E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provokimi i gjuhës!

Shqipja ne etapen e sotme, sfidat e gjuhes dhe te gjuhetareve, ne fakt, nuk eshte thjesht logo e hapjes se konferences shkencore qe do te mbahet ne Durres nga 15-18 dhjetor. Trysnia e ushtruar prej 60 vitesh mbi gjuhen shqipe, qe me qarte ka krijuar ate grupim gjuhetaresh qe iu binden ndryshimeve politike ne diktature e qe vazhduan ne heshtje dhe izolim te mos i binden procesit evolutiv, por ta ndalojne ate. Ështe Qendra e Studimeve Albanologjike qe ka provokuar prej kohesh, me mbajtjen e kesaj konference, qarqet e studiuesve, por dhe vete gjuhetaret e sotem

Shqipja në etapën e sotme, sfidat e gjuhës dhe të gjuhëtarëve, në fakt, nuk është thjesht logo e hapjes së konferencës shkencore që do të mbahet në Durrës nga 15-18 dhjetor. Trysnia e ushtruar prej 60 vitesh mbi gjuhën shqipe, që më qartë ka krijuar atë grupim gjuhëtarësh që iu bindën ndryshimeve politike në diktaturë e që vazhduan në heshtje dhe izolim të mos i binden procesit evolutiv, por ta ndalojnë atë.

Është Qendra e Studimeve Albanologjike që ka provokuar prej kohësh, me mbajtjen e kësaj konference, qarqet e studiuesve, por dhe vetë gjuhëtarët e sotëm. Kjo, për shkak se për herë të parë pas 20 vitesh flitet për një realitet ku “frika” për të folur për tema tabu, të krijuar nga diktatura, ka ngjeshur radhët e “të palëkundurve” ndaj mitit të dialekteve. Por njëkohësisht në këtë periudhë kohe me shumë se çdo herë tjetër është qartësuar individualiteti i disa letrarëve, gjuhëtarëve dhe studiuesve të rinj për t’iu kundërvënë kësaj heshtjeje të gjatë për dhunën që u ushtrua mbi gjuhën në diktaturë, duke krijuar një sistem tmerrësisht të kundërshtuar; standarden bazuar në toskërishte, e duke mohuar krejtësisht gegërishten. Një temë të tillë të zgjeruar, por të analizuar në filtrat më të hollë të politikës staliniste e ka bërë Arshi Pipa në librin e tij, botuar së fundi, “Politika e gjuhës shqipe në Shqipërinë socialiste”. Por nga ana tjetër, sidomos në këto vite, është ndier edhe një lëvizje tjetër, ajo e shkrimtarëve gegë për të ringjallur dialektin e gegërishtes së mohuar për 50 vjet. Reagimi i tyre nuk është çështje rehabilitimi, por për një gjuhë që është.

Si duket, që të gjithë këta faktorë të rinj, reagimet për probleme të sotme të gjuhës në mediat e përditshme, e bënë të domosdoshme praninë e afërt të një konference shkencore për të kuptuar sipas programit, "Shqipja në etapën e sotme: politikat e pasurimit dhe të përmirësimit të standardit".

Megjithatë, ka edhe zëra kundër kësaj konference, sipas të cilëve zhvillimet në gjuhë nuk mund të diktohen me takime, por ato “ndodhin”.

Gjithsesi, më shumë anojnë në njohjen e gjendjes reale të gjithë historisë sonë gjuhësore, baza reference që vijnë si ndarje nga një kohë jashtë ndikimit politik.

Për tri ditë në Durrës, nga 15-18 dhjetor, hapet kjo konferencë nga drejtori i QSA-së, prof. dr. Ardian Marashi, me “Shqipja në etapën e sotme: sfidat e gjuhës dhe e gjuhëtarëve”.

