E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, Strategji për administratën publike në katër vjet

19/09/2009  Kryeministri kërkon shtimin e punonjësve që kanë statusin e nëpunësit civil

Qeveria shqiptare ka vendosur të rrisë mbrojtjen ligjore të administratës, duke vendosur kufij në shkarkimin për shkaqe politike apo pa kritere të mirëpërcaktuara. Në mbledhjen e zhvilluar dje Kryeministri Berisha e konsideroi administratën publike shtyllën kryesore në realizimin e reformave, roli i së cilës në procesin e integrimit europian bëhet gjithnjë e më i madh. Ai e vlerësoi këtë strategji të një rëndësie të veçantë. “Administrata është një pasuri e madhe e vendit dhe e kombit, roli i së cilës bëhet gjithnjë më i madh e më i vështirë. Ne ecim drejt integrimit dhe e theksoj edhe një herë se procesi i integrimit është procesi i negociatave më intensive në historinë e vendit. Janë me qindra e me mijëra problematikat që do të negociohen me Komisionin Europian, me vendet anëtare gjatë viteve që vijnë. Shpresojmë se së shpejti ne do të marrim pyetësorin, i cili përbën dokumentin kryesor mbi bazën e të cilit do të vlerësohet performaca e kësaj administrate dhe e kësaj qeveria. E vërteta është se asgjë nuk i përcakton më shumë ritmet e integrimit europian sesa administrata e vendit, aftësia dhe fuqia reformuese e saj”, - tha Berisha.

Kryeministri Berisha tha se qeveria do të bëjë përpjekje të mëdha për zhvillimin më tej të administratës publike në katër vjetët e ardhshëm dhe në këtë kontekst strategjia synon të zgjerojë e konsolidojë korpusin e punonjësve të shërbimit civil. “Administrata e ka jetike zgjerimin dhe konsolidimin Shërbimit Civil, si shërbimi më kompetent, me ekspertizën më të lartë dhe më i pandikuar nga vajtje-ardhjet politike në pushtet”, - u shpreh Kryeministri, duke nënvizuar se “asgjë nuk i përcakton më shumë ritmet e integrimit europian sesa aftësia dhe fuqia reformuese e administratës”.

Për kryeministrin ky shërbim ka bërë progresin e vet, është zgjeruar, por nuk duhet të harrojmë se Shërbimi Civil nuk është produkt i një evolucioni të gjatë, por produkt i një vendimi dhe ligji të kaluar për t’u sanksionuar si i tillë, dhe kjo për faktin e vetëm se nuk kishte alternativë tjetër, çka e bën të domosdoshëm trajnimin dhe kualifikimin e vazhdueshëm të kësaj administrate në interesin më të mirë të vendit. “Mund të shqyrtohet edhe ligji, sepse në rastin e agjencive ato nuk janë në këtë shërbim, pasi ligji atribuon administratën e ministrive dhe të qeverive vendore. Shërbimi Civil duhet të shtrihet edhe në komunat e vendit”, - tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›