E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatëpjeta e gjatë e Ramës në PS



Më i gjati dhe më i riu në Partinë Socialiste të 2003-shit, Edi Rama zgjodhi të ishte thuajse vetëm kundër të gjithëve, duke kërkuar legalizim të mendimit ndryshe në partinë në të cilën e futi Fatos Nano, duke e rikthyer nga Parisi ku prej vitesh jetonte si artist bohem dhe duke e çuar drejt e në karrigen e ministrit të Kulturës. Në atë kohë ai vendosi të bënte një hap që ndoshta s’e kish menduar më parë në jetën e tij, duke marrë teserën si anëtari më i ri i Partisë Socialiste, pasi ishte votuar nën siglën e saj në krye të Bashkisë së Tiranës. Nuk dukej aspak një vendim i nxitur nga ndërgjegjja politike, por një domosdoshmëri procedurale, pasi i duhej kartoni i anëtarit për të ecur drejt ambicies së madhe, që dukej krejt e parealizueshme në atë kohë, për t’u bërë kryetar i PS-së. Atëherë Rama ishte ylli në ngjitje në këtë parti, anëtarësia që zakonisht ecën në ritmin e shumicës e shihte me skepticizëm, me indiferencë, ndonjëherë dhe me tallje. Atij i mbyllën dyert në disa konferenca degësh, duke e lënë jashtë diskutimeve të partisë. Por ai nuk u tut, dukej krejt i vendosur për të hapur dyert që i mbylleshin në PS.

Në vitin 2003 Rama nuk u pozicionua në krah të Ilir Metës dhe pse kritikoi ashpër më vonë Fatos Nanon si përgjegjës për largimin e tij nga partia. Ai zgjodhi të luajë vetëm dhe guxoi t’i shpaloste bazës radikale të PS-së platformën e tij për një parti ndryshe. Për herë të parë, ai kërkoi legalizim të mendimit ndryshe në parti, duke e sanksionuar në statut. Ai kërkoi një parti më liberale, pa penalizime politike dhe demokracinë e drejtpërdrejtë një anëtar-një votë në vendimmarrje. Askush nuk ia vuri veshin atëherë Edi Ramës, ndërsa ai fitoi pikë në sytë e opinionit publik dhe lëkundi skeptikët socialistë, pikë të cilat dy vjet më vonë do t’i shumëzoheshin në votat e delegatëve të lëkundur e të paorientuar, që e bënë kryetarin e dytë të Partisë Socialiste. Por, edhe ata që besuan tek dritat që shkëlqenin rreth tij u zhgënjyen pak nga pak në vitet në vazhdim, kur në praktikë Edi Rama filloi të humbte kredibilitetin e tezave të tij, një herë duke përçarë të majtën, krejt ndryshe nga ç’kish premtuar e më tej duke bunkerizuar partinë dhe duke përjashtuar ata që guxonin të dilnin kundër tij.

Nga mbrojta e mendimit ndryshe, tek mbyllja e dyerve...

