Ps përjashton partitë e vogla nga protesta
Kryetari i PDS, Paskal Milo: Kemi tre javë pa komunikuar me drejtuesit e PS Me sa duket vitit 2010 do të shënojë një krizë të re jo mes opozitës dhe maxhorancës, por mes Partisë Socialiste dhe partive aleate të saj. Partitë e vogla që iu bashkëngjitën Partisë Socialiste në protesta për hapjen e kutive, tashmë janë në pritje të një ftese tjetër të Edi Ramës për turin e dytë të tubimeve, të cilat priten të zënë fill nga data 10 janar. Mënjanimi i PS nga aleatët e vegjël qysh me nisjen e fazës së dytë të protestave politike-ekonomike, duket se ka
zgjuar një ndjenjë pakënaqësie te kryetarët e këtyre partive si dhe një farë ankthi për bashkëpunimet e ardhshme. Kështu, kreu i Partisë Demokracia Socialiste, Paskal Milo, i njohur si një ndër mbështetësit e PS në turin e parë të protestave, ka theksuar se po kalojnë gati tre javë që kur është ndërprerë komunikimi me PS. Në lidhje me paralajmërimin e Partisë Socialiste se do të nisë turin tjetër të protestave këto ditë, Milo është shprehur se ende nuk ka asnjë ftesë për takim nga ana e Ramës për të përcaktuar një strategji për protestat e ardhshme. Nuk jemi mbledhur që të diskutojmë nëse do të ketë veprime të përbashkëta opozitare apo do të ketë veprime të veçuara të PS. Kemi tashmë mbi tre javë që mungon komunikimi i drejtpërdrejtë për të biseduar se çfarë do të bëhet në muajin janar e më tutje. Kemi dëgjuar nga kryetari i PS dhe të tjerë të saj që do të ketë manifestime opozitare të përshkallëzuara, por përtej këtij informacioni, nuk kam asnjë të dhënë tjetër. Në pritje jo të ndonjë takimi përmbyllës të vitit të ri, sepse mesa duket është konsideruar i panevojshëm, por me fillimin e vitit 2010 të mund të kemi një takim, ku do të parashtrojmë idetë dhe qëndrimet tona modeste por realiste, objektive dhe do të dëgjomë gjithashtu dhe kolegët e tjerë se si i mendojnë zhvillimet e mëtejshme të protestës opozitare, është shprehur Milo. Kreu i PDS ka kritikuar edhe vendimin e Ramës për turin e dytë të protestave, duke e akuzuar atë për moskorrektësi.Ishim në pritje të njoftimit dhe jemi të habitur nga mungesa e korrektësisë nga ana e Partisë Socialiste. Nëse kanë vendosur të protestojnë pa ne, na detyrohen të paktën një komunikim. Nuk kemi pasur asnjë informacion apo asnjë kontakt për mënyrën se si do të organizoheshin këto mitingje-proteste nga ana e PS, gjithnjë duke shkuar me bindjen që aleatët njoftohen zakonisht në fund. Ne kemi pritur një njoftim në fund, më konkretisht për mitingun e Durrësit, por nuk e kemi pasur një gjë të tillë dhe për rrjedhojë nuk kemi qenë prezent në mitingun e PS të organizuar në këtë qytet përpos nevojës për konsultime reciproke ose për një informim minimal që aktivitetet PS ka vendosur ti zhvillojë vetë dhe pa praninë e aleatëve, është shprehur Milo për turin e dytë të protestave. DuleEdhe kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, bëri me dije se deri më tani nuk ka pasuar asnjë tentativë bashkëpunimi nga ana e Partisë Socialiste për organizimin e protestave të ardhshme. Dule nuk mbajti një qëndrimi nëse do ta shoqëronte apo jo sërish Ramën në misionin e tij, por tha se ende nuk ka pasur një ftesë nga ana e tij. Është ende herët për këtë. Ne akoma nuk jemi çlodhur nga festat e fundvitit. Megjithatë ende nuk kemi diskutuar për këtë, ose më saktë nuk kemi pasur një komunikim me Partinë Socialiste, është shprehur Dule. PBDNJ ishte parti aleate më PS në zgjedhjet e qershorit, ku më pas e akuzoi për vjedhje vote. Megjithatë, pas një periudhe të tensionuar, ndonëse me vonesë Dule iu bashkua Ramës në protesta kundër qeverisë. Por jo vetëm ky vendim, por dhe vendimi për koalicion me PS ka shkaktuar përplasje të vogla brenda PBDNJ, ku një pjesë e anëtarësisë së saj ishin për koalicion me PD. Protestat e dyta u zhvilluan pa aleatët Turi i dytë i protestave të opozitës, u zhvillua vetëm me përfaqësuesit dhe mbështetësit e PS, pra pa praninë e aleatëve. Për këtë PS nuk dha asnjë sqarim, por vetë partitë e vogla u justifikuan duke thënë se ato protesta ishim më shumë ekonomike se sa politike. Pra më shumë një çështje, e cila i përkiste vetëm PS. Megjithatë kjo gjë solli pakënaqësi nga aleatët e majtë. Madje kjo mungesë e komentua në mënyra të ndryshme dhe nga drejtues të partive të majta, të cilët kërkuan të jepnin kontributin e tyre në aksionin opozitar. Në komentet e tij për këtë, kreu i Partisë Demokracia Sociale e ka quajtur vendimin e Ramës për të mos thirrur aleatët një formë tradhtie. Ndërsa në protestat e para 20 nëntorit 2009, protestat e opozitës në qytetet kryesore të vendit, bënë të mundur bashkimin rreth kauzës së PS-së, jo vetëm partitë e majta opozitare, por dhe ato të djathta.
Last Updated on E Marte, 05 Janar 2010 23:42