Balla: Aplikimi në BE jo instrument elektoral
Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme në PS, Taulant Balla, gjatë një vizite disa ditore në Bruksel dhe Strasburg zhvilloi takime me përfaqësues të KE dhe anëtarë të PE lidhur me mundësinë e paraqitjes së aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Qëllimi i kësaj vizite, sipas deputetit Balla ishte konsultimi me Komisionin dhe Parlamentin Evropian, nëse Shqipëria duhet të aplikojë para ose pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. “Është shumë e rëndësishme të kuptojmë që aplikimi për statusin e vendit kandidat nuk duhet përdorur si një instrument elektoral. Standardi i zgjedhjeve përbën një detyrim dhe kriter të rëndësishëm për ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë. Gjithashtu, BE ka një axhendë shumë të ngjeshur politike për shkak të krizës ekonomike, zgjedhjeve evropiane në fillim të muajit qershor, zgjedhja e Presidentit të ri të Komisionit dhe kolegjit”, theksoi deputeti socialist. Gjatë vizitës në Strasburg, zyrtari socialist u takua me zëvendëspresidentët e PE, Alejo Vidal Quadras (PPE) dhe Kristian Vigenin (PSE).