Nëse ka një togfjalësh me të cilin kujtohet Rama i vitit 2003, është “mendimi ndryshe”. Atëherë ai ishte në anën e të dobëtëve, në anën e pakicës dhe kërkonte që zëri ndryshe të dëgjohej, të respektohej, madje të sanksionohej në statut. Në vitin 2005, kur mori në dorë frenat e partisë, ai sërish e premtoi këtë reformim, që nëse do të ndodhte, do të ishte një reformë e vërtetë dhe e veçantë në llojin e saj në partitë politike shqiptare. Por ku nisi t’i shihte gjërat me sytë e kryetarit, e kuptoi shpejt se mendimi ndryshe nuk i “duhej” partisë ose më saktë nuk i duhej atij. Filluan ta bezdisnin ca deklarata të Ben Blushit apo të Pandeli Majkos që flisnin akoma në kokën e tyre dhe nuk pranonin të bëheshin partizanë të kryetarit të ri. Dy vjet pasi erdhi në selisë rozë, e cila priste reforma të mëdha prej tij, Rama bëri një nga kthesat më të mëdha të tij dhe rrëzoi vetveten dhe atë tezë që kishte mbrojtur me aq forcë e besim. Gjithkush në PS e kujton kongresin famëkeq të vitit 2007, ku iu vu një herë e mirë dryni mendimeve ndryshe në një reformë statutore të iniciuar nga Rama. Rezoluta, e lexuar nga Petro Koçi dhe e mbështetur nga një shumicë deputetësh dhe anëtarë të forumeve, e cila në themel kërkonte legalizim të mendimit ndryshe, u rrëzua. Ndërkohë më 20 tetor 2005 ai kishte premtuar se do të krijonte klimën e përshtatshme për ta bërë realitet një gjë të tillë. Citojmë nga fjalimi i mbajtur në kongresin tetorit 2005: “Të ishte për mua e për vullnetin tim personal, besnik siç jam i filozofisë së ndryshimit të vazhdueshëm e me ritme gjithnjë të përshpejtuara, nuk do të kisha ngurruar ta filloja menjëherë jetësimin e fraksioneve... Por udhëheqja aktuale e partisë e vlerësoi të pamundur jetësimin e menjëhershëm të fraksioneve, duke gjykuar se dalja qysh sot në anëtarësi me lista të përcaktuara nga kandidatët për kryetar partie do të përbënte një volum të patretshëm risie për organizmin aktual të partisë. ... Falë jetësimit të parimit një anëtar-një votë, nuk ka pse dhe nuk do të përsëritet thagma e asgjësimit të pakicës apo pakicave, por përkundrazi, do të krijohet klima e përshtatshme për të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga shumica”. Dy vjet më vonë, jo vetëm nuk u krijua klima, por ata që kërkuan këtë gjë nuk gjetën klimë as të qëndronin më në këtë parti. Ky do të ishte rrëzimi i parë i tij në sytë e vetvetes dhe të vëzhguesve të vëmendshëm të politikës, pse jo dhe të atyre që e besuan pikërisht për këtë gjë. Që nga ai kongres, i cili do të sillte dhe largimin e Petro Koçit nga partia, Rama do të drejtonte pothuajse i qetë partinë deri në zgjedhjet e fundit, duke mbytur çdo zë kundër. Sot ai është në shumicë, ka përballë “mendimin ndryshe”, pakicën e disa deputetëve dhe anëtarëve të kryesisë që janë kritikë ndaj tij dhe mënyrës se si po e drejton partinë. Kundërshtarëve të tyre u mbylli derën në kongres, duke mos u dhënë mundësinë të ballafaqoheshin. Platforma e tyre për ndryshimet statutore u rrëzua për 4 minuta, pa u diskutuar, pa u votuar. Më tej, në mënyrë arrogante falënderoi disa anëtarë të LSI-së, kundërshtarë të Metës dhe nuk përmendi kolegët e tij që i ndenjën krah në fushatë, punuan për të fituar. Në këtë mënyrë, kundërshtarëve të tij të pakët në numër nuk u krijoi hapësirën që të ndiheshin të barabartë në një garë të re për të marrë partinë, garë që ashtu siç parashikoi kandidati i tërhequr, Arben Malaj, çdo ditë e më shumë po bëhet një farsë e vërtetë.

