E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë dhe qëndrimi i Greqisë

Kur Ismail Qemali u nis nga Stambolli
për në Bukuresht, Lufta e Parë Ball
kanike kishte hyrë në fazën e fundit.
Ushtria osmane e thyer po mundohej
më kot t‘i bënte ballë sulmit të ushtrive
ballkanike. Parimi i ruajtjes së status-quosë,
i pranuar nga Fuqitë e Mëdha pa plasur
mirë lufta, ishte tashmë një kartë e djegur.
Qëllimet "parimore" të fillimit të luftës nga
Aleatët Ballkanikë, ia kishin lënë vendin
kontradiktave mes tyre në lidhje me ndarjen
e trashëgimisë osmane. Ecuria e luftës
dhe përparimi i ushtrive ballkanike në viset
shqiptare, jo vetëm shqetësoi, por edhe
ndërgjegjësoi më shumë Lëvizjen Kombëtare
Shqiptare. Kishte ardhur koha për
veprime konkrete dhe të shpejta, në
mënyrë që Shqipëria të kishte të ardhme
politike, në të kundërt, gjasat ishin që ajo
të copëtohej mes shteteve fituese ballkanike.
Merita e Ismail Qemalit dhe e mbështetësve
të tij qëndronte pikërisht në vlerësimin
e drejtë të një situate të tillë, vlerësim
që solli më pas reagimin në kohën dhe vendin
e duhur për shpalljen e pavarësisë.
Po pse Ismail Qemali shkoi nga Stambolli
në Bukuresht? Përveç arsyes që lidhet
me mbështetjen që ai, me të drejtë, mendonte
se do të gjente te shqiptarët e kolonisë
së Bukureshtit, mendoj se ka edhe një
arsye të dytë. Ajo mendoj se lidhet direkt
me planin që Ismail Qemali pretendonte
të realizonte. Lufta Ballkanike sigurisht që
do të sillte një ripërcaktim të kufijve në
Ballkan. Sipas tij, zgjerimi i frontit sllav ishte
evident. Në një situatë të tillë, Rumania,
Shqipëria dhe Greqia duhej të ishin pjesë
e frontit të dytë në Ballkan. Kështu, së
afërmi Ismail Qemali mendonte se Ballkani
do të ndahej në dy kampe: nga njëra anë
vendet sllave Serbia, Bullgaria dhe Mali i
Zi, nga ana tjetër Rumania, Shqipëria dhe
Greqia. Vetëm kështu ai mendonte se do të
mund të arrihej një lloj ekuilibri në Ballkan.
Dëshira për vendosjen e një ekuilibri të tillë
ishte, sipas tij, një nga arsyet pse Austro-
Hungaria ishte aq e vendosur për të ruajtur
pavarësinë e Shqipërisë. Për jetësimin
e një ekuilibri të tillë, krijimi i Shqipërisë
ishte domosdoshmëri dhe ai nuk duhej
mbështetur vetëm nga Austro-Hungaria
dhe Fuqitë e tjera të Mëdha, por të paktën
edhe nga Rumania dhe Greqia.
Menjëherë sapo mbërriti në Bukuresht,
Ismail Qemali u takua me ministrin
e Jashtëm rumun, Take Ionesku, i cili e siguroi
për mbështetjen që Rumania do t‘i
jepte çështjes shqiptare. Ndër të tjera ky
interes lidhej edhe me popullsinë vllahe,
të cilën ajo pretendonte ta shkëpuste nga
ndikimi grek, duke e bërë pjesë të shtetit
të ardhshëm shqiptar. Ismail Qemalit i
mbetej për të konfirmuar mbështetjen
për çështjen shqiptare nga Fuqitë e Trepalëshit
dhe Greqia.
Javën e parë të nëntorit, Ismail Qemali i
shoqëruar nga Luigj Gurakuqi e Kristo Meksi,
la Bukureshtin dhe iu drejtua Vjenës, ku
mendohej se do të gjenin mbështetje për
të ardhmen e Shqipërisë. Në takimet që
Ismail Qemali zhvilloi me përfaqësuesit
austriakë e italianë, u bind se kishte ardhur
koha për ta lënë mënjanë autonominë dhe
për të kaluar drejt pavarësisë. Pasi arriti të
sigurojë mbështetjen e tyre, mbetej për të
biseduar edhe me qeverinë greke. Nëse ajo
mbështeste pavarësinë e Shqipërisë, rruga
për diskutime të mëtejshme me Greqinë
mbetej e hapur.
Ashtu sikurse kishte ndodhur edhe në
momente të tjera të rëndësishme për shqiptarët,
Ismail Qemali nuk kishte hezituar
të kërkonte mbështetjen e Greqisë zyrtare.
