OSBE: Koha për përmbylljen e reformave

15 vjet nga themelimi i prezencës së OSBE në Shqipëri, ambasadori Eugen Wollfarth ka evidentuar kursin pozitiv që po marrin reformat në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit, të cilat duhet të kulmojnë me përafrimin e vendit me familjen evropiane
Topalli: OSBE, mbështetje të paçmuar në rrugën e reformave
Verdikti i tryezës: “Ajo që duhet të ndryshojë është sjellja politike jo formulat e Kodit Zgjedhor”
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri shënon dje 15-vjetorin e krijimit të saj, në një veprimtari të mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë, të organizuar nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe Kryetari i Prezencës, Ambasadori Eugen Wollfarth. “Për 15 vjet, Prezenca e OSBE-së e ka mbështetur Shqipërinë në rrugën e reformave gjithëpërfshirëse, duke ndihmuar në konsolidimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të institucioneve kombëtare”, tha ambasadori Eugen Wollfarth në ceremoni.
“Gjatë 15 viteve të fundit, është bërë përparim i ndjeshëm. Falë punës së madhe dhe përkushtimit të qeverisë aktuale dhe atyre të mëparshme, sot shohim një Shqipëri më të fortë, më të gjallë e më të mirë. Gëzimi më i madh që ndaj me qytetarët shqiptarë është liberalizimi i vizave. Me krenari mund të them se Prezenca e OSBE-së ka kontribuar në përparimin që ka bërë ky vend. Jam veçanërisht krenar që Prezenca ka kontribuar në procesin e reformave që kulmoi me liberalizimin e vizave Shengen”, theksoi ai.
Ai tha se në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë i bashkohet të gjithë atyre që duan të shohin të bëhen përpjekje më të mëdha në axhendën e reformave.
“Në vitin 2012, ndërsa Shqipëria feston 100-vjetorin e pavarësisë së saj, unë u bashkohem të gjithë atyre që duan të shohin të bëhen përpjekje më të mëdha në axhendën e reformave”, shtoi më tej Wolfarth.
Duke vënë në dukje se progresin e bërë në lidhje me miratimin e ligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar, ambasadori tha se, “Shqipëria është kthyer në rrugën e dëshiruar të realizueshmërisë. Është një zhvillim që meriton të përshëndetet dhe që duhet të vazhdojë. Ne shpresojmë të shohim zhvillim të mëtejshëm të reformës zgjedhore, gjyqësore dhe parlamentare, shpresojmë të shohim shtim të përpjekjeve për të luftuar korrupsionin dhe trafikimin, si dhe përfundim në kohë dhe cilësor të reformave”, tha Wollfarth, duke vënë në dukje shenjat inkurajuese të kohëve të fundit.
“Çfarë nevojitet për hapat në vazhdim? - një ndjenjë e dukshme kompromisi, drejtësi dhe vullnet i mirë për të qenë të frytshëm dhe një besim që duhet përforcuar më tej?”, nënvizoi ambasadori i OSBE-së në Tiranë.
Qëllimi i Prezencës së OSBE-së është të promovojë shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, si dhe të forcojë institucionet demokratike, në përputhje me parimet dhe angazhimet e OSBE-së.
Prezenca është e mandatuar të punojë në fushat e reformave legjislative dhe gjyqësore, reformës së pronave, reformës elektorale, reformës administrative rajonale, rritjes së kapaciteteve parlamentare, antitrafikimit dhe antikorrupsionit, zhvillimit të medias, promovimit të qeverisjes së mirë, zhvillimit të shoqërisë civile dhe ndihmës për policinë. Gjithashtu, ajo ndihmon në procesin e demilitarizimit. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri u krijua nga Këshilli i Përhershëm i OSBE-së më 27 mars 1997.
Topalli: OSBE, mbështetje të paçmuar në rrugën e reformave
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vlerësoi të martën mbështetjen e paçmuar që Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i ka dhënë Shqipërisë në procesin e reformave të integrimit në BE.
Në ceremoninë e organizuar në selinë e Kuvendit me rastin e 15-vjetorit të partneritetit mes Shqipërisë dhe OSBE kryetarja Topalli tha se, “Shqipëria u bë anëtare e Prezencës 21 vite më parë, që nga ajo vendi ynë ka pasur një bashkëpunim të frytshëm. Gjatë këtyre viteve bashkëpunimi administrata dhe Kuvendi janë rritur së bashku. Vlerësoj po ashtu praninë e OSBE-së në vendin tonë në mbështetje të konsolidimit të demokracisë”, tha ajo.
“Ka pasur një bashkëpunim të frytshëm dhe të suksesshëm, të cilin jemi të gatshëm ta vazhdojmë. Gjithashtu, vlerësojmë edhe bashkëpunimin me ODIHR, sidomos për vëmendjen në procesin zgjedhor. Jemi të interesuar ta vazhdojmë këtë bashkëpunim për zgjedhjet”, theksoi kryeparlamentarja.
Duke u ndalur te mbështetja që OSBE i ka dhënë institucionit të Kuvendit të Shqipërisë, Topalli prezantoi edhe projektin më të ri në administrimin e legjislativit shqiptar: Handbook-un me të dhënat statistikore për legjislaturën e XVIII-të.
“I ofruar si në shqip edhe në anglisht, Handbook është një hap i rëndësishëm për statistikat. Parlamenti është dhe do të jetë institucioni kyç në plotësimin e demokracisë, të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, mbikëqyrjes, transparencës, sigurimit të akteve kombëtare”, nënvizoi Topalli.
Në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë ajo kërkoi angazhimin e të gjithë deputetëve për të votuar ligjet që i hapin rrugën realizimit të reformave të integrimit të Shqipërisë në BE. “Në kuadër të 100 vjetorit të bëjmë të mundur përmbushjen e reformave për integrimin në BE. Të votojmë së bashku shumë ligje që kërkojnë 3/5, shumë ligje për përmbushjen e reformave integruese”, tha ajo.