E Diel, 1 Nëntor 2026

Prushi, “skulptori” i muskujveVenera Sherner, kampionia germane e badibildingut zbuloi kampionin shqiptar. Orkezi është kampion i dyfishtë i vitit 2009, kommbëtar dhe mbarëkombëtar

Rrjetet sociale:

Orkez Prushi është kampioni i dyfishtë në “Bodibilding 2009”, në kampionatin Kombëtar dhe Kombëtar, e që zhvillua në sallën e Akademisë së Arteve në Tiranë (24 tetor), ku merrnin pjesë 20 sportistë nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi. Prushi “pronësoi” të dy titujt, ate të kampionit kombëtar dhe të kampionit absolut mbarëkombëtar. Kjo ishte hera e parë që Shqipëria i bënte të vetat të dy trofetë, pasi ky sport deri tani dominohej nga billderat kosovarë. Me një trup muskulor të fshehur pas një xhupi lëkure e një bluze të puthitur, me një zë të qetë e të sigurt, Prushi, i diplomuar për Antropologji-Psikologji nis rrëfimin. “Çdo gjë filloi në Gjermani, në Frajburg, - tregon fillimet e tij Prushi,  - dhe pikërisht nga një badibildiste femër, Venera Sherner dhe krejt rastërsisht”. Atje në Frajburgin prej 230 mijë banorësh, e ku jetonte që nga viti 1990, koha e ikjes përmes futjes në ambasat e huaja, - prindërit e tij jetojnë ende në Gjermani, - badibildingu ishte thjesht një pasion, një hobi në vendin shumëkulturësh. Më pas, nën instruktimin e kampiones gjermane, mori mësimet e para. “Më shndërrua në një pasion të jashtëzakonshme dhe nuk u shkëputa më prej badibildingut”. Shumë stërvitje, hekura, lodhje, por në mbrëmje, në shtëpinë e tij, tingujt e një viole, të ekzekutuar nga bashkëshortja e tij, Greta Prushi, orkestronte në orkestrën e Radiotelevizionit Shqiptar, ia heqin lodhjen dhe e përgatisin sërish 36-vjeçarin për të nesërmen, në rutinën e “botës së muskujve”. “Një billder nuk duhet të jetë kurrë i kënaqur me veten”, - thotë me pamjen e një ëndërrimtari Prushi. Në kampionatin e vitit 2007 Prushi u shpall kampion i Shqipërisë dhe nëkampion mbarëkombëtar. Në kampionatin e 2008-ës, zuri vendin e dyte ne kampionatin kombëtar dhe mbarëkombetar. Ne 2009 vjen edhe suksesi i madh si kampion i dyfishtë. Prushi po pergatitet qe ne muajin prill te marre pjese ne kampionatin Ballkanik te Bodybuilding.

Orkez, kur keni filluar të merreni me badibilging?
Kam filluar i ri, diku midis moshës 14-15 vjeç, por jo në formë profesionale. Thjesht, ushtrimet tradicionale tonat, ushtrime në paralele, në hekura gjimnastikorë, shtangë. Çdo gjë filloi në Gjermani, në Frajburg, atje edhe ku banoja me familjen e jam diplomuar, pikërisht nga një badibildiste femër, Venera Sherner dhe krejt rastësisht Në mënyrë profesionale kam filluar pesë vjet më parë, ku kam filluar të trajtohem me stërvitje të programuar strikte, ushqime dhe suplimente. Të gjitha këto kritere komplekse duhen kombinuar në mënyrë perfekte për të marrë dhe rezultatin e duhur.

Çdo të thotë të merresh me badibilding?
Me pak fjalë, të ndërtosh trupin përmes muskujve. Të jesh arkitekt i vetvetes, apo skulptor i trupit tënd.  Të pranosh dhe të korrigjosh defektet. Gjatë gjithë kohës je nën vëzhgimin e pasqyrës në kërkim të perfeksionit. Duhet të punosh gjithë vitin. Duke nisur nga ushqimi, regjimi i stërvitjes, të fjeturit. Janë kritere që duhen ndjekur rigorozisht dhe në ekuilibër me njëra-tjetrën.

