E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse duhet konsoliduar sistemi i drejtësisë

Autori i Lajmit: red.
Konsolidimi i një sistemi drejtësie dhe gjyqësori që efektivisht dhe maksimalisht parandalon shkeljet e ligjit, një sistemi të aftë për të hetuar dhe dënuar sipas ligjit personat përgjegjës
“Takimi me ju përbën një kënaqësi të dyfishtë: takohem me një auditor të nderuar të një vendi dhe populli mik me Shqipërinë e shqiptarët, por njëherësh është rasti të flasim për një çështje me rëndësi fondamentale për modelin e shtetit të së drejtës: për një sistem drejtësie të pavarur dhe profesional. Për ju, brezin e studentëve dhe anëtarëve të stafit akademik të Torinos, janë tashmë të njohura përvojat shumëvjeçare të shoqërisë italiane të pas Luftës së Dytë Botërore për arritjen e modelit të demokracisë funksionale të modelit perëndimor, ku arrihet dhe garantohet ndarja dhe balanca kushtetuese e pushteteve. Gjithashtu, besoj është i njohur për ju edhe modeli tjetër që ekzistoi për më se gjysmëshekulli në pjesën lindore të Evropës, një sistem njëpartiak, ku vendimet e gjykatave jepeshin në emër të partisë shtet dhe sipas porosive të saj.
Për ne shqiptarët, që ndodhemi vetëm disa dhjetëra kilometra në anën tjetër të Adriatikut, përvoja italiane e krijimit, forcimit dhe garantimit të një sistemi drejtësie funksional, të pavarur dhe profesional, ka qenë e mbetet gjithnjë frymëzuese dhe model për t u ndjekur. Gjatë këtyre viteve ne kemi përfituar mjaft nga përvoja e institucioneve italiane të drejtësisë, kemi një bashkëpunim të shkëlqyer midis KLD italiane e shqiptare, midis universiteteve tona dhe, aktualisht, disa qindra studentë shqiptarë kanë përfunduar ose janë në vijim të studimeve në shkencat juridike në universitetet italiane. Ne modelin tuaj ne kemi parë gjyqtarë kurajozë, që kanë sakrifikuar jetën në luftë kundër grupimeve kriminale, kemi parë gjykata që kanë bërë udhëheqës politikë të përballen me drejtësinë, kemi parë operacione masive të antimafias dhe kundër llojeve të reja të krimit të organizuar me burim nga brenda apo nga jashtë vendit tuaj. Të gjitha këto përvoja janë për ne një dëshmi e suksesit, e arritjeve dhe e besimit publik tek institucionet funksionale të drejtësisë, një përvojë që jemi të etur ta marrim, ta përvetësojmë dhe ta zbatojmë edhe në Shqipëri.
Për një popull të lodhur nga diktatura e gjatë, privimi shtetëror i lirive individuale, i pronës private, besimit fetar, etj, nuk ka mision më të rëndësishëm sesa garantimi i lirive në të gjitha dimensionet e saj. Për rreth 30 vjet Shqipëria komuniste ndaloi me ligj institucionin e avokatit, mijëra dënime u kryen pa praninë e të akuzuarve dhe masa të tjera represive prekën një numër të madh të familjeve shqiptare. Me ardhjen e demokracisë do të duhej që gjithçka të ringrihej nga e para: kishim nevojë për Kushtetutë të re, ligje të reja, institucione e ndërtesa të reja, shkolla të reja por edhe për personel të ri të kualifikuar. Nëse përpjekjet për infrastrukturë të re morën një 10-vjeçar, çështja kryesore, ajo e krijimit të një mentaliteti të ri, mentalitetit të gjyqtarit të paanshëm, avokatit të qytetarëve, respektimit rigoroz të të drejtave të njeriut, etj, kërkon shumë më tepër kohë dhe energji.
Në vendin tim, aktualisht ne kemi një debat të gjerë publik rreth reformës në sistemin e drejtësisë. Synimi është të reformojnë sistemin, në atë mënyrë që të ekzistojnë mekanizma të qëndrueshëm për spastrimin e vetë sistemit nga elementët e inkriminuar apo abuzues me ligjin, por njëherësh edhe të garantojnë forcimin e mëtejshëm të pavarësisë dhe lirisë kushtetuese të vetëqeverisjes së sistemit gjyqësor. Kushtetuta përcakton qartë parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, por gjatë praktikës jemi ndeshur si me problemet e vetë sistemit për të ngjallur besim publik e optimizëm, ashtu edhe me përpjekjet e politikës për të imponuar vendimmarrjen apo karrierën profesionale në sistemin e drejtësisë. Për mendimin tim, edhe pse të shpjegueshme për një shoqëri që ndryshon dhe tranzicionin në mentalitet e praktikë, në thelb, si njëri ashtu edhe tjetri fenomen kanë qenë e janë të gabuara.
