E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Problemet mes etnive zgjidhen me dialog

19/09/2009  Ky katërvjeçar duhet të shënojë një lëvizje të fuqishme, një përpjekje të madhe të kësaj qeverie për zhvillimin dhe konsolidimin më tej të administratës publike. Po ashtu do të jepen gradimet, siç i kanë edhe vendet e tjera, si: zyrtar i lartë civil. Ai që me përpjekjet dhe performancën e tij merr këtë nivel e fiton kur dëshmon se është i aftë të jetë sekretar i përgjithshëm jo në një ministri, por në secilën ministri ku mund t’i ngarkohet detyra, ai që ka arritur atë stad formimi dhe pjekurie.

Presidenti Topi vlerëson marrëdhëniet mes fqinjëve dhe bashkëpunimin ekonomik për shmangien e krizës

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka nisur në Malin e Zi një sërë takimesh me krerët më të lartë të këtij vendi. Ndërsa dje ka zhvilluar bisedime dhe me përfaqësuesit e partive politike shqiptare në këtë vend. Në këto takime Presidenti ka theksuar zgjidhjen e problemeve vetëm më dialog demokratik, si dhe ka shprehur besimin se “nëse bashkëpunohet mes forcave politike, do të jetë edhe më e lehtë të gjenden zgjidhje të kënaqshme”. Në këto takime ai ka përfituar nga rasti t’i cilësojë zgjedhjet në Shqipëri të suksesshme.

Minoriteti

Kryetari i shtetit shprehu bindjen se pakica shqiptare në Mal të Zi, nëpërmjet institucioneve, përfaqësuesve të saj në parlament dhe organeve të zgjedhura të pushtetit vendor, ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë luajale në kërkesat e saj në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e vendit dhe me Konventën e Këshillit të Evropës për Minoritetet. “Në këtë kuadër, mendojmë se disa kërkesa administrative, kulturore, arsimore, infrastrukturore ose të funksionimit të pushtetit vendor do të zgjidhen me dialog demokratik”, - tha Presidenti Topi.

Gjatë bisedave me përfaqësuesit e mësipërm politikë, parlamentarë dhe të pushtetit lokal Presidenti Topi konstatoi se shumë nga problemet e ngritura janë të përbashkëta, dhe kjo është arsye e fortë për gjetjen e një gjuhe të përbashkët mes tyre, pasi “nëse bashkëpunohet mes forcave politike, do të jetë edhe më e lehtë të gjenden zgjidhje të kënaqshme”, - vuri në dukje kreu i shtetit shqiptar. Në këtë kontekst, Presidenti Topi nënvizoi se shfrytëzimi i të gjitha hapësirave që ofron legjislacioni i vendit për arritjen e qëllimeve në interes të shqiptarëve në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit, si dhe ndërmarrja e iniciativave të përbashkëta në parlamentin malazez për çështje të caktuara që preokupojnë komunitetin shqiptar, janë të rëndësishme.

Vetë shqiptarët e Malit të Zi vlerësuan rolin dhe influencën e Presidentit Topi, duke shtruar e diskutuar me të edhe shumë çështje që shqetësojnë bashkëkombësit tanë në shtetin fqinj, si çështja e arsimit në shqip, rritja e numrit të studentëve, zbatimi i procesit të decentralizimit të pushtetit vendor, përfaqësimi i shqiptarëve në parlament dhe respektimi i të drejtave të tyre sipas kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

Bisedimet

Në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Malin e Zi, presidenti Topi dhe delegacioni që e shoqëron u prit nga kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç. Bashkëbiseduesit në takim vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe shprehën dëshirën dhe angazhimin e plotë për intensifikimin e mëtejshëm të tyre bazuar në parime e standarde të fqinjësisë së mirë e të integrimit evropian, si dhe për të çuar në nivel më të lartë marrëdhëniet e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Në këtë kontekst, Topi vuri në dukje se edhe kjo vizitë zyrtare është një tregues i rëndësishëm i vullnetit të mirë politik nga të dyja palët për të mundësuar krijimin e hapësirave më të gjera për bashkëpunimin e zhvillimin e shpejtë të dy vendeve tona në interesin e përbashkët të stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit evropian. Pasi bëri një panoramë të zhvillimeve të fundit në Shqipëri, Topi vuri në dukje se vendi ynë tashmë po ecën me hapa të shpejtë e të sigurt në përmbushjen e plotë të standardeve integruese në familjen e madhe evropiane, duke vënë theksin në ecurinë pozitive të reformave të rëndësishme në vend si dhe në mbajtjen e suksesshme të zgjedhjeve të fundit parlamentare, konstituimin e Parlamentit dhe krijimit të qeverisë së re.

Kryetari i shtetit vuri edhe një herë në dukje se vendi ynë e shikon me prioritet zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me vendet e rajonit dhe në këtë prizëm theksoi se marrëdhëniet e mira politike shërbejnë si faktorë nxitës të thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe atij tregtar, ku përparësi do të merrte krijimi i një sistemi energjetik rajonal, fuqizimi i sistemit të komunikacionit dhe telekomunikacionit, lehtësimi i qarkullimit të mallrave dhe lehtësimi i qarkullimit të njerëzve.

Gjukanoviç vlerësoi gjithashtu edhe rolin e rëndësishëm moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon në favor të një qëndrueshmërie afatgjatë dhe zhvillimi e bashkëpunimi ekonomik më të gjerë. Kryeministri Gjukanoviç, pasi bëri një panoramë të hollësishme të reformave dhe situatës politike dhe ekonomike në Malin e Zi, theksoi rëndësinë e futjes së të gjitha vendeve të rajonit në strukturat euroatlantike, sepse kjo do të rriste maksimalisht shkallën e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në Ballkan dhe do të përmbushte aspiratat integruese të popujve tanë, duke tërhequr edhe më shumë investime të huaja.

“Sigurisht që ky është mesazh që vjen natyrshëm, se të gjithë shqiptarët në Malin e Zi duhet të bashkëpunojnë pikërisht për të arritur ëndrrën e mbarë popullit shqiptar që Shqipëria dhe Mali i Zi të integrohen në Bashkimin Evropian. T’i kapin sa më shpejt këto standarde dhe me sa shikoj ne jemi në rrugë të mbarë. Duke qenë anëtarë të familjes evropiane, besoj se do t’i kemi plotësuar edhe ato standarde, të cilat natyrshëm kërkohen edhe nga minoriteti. Urime më të mira për çdo shqiptar në Malin e Zi dhe besoj se e ardhmja është e sigurt në Bashkimin Evropian.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›