Sa vështirë është të behesh badibilder?
Kur flasim tani mund ta konsideroj edhe si diçka të thjeshtë. Gjithsesi, duhet të jesh strikt e rigoroz në stërvitje. Seancat stërvitore janë 1-2 orë në ditë. Pasi kaq lejon dhe trupi, nga stërvitja e rëndë që bën. Trupi ka nevojë për një pauzë prej 72 orësh pauzë, që muskuli të reagojë për ngarkesën e marë. Jo i gjithë trupi punohet njëherësh. Me një grup muskujsh mund të punosh sot e ta përsërisësh pas tre-katër ditëve.

Si është dita e “punës”?
Programet janë të alternuara çdo 2-3 javë. Trupi ka memorien e vet, dhe në momentin që krijon imunitet dhe rutinën e vet, atëherë nuk reagon dhe duhen impulse të reja e alternative të reja. Duhet të përgatitet trupi për peshën që do të ngreje. Duhet të jesh i kujdesshëm, pasi trupi nuk është diçka shabllone të cilin e ke në dorë e ta palosësh si të duash. Është një anatonomi dhe ka kapriciot e veta. Ka nevojë për një mirëkuptim apo bashkëpunim midis trupit tënd dhe ngarkesës që duhet t’i japësh.

Cili është kriteri bazë mbi të cilin vlerësohet një badibilder?
Kriteri i parë është simetria, harmonia e linjave të trupit. Balancimi i gjithë muskujve. Çdo pozë, shihet në funksionon të muskujve. Madje edhe muskuj të vegjël, të cilët nuk janë shumë të qartë e të dukshëm për shikuesit në sallë, janë detaje që flasin shumë për profesionistët. Aty shihet edhe puna e sportistit.

Sa poza kryen një badilder gjatë një gare?
Janë shtatë të tilla të detyrueshme, ku sportisti prezanton trupin e tij nga të gjitha anët. Badibilderi ekspozon gjoksin, shpinën, muskujt e krahëve, ato të pulpave, femoralet, barku në pamjet ballore dhe anësore, etj.

Çfarë dallon një juri profesioniste
Vlerësohet shumë simetria e muskujve. Nuk ka rëndësi shumë madhësia e muskujve, por antagonizmi i tyre. Definicioni luan  një rol të madh, thellësia e muskujve. Lëkura duhet të jetë sa më e hollë, deri në transparencë për të lejuar deri në vizatimin e leximin e fibrave të muskujve.

A ekziston një rivalitet i ashpër midis meshkujve me fizik të fuqishëm?
Ky sport për vetë natyrën e tij, si një sport krejtësisht individual, ka brenda tij garën. Përgjithësisht ne jemi shokë me njëri-tjetrin, por kur vjen puna te gara ajo është natyrore. Jo të gjitha armët tonë të fshehta ja tregojmë njëri-tjetrit. E dallojmë shpejt se në çfarë gjëndje është njëri apo tjetri. Gjithsesi, në momentin e garës nuk ka kohë për riparime nëse kë berë gjatë periudhës përgatitore një gabim. Është punë muskujsh (qesh).

Sa masiv është badibildingu sot në Shqipëri?
Ndër pionierët e parë të badibildingut në Shqipëri është Rando Kukeli, Ilir Mema, Orion Minga, Sokol Mati. Tre-katër vitet e fundit ka marrë përmasa masiviteti, po dhuron spektakël dhe po ecën me hapa të mëdha. Sot sportistët mbushen me shumë informacione mbi badibildingun.