Seanca e parë do të ketë në fokus historinë e formimit të standardit. Standardi dhe legjislacioni, e drejtuar nga Besim Bokshi, Kolec Topalli, Mustafa Ibrahimi, Aljula Jubani. Referencat do të jenë: Akad. Bahri Beci (ASHSH): Historia e standardizimit të shqipes; Akad. Rexhep Ismajli (ASHAK): Politika gjuhësore, ndërsa do të mbajnë kumtesat: prof. dr. Seit Mansaku (QSA): Nga gjuha letrare kombëtare te gjuha standarde; prof. dr. Bardhyl Demiraj (Mynih, Gjermani): Norma gjuhësore dhe substandardi në tekstet shqipe të shek. XVIII në arealin kulturor të Veriut etj.

Seanca II përfshin probleme gramatikore të standardit ku në seancën e drejtuar nga Tomor Osmani do të mbajnë referate: Akad. Ethem Likaj (ASHSH dhe UT): Morfologjia e shqipes standarde dhe zhvillime te reja; Akad. Wilfried Fiedler (Gjermani): Tendencat e formimit të shumësit në shqipen e sotme, ndërsa kumtesa do të mbajnë: Akad. Besim Bokshi (ASHAK): Rreth problemit të paskajores në gjuhën shqipe; prof. dr. Artan Haxhi, prof. dr. Tomor Osmani (USH): Disa forma shumësi të gjinisë mashkullore; prof. as. dr. Anila Omari (QSA): Vështrim mbi disa prirje të gjuhës së sotme letrare; prof. as. dr. Shkumbin Munishi (UP): Mbi mundësinë e integrimit të paskajores në gjuhën standarde shqipe; prof. as. dr. Mimoza Kore (UT): Për një përmirësim të normës morfologjike në standard; PhD Julie May-Kolgjini (Universiteti Amerikan i Kosovës): Mundësia e përdorimit të paskajores në standardin e gjuhës shqipe.

Në ditën e dytë të konferencës pritet të diskutohen probleme të drejtshkrimit dhe të pasurimit të standardit, ku referencat janë: Akad. Kolec Topalli (ASHSH dhe QSA): Drejtshkrimi i shqipes si sistem; Mehmet Elezi (Bernë, Zvicër): Standardi i ngrirë përballë gjuhës së lirë; me kumtesa: prof. dr. Mehmet Çeliku (UT): Për një përmirësim të mëtejshëm të shqipes standarde: mbi ndryshimin e disa rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe; prof. as. dr. Aljula Jubani (UT): Rregullat e drejtshkrimit të shqipes standarde dhe disa trajta të diskutueshme; prof. as. dr. Hasan Mujaj (UP): Zbatimi dhe pasurimi i gjuhës standarde në institucionet shtetërore të Kosovës etj.

Si një nga pikat më të nxehta mendojmë se përbën edhe marrëdhënia e standardit me dialektet, për të cilën do të mbajnë referencë: prof. dr. David Luka (USH): A mund të zgjerohet baza dialektore e shqipes standarde?; Ardian Vebiu (SHBA), dr. Ardian Klosi (Tiranë), Ledi Shamku-Shkreli (Tiranë): Dinamikat e pasurimit të shqipes letrare dhe norma leksikore, ndërsa kumtime do të jenë nga: prof. dr. Jorgji Gjinari (Tiranë): Marrëdhëniet e sotme të dialekteve me gjuhën letrare; prof. dr. Ferdinand Leka (Tiranë): Fjalë e ndërtime të huaja të panevojshme në shqipen e sotme etj

Dhe në ditën e fundit do të shikohet çështja e standardit dhe norma letrare në letërsi, shkolla dhe media, ku do referojnë: Akad. Sabri Hamiti (ASHAK): Gjuha shqipe e letërsisë artistike; prof. as. dr. Valter Memisha (QSA): Standardi dhe letërsia artistike; prof. dr. Ali Jashari (UK): Shqipja në “shtratin e Prokrustit” dhe përdorimi i shqipes standarde në tekstet shkollore; prof. as. dr. Bardh Rugova (UP): Gjuha e gazetave të Kosovës etj. Të gjitha ditët e konferencës do të shoqërohen me debate e diskutime që do të përmbyllen me përfundimet e konferencës, e drejtuar nga komisioni shkencor i konferencës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›