E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrila e Lezhës, ose një kthim pas 23 vjetësh

Nuk e di përse e shtyj vajtjen në atë fshat, për të cilin më gëzon çdo ndryshim për mirë. Mbase trembem mos gjej aty një pjesë të kujtimeve ende të pashpërbëra, ngulur nëpër gjethet tufake të xunkthave, rrëzë kanaleve të fushës". Autorja e këtyre radhëve është Vera Isaku, gazetare, publiciste, shkrimtare. 32 vjet më parë ajo dhe i shoqi, Agimi, u emëruan mësues në një fshat që më parë as që e kishin dëgjuar ndonjëherë, në Rrilë, afër Lezhës, bash e në mes të fushës së bonifikuar aty nga vitet ‘60. Në këtë fshat kanë kaluar nëntë vjet të jetës së tyre, nga 1976 deri më 1985. Këtu u rrit vajza e tyre e parë, Dea, po këtu - në një ndërtesë të ulët që Vera e quan maternitet - u lindi vajza e tyre e dytë, Egi. Duhet të ketë qenë një gjë fort e ngatërruar përvoja nëntëvjeçare e çiftit të mësuesve të rinj. Kjo pjesë e jetës së tyre zë një pjesë të mirë të rrëfimit "Qëllime të mira" që Vera e pat botuar para katër vjetësh. Varfëri, frikë, spiunllëqe dhe trishtim, të cilin e shtonte edhe më shumë fëshfërima e përzishme e zhukave të fushës së pafund, por edhe mirësi, rrahje dashamirëse shpatullash, sy të qeshur dhe momente gëzimi të sinqertë, të gjitha këto përsillen bashkë në "universin" e Rrilës. Vetë ata kanë vite pa shkuar. "Kemi kaluar, por nuk jemi kthyer. Kush e di sepse", na pat thënë kohë më parë Agimi. Mbase edhe ai i druhet asaj ekzistencës së "kujtimeve ende të pashpërbëra" për të cilat bën fjalë Vera. Sido që të jetë, me librin e Verës në dorë, u propozojmë dy miqve tanë që të bëjmë bashkë një udhëtim në fshatin ku zunë udhën e vështirë të jetës së vërtetë. Agimi e Vera nuk janë nga ata që ua prishin qefin miqve. Dhe kështu, kemi fat. Nisemi bashkë në një pasdite dhjetori që çuditërisht është fare e kthjellët dhe gati-gati e ngrohtë, njësoj si një ditë prilli.

Rikthimi

Libri i Verës është i mbushur me emra miqsh që asokohe iu gjendën pranë. Ne bëhemi që në fillim shumë kuriozë për takimin e të dyve me miqtë e vjetër. Në anë të rrugës që të çon në Lezhë, një tabelë krejt e dukshme shënon: Rrilë. Ja se ku i jemi afruar vendit të kujtimeve. Miqtë e vjetër nuk vonojnë të vinë. Frani dhe Ndueja lënë sakaq punët e tyre për të takuar Agimin dhe Verën. Në anë të rrugës së zhurmshme, një copë herë të mirë bëhen pyetje për njerëz e shokë me të cilët dikur ndahej fati në të mirë a në të keq. "Mirë jena, e të tanë jena ktu, veç fmitë nuk i kena, ata na kanë shku anej", bën me kokë Ndueja andej nga është deti, duke i vënë kapak muhabetit.

Brenda pak minutash jemi në Rrilë. Vera e ndjen veten menjëherë si "zonjë shtëpie". Duket sheshit se pas një shikimi të parë është gati të na tregojë vendet që ka përmendur në libër. "Ky këtu është ai kanali nga na vinte ajo era e rëndë e Fabrikës së Letrës. Këtu matanë kësaj urës së vogël ishte një tra ku bëhej kontrolli i atyre që hynin e dilnin nga fshati. Po ky vend paska ndryshuar fare…". Ndërsa Vera, Agimi dhe miqtë nisin të ecin në rrugën e gjerë të Rrilës, dikur një rrugë e ngushtë dhe e përbaltur, ne i hedhim një sy të shpejtë librit. "… Fshati ku na u desh të jetonim për nëntë vjet radhazi, ishte një fshat i ngritur gjatë viteve të Pushtetit Popullor mbi tokat e sapobonifikuara të Kënetës së Lezhës, i tillë që do të na ndihmonte të përthelloheshim në njohjen e mjerimit… Parë keq, Rrila ishte shëmbëlltyrë e mjerimit. Disa shtëpi të rralla përgjatë fushave që të çonin për aty dhe pastaj shtëpi që dendësoheshin. Qendra e fshatit kuptohej nga prania e një klubi dhe i një ndërtese me zyra të kooperativës dhe fermës bashkë. Kishte edhe një pikë ROGL me sirenë alarmi (roje operative e gatishmërisë luftarake) ku bënin dezhurn me turne ushtarakët, mësuesit, ndihmësmjeku i fshatit dhe agronomët. Meqë këta përbënin parinë e vendit, vajzat e reja bënin si bënin dhe vërdalloseshin aty pari të shoqëruara me ndonjë shoqe, kapur për krahu. Rrallëherë, pse jo, edhe vetëm… …", kjo ka qenë përshtypja e parë e Verës për Rrilën. Ne shohim një tjetër fshat. Në anë të rrugës së madhe të asfaltuar e të ndriçuar janë rregulluar disa shtëpi fort të mira. Larg në horizont duken disa vila të reja, disa prej të cilave madhështore deri në kotësi.