Ai vazhdonte të mendonte se qeveria
greke po përkrahte luftën e popullit shqiptar
dhe të besonte se ajo do të mbështeste
interesat e përbashkëta të Greqisë
dhe të Shqipërisë. Në fakt, Mbretëria
Greke ishte në dijeni të lëvizjeve të Ismail
Qemalit. Që më 6 nëntor të 1912-ës, fill pas
mbledhjes që Ismail Qemali bëri me përfaqësues
të kolonisë shqiptare të Bukureshtit,
ambasadori grek atje kishte njoftuar
Ministrinë e Jashtme mbi qëllimin e
Ismail Qemalit për të mbledhur në Vlorë
anëtarët e komiteteve brenda dhe jashtë
Shqipërisë në një kuvend kombëtar, i cili
do të themelonte një qeveri të përkohshme
në krye të së cilës do të ishte ai vetë.
Në takimin e mesit të nëntorit të vitit 1912,
Ismail Qemali vuri në dijeni ministrin e
Jashtëm grek, nëpërmjet ambasadorit
grek në Vjenë, në lidhje me iniciativën e tij
për shpalljen e pavarësisë dhe mbështetjen
që kishte arritur të siguronte nga
Austro-Hungaria. Qeveria shqiptare që
do të krijohej prej tij, nuk do të merrte
pjesë në luftën ballkanike. Në atë kohë
Greqia, në dallim nga Serbia, nuk kishte
zbarkuar ende fuqishëm në territoret shqiptare.
Ajo vetëm kishte rrethuar Janinën.
Nëpërmjet një njoftimi të tillë, Ismail
Qemali duket se synonte nga njëra anë të
ndalte okupimin e territorit shqiptar nga
ushtria greke dhe nga ana tjetër të qetësonte
disi Greqinë në lidhje me pjesëmarrjen
e shqiptarëve në luftë si pjesë e ushtrisë
osmane. Duke qenë i vetëdijshëm në
lidhje me problemet që mund të shkaktonte
çështja e kufijve greko-shqiptare, ai
i kërkoi Greqisë njohjen e qeverisë së tij
me rezervën e një përcaktimi të kufijve në
të ardhmen. Në këmbim të predispozitave
të mira që Greqia do të shprehte ndaj
Shqipërisë, kjo e fundit merrte përsipër të
mbështeste Greqinë kundër koalicionit
sllav. Kjo mbështetje të lë të mendosh se
Ismail Qemali vazhdonte ende të besonte
në planin e tij për krijimin e një fronti
antisllav, duke dashur ta shkëpuste Greqinë
nga koalicioni ekzistues ballkanik
dhe ta bënte pjesë të tij.
Por a ishte e gatshme Greqia të mbështeste
shqiptarët në një ndërmarrje të tillë,
tepër të rëndësishme për të ardhmen politike
të viseve të tyre?
Brenda zyrtarëve grekë kishte një rrymë
që mbante një qëndrim më realist ndaj
shqiptarëve. Ajo promovohej nga drejtori i
zyrës shqiptare në Ministrinë e Jashtme
Greke, njëkohësisht edhe këshilltar politik
i komandantit të ushtrisë së Epirit, Sahturis.
Ai ishte njohës shumë i mirë i çështjes
shqiptare, madje ishte edhe hartues i disa
raporteve e studimeve të hollësishme në
lidhje me të, për qeverinë greke. Duke
mbështetur shqiptarët për shpalljen e pavarësisë
në Vlorë, Sahturisi dhe përkrahësit
e tij pretendonin të evitonin një pushtim
të mundshëm të Vlorës prej Italisë dhe
njëkohësisht t‘i tregonin Evropës dhe
pjesës dërrmuese të shqiptarëve qëllimet
e mira që Greqia kishte duke ndihmuar në
themelimin e shtetit shqiptar, por pa toleruar
në çështjet kufitare. Nëpërmjet një
ndihme të tillë, ajo rrymë mendonte të shkëpuste
Shqipërinë nga ndikimi i Austro-
Hungarisë dhe mbi të gjitha nga ai i Italisë.
Por mbledhjet e qeverisë treguan se mendimet
e Sahturisit ishin pakicë. Ato u
mbështetën vetëm nga një ministër. Të
gjithë të tjerët ishin kundër.
Qëndrimin i qeverisë greke në lidhje me
shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, e
shpreh përgjigjja e datës 16 nëntor 1912,
që qeveria greke i transmetoi konsullit grek
në Trieste, për Ismail Qemalin. "T‘i thuash
- i rekomandonte ai - se nuk ke marrë ende
orientime nga qeveria jote, por je i mendimit
se qeveria greke do të duhej të njihte
kufijtë e Shqipërisë". Në pamje të parë të
duket se një tekst i tillë mbështet shqetësimin
që kishte edhe Ismail Qemali, pra atë
të kufijve. Përgjigjja të krijon përshtypjen
se Greqinë nuk e shqetësonte akti i shpalljes
së pavarësisë. Duket se kështu u kuptua
ajo edhe nga Ismail Qemali. Në takimin
që ai pati me konsullin austriak në Durrës,
para se të nisej për në Vlorë, i konfirmoi atij
premtimin që qeveria greke i kishte bërë
atij për shpalljen e pavarësisë.
