E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohen 14 drejtori, që do t’u përgjigjen pyetjeve të KE-së

19/09/2009  Kryeministri mbledh Komisionin Ndërministror për Integrimin

Çdo ministri një drejtori enkas për çështjet e integrimit

Është mbledhur dje nën drejtimin e Kryeministrit Komiteti Ndërministror për Integrimin, gjatë të cilës është miratuar struktura që do të funksionojë pranë çdo ministrie. Janë 14 drejtori që do të ngrihen për t’i dhënë përgjigje pyetësorit të KE-së, i cili është një dokument që ka si qëllim vëzhgimin e punës së bërë për reformat dhe detyrimet që lindin në bazë të MSA-së. Gjithsej do të jenë 14 drejtori, me specialistët përkatës, të cilët do të koordinojnë punën dhe në bazë të të dhënave që do të marrin nga dikasteret e tyre do të plotësojnë pjesën e tyre të pyetjeve që ka dërguar Komisioni Evropian për këtë qëllim. Kryeministri Berisha nga ana e tij gjatë mbledhjes nënvizoi se integrimi evropian i vendit është një objektiv madhor dhe se procesi i përgatitjes së pyetësorit të Komisionit Evropian të jetë në krye të axhendës së qeverisë dhe kërkoi një angazhim maksimal nga ministritë dhe të gjitha hallkat që do të merren me këtë proces mjaft të rëndësishëm. Zyrat do të ngrihen pranë çdo ministrie dhe numri i punonjësve do të jetë në varësi të volumit të punës dhe sasisë së pyetjeve që ka si dikaster. Kështu, për shembull, numrin më të lartë të specialistëve do ta ketë Sektori i Integrimit Euroatlantik pranë Ministrisë së Mbrojtjes, i cili do të ketë 6 specialistë.

Tematikat që do të mbulojnë drejtoritë përkatëse kanë të bëjnë me ata sektorë të ekonomisë që kanë përparësi për përmbushjen e detyrimeve të MSA-së. Për këtë qëllim ministritë do të koordinojnë punën me njëra-tjetrën. Për shembull, në lidhje me pyetjet që kanë të bëjnë me tregtinë, industrinë, doganat dhe tatimet, bashkëpunimi do të jetë midis zyrës së Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë, që do të mbledhin të dhënat nga drejtoritë që kanë në varësi. Kur pyetjet kanë të bëjnë me bujqësinë dhe peshkimin, atëherë do të koordinohet puna mes Ministrisë së Bujqësisë dhe asaj të Mjedisit. Gjithsesi, jashtë vëmendjes nuk do të lihen dhe institucionet kushtetuese. Për shembull, kur çështja ka të bëjë me arritjet në luftën kundër krimit apo të drejtat e njeriut, atëherë duhet bashkëpunimi i prokurorisë apo Avokatit të Popullit. Koordinatorja kryesore do të jetë Ministria e Integrimit, e cila në fund do të bëjë dhe vlerësimin për secilën ministri, ku nota 1 përkthehet “shumë mirë” dhe nota 3 “shumë keq”. Kryeministri ka kërkuar që objektivat të plotësohen me përparësi, pasi Shqipëria pret që në mes të tetorit të diskutohet për çështjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Deri tani vendi i kandidatit nuk i është mohuar askujt, por nga kandidimi deri në anëtarësimin është një rrugë e gjatë, ku pikësëpari Shqipëria duhet të tregojë arritjet dhe përmirësimet në të gjithë sektorët që preken nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, si pika të detyrueshme për t’u plotësuar në rrugën e integrimit.

Mbledhja e Komitetit

Gjatë mbledhjes së djeshme u diskutua mbi fazat e këtij procesi, duke u ndalur veçanërisht në krijimin e strukturave menaxhuese dhe koordinuese në nivel të qeverisjes qendrore, krijimi i grupeve të punës dhe ekipeve brenda institucioneve të përfshira në proces, si dhe u vu theksi në rëndësinë e krijimit dhe organizimit të një grupi ekspertësh të pavarur, të përzgjedhur me kujdes dhe të trajnuar, që do të mbikëqyrin procesin. Ky grup ekspertësh do të ketë tagrin e kontrollit dhe do të mbikëqyrë hap pas hapi të 14 drejtoritë që përfshihen në proces.

Varësia e çdo drejtorie

Çdo drejtori do të varet nga ministria e linjës, por ministria do të dërgojë të dhëna periodike pranë Ministrisë së Integrimit, që është dhe koordinatori i procesit. Grupet e punës që do të mbikëqyrin procesin dhe që varen nga Ministria e Integrimit, do të jenë gjithsej 20 dhe në përbërje të tyre do të kenë specialistë nga Ministria e Financave, INSTAT-i etj., që do të merren me përpunimin e të dhënave jo vetëm nga dikasteret që do të ngrënë drejtoritë sipas ministrive të linjës, por edhe me ato që do të vijnë nga institucionet direkte, si tatime, dogana, prokurori, gjykata etj.

Përgjigjet e detajuara të pyetjeve

Përgjigjet për çdo pyetje duhet të jenë të detajuara. Ato duhet të përmbajnë ndryshimet që i janë bërë ligjit, në cilën Fletore zyrtare është botuar, arsyet pse është bërë ndryshim si dhe efektet që ka dhënë apo pritet të japë. Pra, është një punë voluminoze, pasi duhet përgjigje për pyetje të cilat janë vendosur në mbi 800 faqet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, të pranuar para katër vjetësh nga BE-ja dhe e miratuar në parlamentet e vendeve anëtare të saj. Marrëveshja në tërësi përmban kushte që duhen zbatuar nga çdo vend aspirant për në BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›