Berisha: Rama mban peng planin rregullues të Tiranës
Kryeministri Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama shkëmbejnë sërish akuza në distancë edhe në Ditën e Verës. Për të disatën herë radhazi, shkak për akuzat e dy kundërshtarëve politikë ka qenë pikërisht plani urbanistik i kryeqytetit. Nga qyteti i Elbasanit, ku shkoi me rastin e ditës së verës, kreu i qeverisë i kërkoi kryebashkiakut Rama që të dorëzojë në KRRTRSH planin rregullues të Tiranës. Sipas Berishës, ky plan është i qytetarëve të kryeqytetit dhe jo i kryetarit të bashkisë. “Studimet urbanistike janë një kusht vendimtar si për zhvillimin e qendrave urbanistike, ashtu dhe për luftën pa kompromis kundër korrupsionit. Ata që bllokojnë studimet urbanistike, ata vetëm dëshmojnë se territorin e qytetit të tyre, siç është rasti i Tiranës, e duan për ta mjelë dhe për ta vjelë. Ndaj, dua t’u bëj thirrje sot për ditë feste kryetarit të Bashkisë së Tiranës, si dhe të kryetarëve të gjitha qyteteve të mëdha, por në mënyrë të veçantë atij të Tiranës, sepse ai përfunduar dhe e ka ndryrë në sirtar, të dorëzojë planin urbanistik sepse nuk është pronë as e “EDIL”-it dhe as e Edvinit, por është pronë dhe pasuri e qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë”, u shpreh Kryeministri Berisha. Në të njëjtën kohë ai mori pjesë edhe në ceremoninë e inaugurimit të furrës së re elektrike me hark dhe impiantin integrues të filtrimit, në kompaninë e çelikut “Kurum”, e cila festonte dje edhe 10 vjetorin e fillimit të aktivitetit të saj në Shqipëri. Gjatë këtij aktiviteti kreu i qeverisë tha se ky investim prej 120 milionë euro është provë e besimit që kanë investitorët e huaj për të investuar në Shqipëri. Por menjëherë pas kritikave të Kryeministrit ka reaguar Bashkia e Tiranës, nëpërmjet nënkryetarit Eduard Shalsi. “Ky njeri që nuk lë njerëzit rehat as në ditë festash duhet të kuptojë që nuk është populli shërbëtor i tij, por është ai shërbëtor i popullit. Kupa e tij është mbushur, madje ka kohë që po derdhet. Është shndërruar në një njeri të bezdisshëm, por ne nuk do merremi në ditë festash me të, por në ditë të zakonshme”, theksoi Shalsi. a.k