Duket se qeveria greke nuk ishte e gatshme
të deklaronte hapur qëndrimin e saj.
Jam e prirur të mendoj se pavarësisht simpative
reciproke që ajo dhe Ismail Qemali
kishin pasur në vazhdimësi për njëritjetrin,
qeveria greke nuk ishte e gatshme
ta mbështeste pavarësinë e Shqipërisë,
për shkak të marrëdhënieve të afërta me
Serbinë, qëndrimit që ajo kishte marrë
tashmë në mbështetje të planit serb për
copëtimin e territoreve shqiptare dhe
frikës se shqiptarët do të kërkonin që territoret
jugore të pretenduara prej saj të ishin
pjesë e shtetit shqiptar. Por, ajo nuk kishte
as fuqi që ta pengonte shpalljen e saj, sepse
Ismail Qemali kishte siguruar mbështetje
ndërkombëtare të Fuqive të Trepalëshit.
Në një situatë të tillë, qeveria greke u përpoq
ta vononte shpalljen e pavarësisë, të
paktën deri në mbajtjen e Konferencës së
Londrës. Në mungesë të reagimit shqiptar,
Austro-Hungaria dhe Italia do ta
kishin më të vështirë të mbronin çështjen
shqiptare dhe fqinjët më të lehtë për të
legjitimuar pretendimet e tyre në viset
shqiptare.
Një politikë e tillë u shpreh së pari në
mosheqjen e bllokadës së Vlorës, duke e
detyruar anijen austriake me Ismail Qemalin
në bord, të drejtohet për në Durrës.
Së dyti, në atmosferën penguese që atij iu
rezervua në Durrës nga mitropoliti i qytetit,
Jakovi. Qëndrimet e tij si ndaj shpalljes
së pavarësisë, ashtu edhe ndaj pushtimit
të qytetit nga ushtria serbe, ishin në
mbështetje të politikës greke. Zbritja e
ushtrisë serbe në Durrës shikohej nga
shtypi grek, si faktor frenues i aktit të
Shpalljes së Pavarësisë. I cilësuar nga një
pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve si
"nacionalist anadollak", Jakovi, në marrëveshje
me autoritetet osmane të qytetit,
doli në mbrojtje të sistemit të vjetër osman,
duke kundërshtuar hapur ngritjen
e flamurit shqiptar në Durrës nga Ismail
Qemali. Meshat e mbajtura prej tij kishin
lënë mënjanë punët fetare për t‘u
përkushtuar punëve politike. Në to, Ismail
Qemali cilësohej të ishte një fanatik mysliman
e aventurier dhe Pavarësia e Shqipërisë,
si prishëse e harmonisë mes të
krishterëve e myslimanëve. Me asistencën
edhe të konsullatës greke në Durrës,
ortodoksëve të qytetit iu ishte bërë
thirrje për t‘i mbajtur shpresat te pushtimi
i shpejtë i qytetit nga forcat serbe.
Ndërkohë, me anë fletushkash, tregtarëve
ortodoksë durrsakë u bëhej thirrje
ta shihnin me kënaqësi pushtimin e qytetit
nga serbët, sepse komanda serbe do
t‘u jepte atyre përkrahje. Jakovi, së bashku
me një kryqëzor grek, ishte nga pritësit
e parë të serbëve në Durrës. Parullat e
hedhura nga besnikët e tij shprehnin
hapur kënaqësinë e pushtimit të qytetit
nga serbët.
Në fakt, Greqia, megjithëse e dëshiroi
vonesën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë,
pa dashjen e saj ka gjasa të ketë
ndikuar në të kundërtën. Nga një material
i gjetur në Arkivin Qendror të Shtetit, në
fondin e Ismail Qemalit, Kuvendi i shqiptarëve,
i cili do të shpallte pavarësinë,
pritej të mbahej ditën e hënën, më 2 dhjetor
1912. Mbajtja e tij në atë datë sipas
materialit në fjalë, lidhej me ardhjen e
Myfid Libohovës nga Janina, ku kishte shkuar
të takonte komandantin e ushtrisë
osmane, Esat pashë Janinën dhe kishte
arritur të shmangte arrestimin e Ismail
Qemalit nga forcat osmane. Duke tentuar
të priste lidhjen telegrafike nënujore, Vlorë-
Otranto, e cila pretendohej se përdorej nga
organet osmane për të transmetuar lajme
të rëndësishme ushtarake, Greqia duhet
t‘i ketë detyruar shqiptarët të shpejtonin
mbajtjen e Kongresit, pa pritur ardhjen e
Myfit Libohovës dhe të një pjese të delegatëve.
Të vënë në dijeni mbi përpjekjen
greke, përfundimi me sukses i së cilës shkëpuste
edhe lidhjen e Vlorës me botën e
jashtme dhe pengonte njoftimin e shpalljes
së pavarësisë, delegatët shqiptarë, të
mbledhur në Vlorë shpallën pavarësinë e
Shqipërisë disa ditë përpara, të enjten më
28 Nëntor 1912.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›