E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provohet lidhja e barkës së terroristëve me Pakistanin

Teksa hetuesit punojnë për të zbuluar grupin që fshihet pas sulmeve terroriste në Mumbai, gjatë të cilave u vranë të paktën 183 vetë, gjatë gjithë ditës së shtunë, policët dhe ushtarët vazhduan kërkimet nëpër dhomat e hotelit "Taxh Mahal", për t‘u siguruar që nuk kishte më terroristë dhe se të gjitha pengjet qenë liruar. Ndërkaq hetuesit bënë me dije se në një barkë pranë bregut të qytetit u gjendën telefona celularë dhe një pajisje naviguese. Televizioni CNN-IBN shfaqi fotografi të një prej celularëve ku tregohej se thirrjet qenë bërë nga Jalalabadi në Pakistan.

Zyrtarë të shërbimeve të fshehta thanë për të njëjtin televizion se barka qe e vjedhur. Që të katër pjesëtarët e ekuipazhit qenë zhdukur. Kapiteni u gjend i vdekur me fytyrën poshtë dhe me duart e lidhura pas shpine.

Autoritetet indiane edhe më parë qenë shprehur që njerëzit e armatosur kishin ardhur nga Pakistani, ndërkohë që Islamabadi e hodhi poshtë disa herë këtë qëndrim. Presidenti Zardari, bashkëshortja e të cilit u vra para një viti në një atentat me armë, tha se qe tërësisht i përkushtuar në zhdukjen e terroristëve, të cilët përbënin kërcënim edhe për vendin e tij. Në një konferencë shtypi në orët e vona të së shtunës, ministri i Jashtëm i Pakistanit këmbënguli në faktin që vendi i tij nuk kishte asnjë përgjegjësi. "Lidershipi indian nuk ka fajësuar qeverinë pakistaneze, ju lutem të jeni shumë të qartë në këtë pikë", tha. "Ajo që kemi thënë është se në rast se ata kanë ndonjë informacion, ashtu si edhe po të kemi ne, do ta ndajmë me njëri-tjetrin. Për sa i përket qeverisë sonë, terrorizmi është terrorizëm dhe ne as bëjmë dallime e as cilësime mes organizatave të ndryshme".

Ndërkaq vazhdoi kontrolli i imët dhomë për dhomë në hotelin "Taxh Mahal", i cili u deklarua i sigurt të shtunën paradite. Mijëra njerëz u grumbulluan në parkun më të madh të qytetit, për t‘i dhënë lamtumirën komandantit Hemant Karkare, kreu i skuadrës antiterror të Mumbait. Ishte një prej 17 oficerëve të policisë që gjetën vdekjen për shkak të sulmeve. Deri mbrëmjen e së shtunës, numri i viktimave arriti në 183. Rreth 300 të tjerë kanë mbetur të plagosur, përfshi këtu edhe 23 të huaj. Në këtë shifër nuk llogariten të paktën 11 terroristët e mbetur të vrarë gjatë përpjekjeve. Numri i viktimave pritet të rritet teksa autoritetet kontrollojnë në mënyrë të detajuar dhomat e shumta të "Taxh Mahalit".

Forcat indiane gjetën trupat pa jetë të pesë pengjeve që u mbajtën nga terroristët në shtëpinë "Çabad", një qendër e komunitetit hebre të qytetit. Mes të vrarëve gjendej një rabin amerikan, bashkëshortja e tij izraelite dhe tre persona të tjerë. Aty u vranë edhe dy terroristë të armatosur.

Në hotelin "Oberoi", një tjetër ndërtesë luksi ku terroristët kapën pengje përpara se të mbeteshin të vrarë, u gjetën të vdekur 36 njerëz. Një burim britanik tha për rrjetin CNN se hetuesit po hetojnë për të zbuluar përse në dy prej trupave, të cilat besohet se u përkasin terroristëve, u gjetën pasaporta britanike. Burimi tha se një prej terroristëve qe zënë i gjallë. Sipas autoriteteve indiane, pengmarrësit e armatosur qenë rreth të njëzetave dhe dukeshin të trajnuar më së miri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›