E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkatërrohet banda e grabitjes së makinave

Autori i Lajmit: red.
Thyenin xhamat e makinave me qëllim që të vidhnin mjetin. Në rastet kur nuk mund ta vinin makinën në lëvizje, merrnin gjthçka të çmontueshme. Kjo ka qenë skema që kanë ndjekur dy të rinj nga qyteti i Durrësit për të grabitur makinat e parkuara anës rrugës. Pas një sërë denoncimesh të mbërritura pranë uniformave blu, policia ka nisur hetimet dhe ka mundur të zbardhë skemën e grabitjes. Pakujdesia e dy të rinjve në mënyrën e vjedhjes, i ka lehtësuar punën policisë për të mbërritur në gjurmët e tyre. Dy net më parë, Policia e Durrësit ka vënë në pranga Emiliano Korçën, 21 vjeç dhe një 17-vjeçar me inicialet E.H nga Sukthi.
Arrestimi
Dy të rinj janë vënë në pranga për vjedhjen e makinave. Burime nga Policia e Durrësit bënë të ditur dje se janë regjistruar disa raste të dëmtimit të automjeteve, të cilave u thyheshin xhamat me qëllim vjedhjen e sendeve të ndryshme që mund të ndodheshin brenda tyre. Pas grumbullimit të denoncimeve, Seksioni kundër Pronës në Policinë e Durrësit, pas evidentimit, ka filluar punën operative për zbulimin e kësaj veprimtarie keqbërëse. Në pranga janë vënë Emiljan Korça 21 vjeç, lindur e banues në fshatin Perlat, Sukth të Durrësit dhe E. H., 17 vjeç, banues në Perlat, të Sukthit, Durrës. Policia tha se, ndaj tyre, është marrë masa e arrestit në flagrancë.
Operacioni
Ishte operacioni i koduar “Trekëndëshi” që është realizuar dy ditë më parë në lagjen numër 1 të Durrësit. Dy të rinjtë, të pajisur me maska në kokë si dhe me mjete të tilla si kaçavida e pinca, po tentonin të vidhnin me thyerje makinën tip “Mercedes Benz” 250 D, me targa CL 68867, pronë e A. M. Pas arrestimit, të dyshuarve iu faturua dhe vjedhja me thyerje më 11 tetor, në orën 01:30, në lagjen numër 4, Durrës, kur kanë vjedhur makinën “Mercedes Benz 320 CDI”, prodhim i vitit 2006, me targa DR 5303 E, pronë e qytetarit D.Z. Autorët, pasi kanë thyer xhamin trekëndësh të automjetit, kanë marrë në të dy aparate telefoni celular tip “Nokia” e “Vodafon”, veshje të ndryshme, shumën prej 200 euro si dhe një aparat fotografik. Rasti i dytë është vjedhja me thyerje e ndodhur një ditë pas së parës. Rreth orës 02:00, në lagjen numër 12, Durrës, u vodh autovetura tip “Mercedes Benz Regina S 500”, e prodhimit të vitit 2006, me targa BF 434 DV, pronë e shtetasit B. Gj., në të cilën autorët, pasi kanë thyer xhamin e mjetit, kanë marrë në të 10 palë çelësa automjetesh të viteve të fundit të cilat ky person i kishte në tregun e automjeteve, veshje të ndryshme, dy aparate telefoni celular si dhe një sasi bizhuterish. Rasti i tretë është vjedhja me thyerje e ndodhur në datën 13 tetor 2008, në lagjen numër 17, Durrës. Këtu është vjedhur fuoristrada me targë BA 38848, pronë e qytetarit R. M., në të cilën autorët, pasi kanë thyer xhamin, kanë marrë në të dy aparate telefoni celular tip “Nokia” si dhe dy xhupa fëmijësh.
Nga kontrolli i ushtruar në banesën e Emiljano Korçës në fshatin Perlat, është bërë e mundur gjetja dhe sekuestrimi, në cilësinë e provave materiale, i sendeve të vjedhura në këto automjete
Ky lajm është publikuar: 18/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›