E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Ajri në Tiranë është përmirësuar ndjeshëm

 

zirina llambro

Pas deklaratës së ministrit Xhuveli disa ditë më parë, të njëjtën gjë ka pranuar edhe kryebashkiaku Edi Rama. "Duke i'u referuar fakteve të pamohueshme, si dhe raporteve të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare mbi gjendjen e mjedisit,
Qeveria u detyrua më në fund të pranonte dje përmirësimin e ndjeshëm të pastërtisë e të cilësisë së ajrit në Tiranë", tha Rama. Ai shtoi se ky rezultat i padiskutueshëm lidhet me efektet e punës kolosale të Bashkisë së Tiranës qysh nga viti 2000 për rritjen e përmasës së gjelbër të qytetit dhe përmirësimin e cilësisë së pastrimit. "Fakti se sot në kryeqytet kemi 4.3 m2 gjelbërim për frymë nga 3.1 që kishim tetë vjet më parë, është njëri ndër treguesit më kuptimplotë të kësaj pune, po jo i vetmi. Kryebashkiaku bëri me dije se këtë vit të shërbejnë për pastrimin e qytetit 120 makineri të reja. "Ato do të jenë më cilësore sesa ato që kanë punuar deri tani. Gjithashtu do të shtojmë 400 punëtorë në pastrim, si edhe do të rrisim fondin e punësimit në dobi të mjedisit", theksoi Rama. Ai paraqiti të dhëna për gjelbërimin në qytetet duke nënvizuar se, do të investohet që ai të rritet më tej. "Sot është dita për të thënë se këtë fundviti, do të mbjellim 6000 pemë të reja, 3500 brenda në qytet dhe 2500 në Parkun e Liqenit, ku do nisim edhe projektin tonë të madh të rehabilitimit të parkut, fillimisht me rrugët e brendshme, korsitë e biçikletave e të vrapuesve", deklaroi Rama. Nga ana tjetër është vënë tërësisht nën kontroll mjedisor fusha e mbeturinave të Sharrës dhe është rritur dukshëm cilësia e pastrimit në Tiranë. "Objektivi ynë i shpallur një vit më parë se Tirana do të jetë në vitin 2011 qyteti më i pastër i Shqipërisë,  do të realizohet përpara afatit që u kemi dhënë qytetarëve", shtoi Edi Rama. Por përkundër këtyre argumenteve të dhënat e specialistëve flasin ndryshe. Sipas monitorimit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik për periudhën janar-qershor 2008 ndotja në Tiranë rezulton t'i tejkalojë disa herë normat e lejuara të BE. "Niveli i grimcave të pluhurit dhe lëndëve të ngurta prezente në ajër është 2-3,5 herë më i lartë ndaj normave të lejuara të vendeve të BE-së, duke na klasifikuar në zonën e rrezikut shëndetësor", thuhet në raportin e dërguar edhe në Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas specialistëve të ISHP-së, po rritet në mënyrë të qëndrueshme edhe përmbajtja e dioksidit të azotit (NO2) në ajrin urban të këtyre qyteteve, si rezultat i shtimit të trafikut automobilistik. "Në Tiranë përmbajtja mesatare e tij është më e lartë se norma e lejuar në vendet e BE-së, pra veç grimcave në Tiranë po bëhen problem shëndetësor edhe gazet e shkarkuar nga automjetet", theksohet në raport. Listës së qyteteve me ajër të ndotur i shtohen edhe Korça e Vlora.

Të dhënat e bashkisë

    450 000 m2 sipërfaqe të gjelbërta
    19 000 pemë dhe gjelbërim i ulët,
    1 283 000 m2 asfalt që kemi shtruar
    440 000 m2 trotuare
    Kanë përfunduar akset kryesore
    rrugore prej 137 km    
    Janë rehabilituar 220 hektarë blloqe banimi
    Janë rehabilituar 160 hektarë të tjerë
    brenda lagjeve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›