SHBA: S’ka ende vendim për në NATO
• Ambasada amerikane ka hedhur poshtë dje publikimet mediatike për një vendim të ambasadorëve të NATO-s në Bruksel për marrjen e ftesës nga Shqipëria.Aristir Lumezi Sipas saj, asnjë vendim nuk është marrë ende për vendet e Adriatikut 3. “Dëshirojmë të sqarojmë që asnjë vendim formal nuk është marrë ende në lidhje me anëtarësimin e mundshëm në NATO për Shqipërinë apo ndonjë prej vendeve të Adriatikut 3. Të 26 aleatët duhet të jenë në një mendje, në mënyrë që të ofrohet një ftesë”, thuhet në sqarimin e ambasadës amerikane në Tiranë. Ambasada amerikane në Tiranë vlerëson përparimet e bëra në Shqipëri në lidhje me reformat integruese, por thekson se mbetet ende shumë për t’u bërë. “Kohët e fundit kemi vënë re përparim domethënës në përpjekjet e Shqipërisë për të përmbushur standardet e bazuara mbi rezultatet e NATO-s, siç janë përvijuar në Planin e Veprimit për Anëtarësim. Megjithëkëtë, mbetet më shumë për t’u bërë”, shprehet ambasada amerikane në njoftimin e saj për shtyp. Zhvillimet e reja politike në vend, në kuadër të Samitit të Bukureshtit shihen pozitive nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por përfaqësia e saj diplomatike në Tiranë e konsideron të paplotë reformën zgjedhore dhe atë gjyqësore. Edhe pse e përshëndet rezolutën e opozitës për reformat, SHBA shprehet se ajo është e pamjaftueshme. “Jemi inkurajuar nga qëndrimi i përmirësuar bipartizan kundrejt bashkëpunimit, diçka e evidentuar, midis të tjerash, nga miratimi unanimisht i një rezolute të paraqitur nga opozita në mbështetje të reformave për të përmbushur kriteret e NATO-s. Megjithatë, një numër domethënës reformash, specifikisht në fushat e reformës zgjedhore dhe gjyqësore, mbeten të paplota”, theksohet ndër të tjera në deklaratën e ambasadës amerikane. Edhe pse i shohin pozitivisht paktet politike në sqarimin e saj për mediat, ambasada amerikane në Tiranë kërkon reforma konkrete për Shqipërinë, nëse ajo pretendon të jetë një kandidate e mundshme për të marrë ftesën për në NATO. “Në vazhdim të përpjekjeve vazhdojmë të presim përparim të mëtejshëm drejt këtyre reformave për t’u siguruar që Shqipëria të jetë kandidatja më e fortë e mundshme në kohën kur të merren vendimet përfundimtare të NATO-s. Në një nga edicionet e tij informative, Top Channel njoftoi se NATO ka marrë vendim të pranojë Shqipërinë në këtë aleancë. Sipas këtij burimi, vendimi është marrë nga mbledhja e ambasadorëve të aleancës, ndërsa pritej që përfundimisht për të të vendosnin dhe ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s në mbledhjen e radhës para Samitit të Bukureshtit më 6 mars. Ndërkaq, Presidenti maqedonas, Branko Cervenkovski, i është drejtuar me një letër 26 vendeve anëtare të Aleancës, përmes së cilës kërkon që vendi i tij të mos ndahet nga dy vendet e tjera të Kartës së Adriatikut për të marrë ftesën zyrtare në Samitin e Bukureshtit. Pritet që vendet e Adriatikut 3 të kalojnë sfidën e mbledhjes së ministrave të jashtëm më 6 mars, ku do të shihen ecuritë e reformave kryesisht në Shqipëri.BukureshtiTë tre vendet e Kartës së Adriatikut po vrapojnë përmes reformave që kanë marrë në përpjekje për të plotësuar të gjitha detyrimet që Aleanca Euroatlantike kërkon për të qenë të gatshme në Samitin e Bukureshtit në prill të këtij viti. Nga Bukureshti deri në Samitin e radhës në nëntor 2009, këto vende do të duhet të tregojnë se reformat për të qenë në NATO i kanë bërë seriozisht. Mediu: SHBA pro hyrjes sonë në NATOMinistri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka deklaruar se SHBA-ja është pro anëtarësimit në NATO. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka deklaruar se, “SHBA dhe vendet me peshë në Bashkimin Evropian mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”. “Ka një klimë mjaft pozitive për anëtarësimin e vendit në strukturën euroatlantike, ne jemi në një moment shumë historik për t’u anëtarësuar në familjen evropiane, ku bashkohet me një moment po kaq të rëndësishëm historik, siç është ai i pavarësisë së Kosovës”, deklaroi Mediu. Ai tha se shumë vende të rëndësishme kanë deklaruar mbështetjen e anëtarësimit të Shqipërisë në familjen e madhe evropiane. “Me të gjitha takimet që kam zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë në Departamentin e Shtetit, në departamentin e mbrojtjes në Senat dhe Kongres, duket një mbështetje e padiskutuar e SHBA për të mbështetur ftesën e anëtarësimit të Shqipërisë në Samitin e ardhshëm”, tha Mediu.