Nga libri na kishte mbetur një kuriozitet. Vera bën fjalë për një klub, i vetmi asokohe në fshat, ku ajo ishte ulur për herë të parë. Ishte e para femër që guxonte të depërtonte në "mbretërinë" e tymosur dhe të zhurmshme të burrave të Rrilës. "Unë qenkësha e para që e kaloja atë prag - shkruan Vera - por burrat e fshatit s‘e bënë veten, pasi ndryshe qëndronte puna me mua dhe më ofronin kafe, birra e fërnet, sa të doja…". Klubi ekziston edhe sot, por duket sheshit se nuk e ka atë "lavdinë" e dikurshme kur ishte i vetmi në fshat. Është një ngrehinë e vogël njëkatëshe, ku qëndrojnë si në hije disa figura të heshtura. Në krah të tij është një dyqan. "Ky dyqani ka qenë që në kohën tonë", shpejton të shpjegojë Vera. Shitësja ka dalë në diell të ngrohet. Lexon gazetën krejt e qetë. Me sa duket e di fort mirë se në orët e paradites nuk do t‘i vijë kush. Kush ka pasur për të blerë ndonjë gjë në mëngjes tashmë ka "kry" punë. Të tjerët do të vinë pasdite, kur njerëzia kthehet nga Lezha. "E pimë ndonjë fërnet si qëmoti me burrat e fshatit?", e ngacmojmë Verën. Ajo vetëm qesh dhe i ngul sytë diku më larg.

Ca metra më tej Vera, Agimi dhe miqtë ndalojnë sërish. "Në vend të kësaj godine që shihni tani ka qenë dikur materniteti i fshatit. Këtu ka lindur Egi…", bën me kokë Vera. Është rasti për të nxjerrë sërish librin e saj. Në të lexojmë: "… Kësaj here do të lindja në prani të gjysmës së fshatit, që më jepnin zemër për t‘i duruar dhimbjet në mënyrë trimërore. (Atëherë duhet të kem qenë një zonjëz shumë e sjellshme). Një tufë me njerëz ishin vënë në rrjesht për ta sjellë ujin e ngrohtë dorë më dorë nga shtëpia më e afërt në maternitet, ndërsa mamia e fshatit më shumë se sa tek unë, e kish mendjen te aparati i telefonit, gati për të thirrur ambulancën. Egi do të lindte si një ngushëllim jete, me një kombinim ngjyrash mjaft të bukura dhe të lehta. E futi kokën në gji, e trembur nga ç‘shihte përreth dhe bashkë do të ruanim, atë lloj marrëdhënie afrimiteti. Të parët tinguj që dëgjoi, ishin këngët që ia këndonte Dila, e cila kish marrë përsipër të kujdesej për ne, në shkëmbim të mirësisë së treguar ndaj fëmijëve të saj, me baba të arratisur. E ndërsa vetë mundohesha të bëja zap dhimbjet therëse të lindjes, mbi fshat kishte rënë një heshtje e madhe…".

Njësoj si Verës dikur edhe neve fshati na duket krejt i heshtur. Porse nuk kalon shumë dhe nisin përshëndetjet e para. Vera dhe Agimi takojnë me radhë një tufë të moshuarash me shaminë karakteristike të malësoreve mbi krye. Për secilën prej tyre ka nga një histori. Kjo ka qenë shumë e mirë me ne, edhe bukën e kemi ndarë bashkë, kjo tjetra i ka dashur shumë vajzat tona, me fëmijët e saj loznin ato, kjo, me të cilën sapo u ndamë, ka qenë gruaja e filanit, një burrë fort i mirë… Historitë e Rrilës vazhdojnë thuajse pa fund.