Morali i kryetarit ose mohimi i vetvetes

Nëse ka një pikë që e rrëzon Edi Ramën keq, nuk është vetëm mungesa e koherencës në atë që thotë e atë që bën, por konflikti e deri mohimi i vetvetes. Në vitin 2005, kur Nano akoma s’kishte marrë vendimin të largohej nga PS pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare, Edi Rama thoshte: “Nuk ka një nen në statut, por nuk ka për fat të keq as edhe ndonjë precedent në kulturën tonë të mjerë demokratike, që ta detyrojë automatikisht zotin Nano të japë dorëheqjen... Është tërësisht në dorën e tij ta krijojë ose jo këtë precedent, duke u sjellë si udhëheqës i emancipuar e i vetëdijshëm për përgjegjësinë e tij ekskluzive - jo thjesht në raport me humbjen, por, edhe më e rëndësishme ndoshta, në raport me të nesërmen e kësaj force që ka udhëhequr 15 vjet e për hir të së cilës duhet të ndahet nga kjo detyrë me vështrimin përpara, jo mbrapa...”. Por në vitin 2009, dhe pse me një nen në statut që e detyronte të ikte në rast të humbjes së zgjedhjeve, ai vendosi të qëndrojë me moralin... që sigurisht nuk mund të jetë morali i një udhëheqësi të emancipuar e të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tij ekskluzive. Një nga socialistët më të vjetër në PS, aktualisht pozicionuar kundër Ramës, do ta komentonte këtë veprim si një amoralitet politik. “Rama fatkeqësisht nuk rezulton në nivelin e Nanos as në logjikë, as në moral, as në inteligjencë dhe as në guxim, ose së paku në një prej tyre. Vetë Rama, që e ka vlerësuar negativisht Nanon gjatë këtyre katër viteve, vetëm me qëndrimin e tij po e amniston plotësisht atë. Nëse do të vepronte si Nano, mund të kishte edhe një shans tjetër, përndryshe në zinxhirin e humbjeve që e presin do t’i shuhen edhe meritat e sukseset e deritanishme, dhe do t’i preket rëndë morali e dinjiteti shumë i rëndësishëm për të ringritur një projekt të ri... qoftë edhe për individin e tij, i cili në shumë aspekte duhet vlerësuar”, - thotë Islami.

Nga aleancat e forta... tek vetmia politike

Edi Rama do të ishte i vetmi ndoshta në radhët e PS-së, që para zgjedhjeve të vitit 2005 do të parashikonte humbjen për shkak të përçarjes, pasi LSI hynte e vetme në zgjedhje. Ai do të ishte i pari pas humbjes së 3 korrikut që do të fajësonte pikërisht Fatos Nanon pse nuk e bashkoi të majtën, pse nuk bëri aleancë me Ilir Metën, duke çuar kësisoj në humbjen e sigurt. Në linjën e kësaj logjike, Rama do të bashkëpunonte fortë dhe ngushtë me Metën në zgjedhjet lokale të vitit 2007, ku arriti një sukses në krahasim me zgjedhjet e mëparshme. Rama-Meta, çifti i rikthyer i së majtës, dukeshin të palëkundur deri në momentin kur Rama vendosi që me çdo mënyrë e çdo kusht ta shfaroste LSI-në nga skena politike. Nuk do bashkëpunonte me të për reformën zgjedhore, përkundrazi do të punonte hapur kundër saj, duke vënë veton në këtë reformë në një sërë pikash që rrëzonin LSI-në. U ndryshua Kushtetuta, iu hoq anëtari i KQZ-së dhe anëtarët në komisionet zonale të LSI-së, u ndryshua sistemi zgjedhor duke i dhënë pak hapësirë për frymëmarrje një partie që do të konkurronte e vetme pa koalicion. Nuk u tund kur miqtë e tij të dikurshëm të LSI-së ndërmorën aktin e paprecedentë në një grevë urie në sallën e Parlamentit, moment që lëkundi Kryeministrin Berisha, i cili u tregua i gatshëm për rishikim të reformës zgjedhore, por PS heshti. Tashmë në 2009-ën, Rama ra në grackën që krijoi vetë, duke i humbur zgjedhjet edhe për shkak se nuk bashkëpunoi me Ilir Metën. Ai nuk diti të ndryshojë dhe as të realizojë ato që premtoi, por vazhdon të mbajë me dhëmbë karrigen e kryetarit dhe duke krijuar takime në Pezë me aleatë që mbetën jashtë Parlamentit apo me rebelët e LSI-së. Fjalët për konfederata të majta duket se nuk i shkojnë për shtat pas humbjes të së majtës së përçarë... të cilën s’bëri asnjë përpjekje ta bashkonte para zgjedhjeve.

“Shikomëni në sy dhe mos iu trembni ndryshimit! Forca për të ndryshuar dallon burrat nga burracakët, njerëzit e lirë nga shërbëtorët e ndrojtur”. Kështu do të thoshte Edi Rama para delegatëve të kongresit të famshëm të vitit 2005, por duket se pas 4 vjetësh ai nuk ka guxim të shohë veten në sy.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›