E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: LSI gati të nxjerrë Berishën në pension, po të dojë edhe Rama

 

Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi dy ditë më parë  Konferencën e Dytë Zgjedhore e LSI-së për rrethin Beratit me qëllim ripërtëritjen e strukturave të saj. Meta gjatë fjalës së tij shprehur gatishmërinë për të nxjerrë në pension Sali Berishën, përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 2009. "Jemi në një moment, kur jo vetëm Sali Berisha vjen duke u plakur dhe kemi thënë që këtë vit ai mbush moshën e pensionit dhe në 2009 ai do të dalë me çdo kusht në pension. Unë jam i gatshëm të dalë që sot, po të bjerë dakord Edi Rama", tha Meta. Në këtë kuadër Meta shtoi se, "në këtë moment që të gjithë ata që janë opozitarë po kuptojnë dhe po konkretizojnë, gjithnjë edhe më shumë qëndrimet e dyfishta të kryetarit të Partisë Socialiste, që e theksoj që nuk kanë asnjë lidhje me aspirata dhe mendime dhe me shqetësimet e të gjithë anëtarëve të PS, të cilët të jeni të sigurt që nuk i kanë pyetur asnjëherë për çështjet më të rëndësishme, kur ai ka bashkëpunuar me Berishën". Përveç kësaj, sipas Metës, Rama ka hedhur poshtë edhe kontributin, jo vetëm të partisë, por edhe përgjegjësitë e të majtës gjatë 18 vjetëve demokraci dhe pluralizëm. "Ai ka hedhur poshtë kontributin e asaj të majte që e bëri Shqipërinë, pasi e dogji Berisha në '97-ën. Edi Rama hedh poshtë ata vlera dhe arritje pozitive të partisë që ai drejton, e cila pa asnjë diskutim ka pasur vlera të rëndësishme në mbrojtjen e demokracisë, në rilindjen e shtetit të djegur nga Berisha, të cilit në 21 prill Edi Rama i dha po aq pushtete sa kishte në '97-ën. Për ato pushtete që i dha nuk pyeti anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Socialiste, sepse dhe në këtë sallë ka shumë ish-anëtarë të PS-së, si puna ime, të cilët kanë luftuar në '94-ën, në Berat dhe në gjithë Shqipërinë, që Sali Berisha mos t'i merrte këto pushtete me referendumin që ai provokoi", tha Meta. Duke komentuar reformat që po bëhen në vend, Meta tha se përmes të ashtuquajturave reforma, Berisha vetëm ka forcuar pushtetin e tij. "Çfarë janë këto reforma që po bëhen në Shqipëri?!", tha Meta. "Berisha me reformat që bëri, u bë më i fortë se Parlamenti, dobësoi Kushtetutën, kompetencat e presidentit të republikës dhe futi në ankth prokurorinë dhe gjykatat. Po këtë e kërkon edhe Rama që ne të bashkëpunojmë për ligjin e prokurorisë, atëherë prokurorët janë të pasigurt nëse do ta godasin vërtet korrupsionin e Berishës dhe të ministrave të tij pa imunitet. Atëherë, reforma e Berishës na solli një krizë të madhe institucionale në vend", u shpreh Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›