Shtëpia e vjetër dhe shkolla e re

Në librin e saj, Vera është mbajtur ca si gjatë në atë që ka qenë shtëpia e parë e vërtetë e çiftit. "… Fati ynë që ishin dy ndërtesa trekatëshe në dalje në ndërtim e sipër në dalje të fshatit, po çelësat e hyrjes dhomë e kuzhinë me aneks, Nuja do të n‘ai dorëzonte afër mbrëmjes, ngaqë i vinte zor të na thoshte që nuk dinte shkrim e këndim, pra nuk dinte të bënte shkresën. Gruaja e Nusë, futi një hap në prag të derës dhe më bëri shenjë të dilja përjashta:

- Bëje ti shkresën e jepja Nusë të verë firmën, ndryshe e gdhitë përjashta. S‘do ta marrin vesh fshatarët, që nuk di shkrim e këndim.

E hartuam vetë atë shkresë dhe ia dhamë Nusë, i cili vuri mbi të një firmë të çapëlyer si merimangë, me gërma të vogla përpara dhe me të mëdha nga mbrapa. Ne s‘patëm nevojë të preknim asgjë me dorë, sepse transportin e gjithçkaje që duhej e bënë fëmijët dhe fshatarët, duke u penguar nëpër shkallët akoma me llaç e me tulla të ndërtesës. Në atë shtëpi pa instalime uji, ku vunë këmbë të parët fshatarët duke u kujdesur të hynin me këmbën e djathtë për supersticion, do të nisnim jetën tonë familjare, me gjithë ç‘ka një familje në kushte surrealë…".

Vera rri do kohë poshtë ballkonit në kat të dytë që ka nisur të rripet ca si keq. Një pjergull e zverdhëllyer nga dimri është e vetmja shenjë jete në shtëpinë e saj të dikurshme. Na thotë se tani në këtë shtëpi banon një grua e vetmuar. Nuk e shohim të udhës që trishtimit të jetës së kësaj gruaje t‘i ndërhyjmë me befasinë që shkaktojnë mysafirët e papritur. Heshtja vazhdon të na rrethojë derisa Vera kujtohet të pyesë Franin: "A është më ajo truma ku mbushnim ujë?". Frani vë buzën në gaz: "Ehu, e kush pyt ma për truma moj Vera! Tash sekushi ka pusin e vet dhe e merr ujin me pompë". Na duket sikur Vera mërzitet ca që nuk mund ta shohë "mikeshën" e saj të vjetër, trumën nga e cila merrte ujin me kova të stërmëdha. "Ujin e mbushja vetë dhe nuk e çoja Gimin asnjëherë - na thotë Vera - ishte shenjë jo fort e mirë për burrat e këtyre anëve që burri të bënte punë shtëpie njësoj si gruaja. Kështu e shpëtova Gimin dhe ai pati më shumë kohë të merrej me librat dhe letrat e tija". Krejt afër shtëpisë së vjetër të Isakëve, miqtë tanë ndalojnë sërish. Këtë herë heshtja bëhet edhe më e thellë dhe biseda zhvillohet me zë fare të ulët, gati të mekur. Një e moshuar, me shaminë e bardhë në kokë i përqafon miqtë e vjetër. Ata çmallen do minuta të mira me të dhe pastaj kthehen me kokë ulur. "E shkreta kjo -thotë Agimi - i ka vdekur një vajzë në moshë fare të re".

Tani heshtjes i ka ardhur fundi. Një zhurmë karakteristike vjen që nga fundi i rrugës së gjerë. Është poterja e nxënësve të shkollës. Vetëm një "Uaaa!", tipike femërore mund të kalojë poteren e nxënësve në oborr të shkollës. Vera ka takuar mësueset e shkollës së Rrilës. Me ato ka kaluar plot çaste të mira e të hidhura. Mësuesja e biologjisë habitet kur ne i kujtojmë një hardhucë e cila e paska trembur një natë. I tregojmë se këto histori i dimë nga Vera dhe se jemi miq të vjetër të saj. Atëherë mësuesja dhe shoqet e vjetra nis të bëjë humor me Verën njësoj sikur të jenë ato mësueset e reja këtu e tridhjetë e ca vjet më parë. "… Shkolla ku do jepnim mësim - ka shkruar Vera - ishte një godinë njëkatëshe, dikur kazermë provizore e ushtrisë. Nxënësit i zhvendosnin bankat sa herë që binte shi, ndërsa mësuesit ngaqë s‘mund të zhvendosnin dërrasat e zeza, shpjegonin duke u mbrojtur me çadra të hapura. Askush nuk kujtohej të sillte mjete ngrohëse aty, ngaqë shumica e nxënësve ishin nga prindër me cene në biografi dhe bijtë e tyre në njëfarë mënyre, e meritonin që të ndëshkoheshin. S‘merrej parasysh se kështu e pësonin edhe pjesa e fëmijëve me prindër ndëshkues. Në këtë pikë hynte në punë elementi i barazisë komuniste, kushte s‘kishte për askënd, as për drejtorin. Ndërsa verës të ndalej fryma nga zhegu që dilte prej kënetës, nga mbeturinat helmuese që transportonte kanali i letrës, nga mushkonjat, nga mizat, si edhe nga duhma që lëshonin tridhjetëmijë derra, në dalje të fshatit…".