Në kampionatin e fundit të badiblidingut të zhvilluar para dy javësh në sallën e Akademisë së Arteve u shpallët kampion i dyfishtë, i Shqipërisë dhe mbarëkombëtar. Rivali juaj ishte Dorian Fataj nga Skrapari. Sa i ashpër është rivaliteti midis jush?
Ishte një rival shumë i fortë. Kishim të dy të njëjtën peshë, në masën muskulore ishim të dy mjaft mirë. Në një garë dikush do të jetë fituesi. Gjithsesi, për të përcaktuar fituesin në garën tonë kanë vendosur detaje të imëta. Një juri profesionale e dallon këtë. Simetria, definicioni, poza luajnë rol primar.

Kë ka Prushi idhuj të tij?
Nuk i pëlqej badibilderat klasikë. Pasi më parë ka pasur shumë poza plastike. Kur i shoh sot me syrin kritik kanë pasur shumë defekte. Edhe atëherë ka pasur badildera të shquar, por Arnold Shvarzenegeri ishte më klasiku. Kishte finesë, i shfaqte më bukur muksujt. Dinte t’i tregonte. Badilbildingu është edhe një iluzion optik, mund të jesh i vogël në dukje, por në skenë mund të dukesh i frikshëm. Pasi gjithmonë luhet me poza. Pas viteve 1990 edhe në këtë sport ka hyrë dora e shkencës. Sot badibildingu është shndërruar në një shkencë sportive. Të ndryshosh anatonominë e trupit duhet të luftosh me shkencën. Gara më prestigjioze është “Olympia”, ku shfaqen badibildera me trupa të mëdhenj. Leri Skot, Serxhio Oliva, Arnold Shvarceneger, Franko Kolumbu, Frank Zane, Kris Dikerson, Samir Banu, Dorian Yetes, Ronie Koleman, Xhej Katler apo Dekster Xhekson janë disa nga emrat më të famshëm.

Orkez, duke qenë një mashkull i fuqishëm dhe një trup gjithë muskuj, çfarë përjeton kur ndihesh i shoqëruar me njerëz më fizik të zakonshëm apo vështrohesh nga femrat?

Çdo shikim që të hedhin atë është një kompliment i bukur, kjo nuk vihet në dyshim. Të të shohin do të thotë të admirojnë. Por, ndonjeherë kthehet edhe në bezdi. Nuk ruan dot privacinë. Ne jemi si puna e “Ferrarit”. Makina të gjithë, por kush ka një “Ferrari” bën dallim.

Sa i egër është një badilder?
Përkundrazi ne jemi njerëz të butë. Më të dashur, shumë popullorë, të ekulibruar. Jemi shumë të hapur.

Ndërtimi i muskujve
Badibildingu nuk është një sport si futbolli, volejbolli apo diçka tjetër, që të mjafton talenti për të shkëlqyer, përpos edhe përgatitjes fizike. Badibildingu është një sport që kërkon një regjim të fortë, absolutisht të ashpër dhe aspak neglizhues. Kërkon një kronometrim të regjimit të gjumi, dietës dhe stërvitjes. Ushtrimet ndahen në aerobike dhe anaerobike, që do të thotë se ka ushtrime force, por dhe vrapimi, apo jo. Ka një dallim midis një njeriu që merret me fitnes dhe një tjetri që merret me badibilding.

2 orë stërvitje në ditë
Fillimisht duhen edhe 3 deri në 4 orë në ditë, duke i masakruar pa mëshirë muskujt e mi: me shtanga, hekura, susta. Sa vjen dhe bëhesh më profesional, muskujt kanë marrë formë dhe ulet natyrshëm edhe orari i stërvitjes në 1 apo 2 orë.

Supermenët

Ka një dallim të qartë midis një supermeni dhe një badibilderi. Supermenët kanë masë të madhe trupore dhe janë shumë të fuqishëm, ndërsa një badibilder “luan” me ndërtimin e muskujve, duke i zbukuruar ato. Supermenët janë njerëz që e kanë pasion sportin, por nuk mund të performojnë dot si badibilderst dhe e kanalizojnë fuqinë e tyre në sporte të veçanta. Ata mund të ngrenë pesha të mëdha, gurë apo trarë

“Doktor” i dietës

Dieta është një faktor thelbësor në jetën e një badilideri. Dieta është shumë rigoroze, gati drastike, për një model mashkullor, por të një bukurie me muskuj. Të gjitha kombinimet midis dietës ushqimore, regjimit sportiv dhe stërvitjes janë në funksion të muskujve dhe drejt një badibilderi profesionist. Dieta kërkon ekuilibrimin e karbohidrateve dhe yndyrës, për të cilat duhet të jesh një “doktor” i vetes dhe një gladiator për ta mbajtur ashtu siç kërkohet.