Shqipëria është një vend që aspiron anëtarësimin në BE dhe në NATO. Ne jemi në fazën e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe të ratifikimit të procesit të marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO. Janë dy sfida me rëndësi historike për ne, dhe si një vend fqinj, me interes edhe për Italinë fqinje, ndihma e së cilës ka qenë gjithnjë e pakursyer. Përballë këtyre synimeve ne jemi të vetëdijshëm për nevojën që modeli ynë i shtetit të së drejtës duhet të jetë i krahasueshëm me vendet anëtare të BE-së. Ndaj reformën në sistemin e drejtësisë e kemi renditur prioritet kryesor dhe kjo ka konsensusin e plotë parimor të të gjitha partive politike parlamentare, mazhorancës dhe opozitës.
Reformat në sistemin gjyqësor, por edhe në atë të drejtësisë në tërësi, i kam vlerësuar si reforma në funksion të garantit ligjor për ndërtimin e konsolidimin e një sistemi shoqëror të drejtë, që ofron siguri dhe që u përshtatet sfidave dhe zhvillimeve, një sistemi në të cilin garantohen të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, i vëmendshëm dhe dedikuar ndaj nevojave dhe shërbimit për publikun, ku cilido gjen mbrojtje ligjore të të drejtave nga gjyqtarë të pavarur, të paanshëm dhe me nivel të lartë profesional, të cilët bëjnë pjesë në një sistem gjyqësor gjithashtu të pavarur, të besueshëm dhe eficient.
Konsolidimi i demokracisë, shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut në mënyrë vendimtare kërkon të mbështetet në standardet bashkëkohore të një pushteti dhe sistemi gjyqësor të pavarur, të paanshëm, me integritet dhe eficient në të gjitha aspektet e organizimit, funksionimit dhe administrimit të tij. Pak më hollësisht, ky objektiv përfshin një numër parimesh dhe synimesh, ku do të përmendja:
Zhvillimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve juridike në shoqëri, të reflektuara në një legjislacion të kompletuar e bashkëkohor, të zbatueshëm dhe të kuptueshëm;
Konsolidimin e një sistemi drejtësie dhe gjyqësor, që i garantojnë individit mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore;
Konsolidimin e një sistemi drejtësie dhe gjyqësor që efektivisht dhe maksimalisht parandalon shkeljet e ligjit, një sistemi të aftë për të hetuar dhe dënuar sipas ligjit personat përgjegjës;
Organizimin e një sistemi gjyqësor të pavarur nga pushtetet e tjera apo nga influenca të tjera të çfarëdolloji.
Garantimin e një sistemi dhe procedurash efektive për të gjithë, të paanshme, eficente, të shpejta, dhe që nuk diskriminojnë e nuk përjashtojnë askënd për shkak të pamundësive sociale apo ekonomike;
Garantimin e një sistemi ligjor dhe institucional që përveç se garanton standardet kushtetuese e ndërkombëtare, ofron kapacitete dhe mundësi për t u përshtatur në shkallën e duhur dhe në vijimësi me nevojat e vendit, me volumin e natyrën e çështjeve që trajtohen, me superstrukturë dhe infrastrukturë sa më të përqendruar të hallkave të ndryshme të drejtësisë, gjë që mundëson administrim eficent dhe lehtësi për përdorimin e gjykatës nga institucionet e tjera dhe publiku.
Të nderuar profesorë dhe studentë,
Ju ftoj ju të vini dhe ta vizitoni Shqipërinë, të krijoni lidhje dhe partneritet me kolegët tuaj të universiteteve shqiptare. Shkëmbimi i përvojës sjell përfitim të dyanshëm dhe është i rëndësishëm sidomos për studentët dhe pedagogët shqiptarë, për të cilët universiteti juaj konsiderohet me të drejtë një institucion me prestigj jo vetëm brenda Italisë, por edhe jashtë saj. Lidhjet, shkëmbimet e përvojës, por edhe projektet e përbashkëta universitare dhe profesionale gjykoj se kanë dobi të menjëhershme, por edhe në perspektivë, kur ju do të jeni në funksione aktive në profesion dhe jam i sigurt, puna do t ju kërkojë kontakte pune me të gjithë fqinjët, përfshirë edhe shqiptarët".

Nga prof. dr. Bamir Topi
Ky lajm është publikuar: 18/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›