Shkolla e vjetër nuk është më, nuk është më as stalla e derrave me atë duhmën e rëndë. Një shkollë krejt e re na del përpara, një shkollë dhe një tufë e madhe nxënësish. Është 27 nëntor, pragu i Ditës së Flamurit dhe nxënësit kanë organizuar një koncert festiv me këtë rast. Si të gjithë fëmijët e botës u gëzohen ditëve të pushimeve që do të vijnë fill e pas këngëve patriotike. Ne ndahemi me mësueset e Rrilës, shoqet e vjetra të Verës. Pas na ndjek një këngë e njohur: "Ty flamur të duam shumë/ Tiii për ne je nanë e babë/ Për ty gjakun derdhim lumë/ O flamur i kuq me zhgaaabë!". Edhe pak dhe fëmijët e Rrilës do të festojnë vërtet. Mbase më shumë e më mirë se sa ne të rriturit.

Zakoni e do që të kthehemi do minuta në shtëpinë e Franit. Kjo është krejt afër shkollës. Agimi dhe Vera i gëzohen shijes me të cilën Frani e ka ndërtuar shtëpinë e tij të re. Është një vilë jo fort e madhe që të kujton vendet e Evropës Qendrore. Përballë me shtëpinë e re të Franit ende mbahen në këmbë shtëpitë ku dikur patën jetuar të internuarit. Disa mullarë dhe disa lakra na kujtojnë se Rrila është ende një fshat që mbahet me bujqësi dhe blegtori. Ka ardhur koha të ndahemi me miqtë tanë të Rrilës. Duhet të shkojmë edhe në Lezhë, ku çifti ynë i arsimtarëve të dikurshëm nisi një jetë tjetër, atë të qytetit. Një autobus i vogël befas frenon fort në këmbët tona. Shoferi, një mesoburrë fort i qeshur, i hidhet në krahë Agimit. "Po ku je more profesor!?". Është një nga nxënësit e dikurshëm të miqve tanë. Duket sheshit se janë që të dy të prekur, edhe mësuesi edhe nxënësi. Pasagjerët nuk protestojnë aspak ndaj këtij "stacioni" të paparashikuar. E kanë kuptuar instinktivisht se këta dy burra që përqafohen me mall dikur e diku e kanë pasë një histori të përbashkët.

Në Lezhë

Në Lezhë, çifti u transferua në 1985. "Këtë e mbajmë mend mirë - thonë që të dy gati në një zë - ishte viti kur vdiq Enver Hoxha". Shtëpia e tyre e dytë ka qenë në një shpat kodre, në lagjet e reja të Lezhës. Edhe për këtë shtëpi, Vera ka shkruar gjerë e gjatë. Qeshim bashkë kur kujtojmë personazhet e shkallës sidomos një të dëshpëruar me emrin e çuditshëm Zyrih dhe të Pashkës. Ky Zyrihu e kishte zakon që të ankohej te Pashka se nuk ia mbyllte gojën një gjeli, imagjinar sigurisht, që e linte pa fjetur, në një kohë që për gjel në pallat asokohe as që mund të bëhej fjalë. Tashti të gjithë personazhet e lagjes kanë ndryshuar. Vera ngjitet në apartamentin ku jetuan deri para se të vendoseshin në Tiranë. Askush nuk i përgjigjet trokitjes së saj. Më vonë marrim vesh se edhe të zotërit e rinj të shtëpisë kanë zbritur poshtë, në Tiranë. Ca më tej pallatit me tulla të bardha Vera bën me shenjë: "Këtu ka qenë dyqani i bulmetit. Këtu zija radhë që në dy të natës për të blerë qumësht. Shumë herë nuk arrija, sigurisht…". Poshtë në Lezhë e lëmë Agimin të çmallet me dy berberë në qendër dhe shkojmë të blejmë ndonjë libër që bën fjalë për Lezhën dhe rrethinat e saj. Në prag të muzgut marrim udhën për në Tiranë. Duam ta pyesim Verën nëse i ka kaluar ai meraku i atyre "kujtimeve ende të pashpërbëra", por nuk e bëjmë këtë gjë. Do të ishte një pyetje vërtet e kotë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›