Gara

Nis më line-up, dmth me vendosjen e 20 badibilderave në skenë. Më pas ndahen në dy grupe me nga 10 veta, e duke vazhduar me performancën në pesë grupe me nga katër sportistë. Për në finale zgjidhen 6 apo 8 badibildera, kjo dhe në varësi të cilësisë që kanë sportistët. Në pamjen e parë dukent të gjithë njësoj, por juria arrin t’i dallojë menjëherë më të mirët.

Tri kategori garuese

Junior (nën 21 vjeç),
Senior (nën 40 vjeç)
Master (mbi 40 vjeç).

 

 
Sport i ri
Badibildingu në Shqipëri është relativisht një sport i ri, ndërsa në Ballkan, sidomos në Greqi, Bullgari e Rumani, është shumë më i vjetër dhe i përhapur. Kulmin në rang botëror e kanë Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, që kanë kapacitete shumë të larta të badibildingut. Edhe Republikat Balltike, si Letonia, Lituania dhe Estonia, e kanë të zhvilluar shumë këtë sport.

Dieta ideale

Është kombinimi ideal midis karbohidrateve dhe proteinave. Ushqimi parësor janë orizi, patatja. Fibrat merren nga buka integrale dhe tërshëra. Yndyrnat merren nga vaji i peshkut, ndërsa proteinat nga filetot e pulës dhe peshku ton. Nuk përjashtohet mishi. Duke bërë balancimin e tyre, shkrihet më pas dhjami dhe del muskuli i pastër.

Si vlerësohet fituesi

Juria është shumë speciale dhe përbëhet nga profesionistë. Vlerësohet më shumë ai që ka masën më të madhe muskulore, ka harmoni të muskujve, definicion më të mirë, vaskularitet të damarëve, sa më shumë të ketë, aq më shumë pikë merr. Trupi gjykohet në dy gjysma: busti dhe kofshët. Janë gjashtë pozat kryesore që bën një badibilder. Baza e badibildingut janë muskujt dhe është bukuria e tyre që vlerësohet. Sa më shumë muskuj të zhvilluar të kesh, aq më tërheqës dukesh. Vlerësimi gjithmonë bëhet në bazë të tyre

Skalitja e trupit

Badibilderat janë të fuqishëm, por si veçori kanë skalitjen e trupit dhe nuk kanë të bëjnë me peshën trupore. Badibildingu ndahet në tri faza: masa, shkrirja e dhjamit dhe tharja e ujërave.

Tharja e muskujve

Pasi ushqehesh bollshëm më pas, atëherë fillon fazën e tharjes së ujërave në trup në atë masë, sa lëkura duket një fletë e hollë celofani, ndërsa muskujt shfaqen plotësisht.

RIVALITETI ME KOSOVËN

Badibildungu në Kosovë është më i zhvilluar se në Shqipëri, pasi ka pasur edhe më shumë traditë. Kanë qenë më të hapur me botën, kanë pasur më shumë informacione. “Tani, - thekson kampioni mbarëkombëtar Prushi, - kjo diferencë është ngushtuar shumë, e në ndonjë rast ne kemi qenë më mirë se ata”. Në Europë dhe më gjerë janë të njohur disa badibilderë. Kosova ka shumë të tillë. Madje në vitet e fundit ata vijnë dhe garojnë në Shqipëri. Esat Lata dhe Flamur Rexha konsiderohen si nga më  profesionistët në këtë sport.
Numri i klikimeve - 3163
  E Hene, 09 Nentor 2009
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›