet tona kulturore dhe artistike do të kenë të gjitha burimet e nevojshme për krijimet e tyre, statusi i punonjësve të institucioneve kulturore kombëtare, Teatri i Operas dhe Baletit, Teatri Kombëtar do të njohin përmirësime të ndjeshme, do të mbështeten veprimtaritë e tyre kombëtare dhe ndërkombëtare. Një rëndësi të veçantë do të ketë trajtimi, mbrojtja e trashëgimisë kulturore. Shqipëria është një nga vendet me pasuri të mëdha arkeologjike, etnografike. Këto katër vite, do të ketë një riorganizim të ri të rajoneve arkeologjike, me të cilin synojmë të shumëfishojmë fondet, përpjekjet dhe burimet dhe të rrisim ndjeshëm financimet për konservimin dhe zbulimin e pasurive të mëdha gjatë viteve që vijnë. Rinia dhe potencialet e saj do të jenë një tjetër përparësi e qeverisë së re.
Ruli, të ndërtosh fshatin evropian
Ministri i ri i Bujqësisë, Genc Ruli, e ka të qartë se Shqipëria Evropiane mund të ndërtohet vetëm duke bërë fshatin shqiptar evropian. Kjo do të thotë që fermerët shqiptarë duhet të kenë kushte jetësore dhe punë, rrugë, shkolla, qendra shëndetësore, furnizim me ujë, kanalizime, mbështetje të gjithanshme për prodhimet e tyre, si dhe pensione të standardeve të vendeve evropiane. Në katër vitet që shkuan, në infrastrukturën e zonave rurale të vendit, prodhimi bujqësor dhe agrobiznesin, u investuan rreth 1.6 miliard dollarë. Gjatë mandatit të dytë, qeveria do të bëjë çdo përpjekje për të trefishuar investimet për infrastrukturën, nxitjen e prodhimit bujqësor dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural të vendit. Do të ndërtohen, rindërtohen në zonat rurale, komunat dhe fshatrat e vendit, mbi 6 mijë km rrugë kombëtare rurale dytësore. Do të garantohet 24 orë ujë të pijshëm dhe do të ndërtohen sistemet e kanalizimit në mbarë fshatrat e Shqipërisë, shërbime cilësore në fshatrat e vendit.
Imami dhe përforcimi i mbrojtjes shqiptare
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, merr drejtimin e këtij dikasteri në kushte mjaft komode. Shqipëria, anëtare e NATO-s do të ketë në fund të vitit 2010 një ushtri tërësisht profesioniste, të ndërtuar mbi bazën e doktrinave dhe organizimit të forcave të armatosura të vendeve të NATO-s, e përgatitur dhe e aftë të realizojë misionin e saj kushtetues si edhe të marrë pjesë me dinjitet dhe kryejë me sukses çdo mision të aleancës. Përmirësimi i kapaciteteve të bazave moderne ushtarake të përzgjedhura si pikat më të përshtatshme e strategjike për dislokimin e forcave të armatosura do të shoqërohet me reduktimin e kapaciteteve të tepërta që prodhojnë kosto apo paraqesin rrezikshmëri, si reduktimin e depove të municioneve dhe shkatërrimin e një sasie prej 85.000 tonësh municionesh të vjetruara e të rrezikshme për sigurinë e qytetarëve deri në vitin 2013.
Mediu, standarde edhe për mjedisin
Mjedisi është jeta, ndaj dhe ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, ka vendosmërinë e duhur për konsolidimin e standardeve evropiane edhe në këtë fushë. Shqipëria që mban vendin e 25 në botë për pastërtinë e mjedisit, duhet të ndërmarrë të gjitha reformat, vendimet për të mbrojtur dhe avancuar këtë pozicion. Investimet për mbrojtjen nga ndotjet e ajrit, ujit dhe mjedisit, në tërësi do të dyfishohen. Kështu, për mbrojtjen dhe ruajtjen e pastërtisë së ajrit, në përputhje me standardet evropiane, duke filluar nga 1 janari i vitit 2010, do të ndalohet tërësisht përdorimi i naftës D2, e cila shkarkonte në ajrin e vendit rreth 7500 tonë squfur në vit. Të gjitha industrive emetuese do t’u imponohet me ligj respektimi i këtyre standardeve.