E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrirja PD-PDR, pikat e marrëveshjes

 

ADI SHKEMBI

Shkrirja e PDR-së në PD pritet të rikthejë në strukturat e kësaj partie disa prej ish-drejtuesve të saj në vitet 1992-1999.a Burime pranë këtyre dy forcave politike bëjnë të ditur për gazetën se, procesi i shkrirjes tashmë është çështje javësh dhe ai do të nisë sapo të ketë përfunduar faza e parë e zgjedhjeve në seksionet e PD-së. Në të njëjtën kohë bëhen të ditura edhe detajet e para të marrëveshjes mes tyre. Kështu krerët më të lartë të PDR-së do të jenë pjesë e kryesisë së PD-së, e cila do të dalë pas kuvendit parazgjedhor që do të zhvillohet vitin e ardhshëm. Sipas burimeve, PDR pritet të ketë 3-4 vende në kryesinë e Partisë Demokratike ku do të jenë kryetari Genc Pollo, nënkryetarët Tritan Shehu, Eno Bozdo si dhe Antoneta Luli, kryetare e forumit të grave të PDR-së. Burime nga PDR-ja pohojnë për gazetën se, krerët e kësaj partie nuk do të kenë synim zënien e ndonjë prej posteve të larta të PD-së gjatë zhvillimit të zgjedhjeve për lidershipin e saj në fillim të vitit të ardhshëm. Gjithashtu një tjetër kërkesë e PDR-së, e cila duket se është pranuar nga demokratët ka të bëjë me përfaqësimin e krerëve të PDR-së në Këshillin Kombëtar të PD-së. PDR-ja do të kenë deri në 7 vende në këtë forum të demokratëve, ndërkohë që në secilën prej degëve në rrethe do të ketë 3 deri në 4 vende. Për shkrirjen e PDR-së në PD duket se është gjetur edhe argumenti. Sipas zyrtarëve të lartë të kësaj partie, mes PD-së e PDR-së nuk ka më diferenca, madje shtohet se shkrirja e tyre është pritur mirë edhe nga zyrtarët më të lartë të Partisë Popullore Evropiane. Krerët aktualë të PDR-së, Genc Pollo, Tritan Shehu, por edhe Dashamir Shehi, Ferdinand Xhaferri e Nard Ndoka u larguan nga PD-ja pas kongresit të jashtëzakonshëm të vitit 1999, ku Pollo kandidoi përballë Berishës për postin e kryetarit të PD-së. Të larguarit nga PD-ja krijuan Partinë Demokrate të Re, duke hapur njëkohësisht një luftë të ashpër mediatike, por edhe në bazë me njëra-tjetrën. Në zgjedhjet lokale të vitit 2000, Ferdinand Xhaferri kandidoi përballë kandidatit të PD-së për Bashkinë e Durrësit, ndërsa një vit më vonë në zgjedhjet e përgjithshme PDR-ja arriti të marrë 5% të votave, duke përfituar nga inicialet e njëjta që kishte me PD-në në listën e subjekteve zgjedhore. Gjatë asaj legjislature ishin të shumta akuzat e ish-liderit të opozitës, Sali Berisha ndaj Genc Pollos për bashkëpunimin me qeverinë socialiste të kohës. Edhe në vitin 2003 këto dy forca politike nuk arritën të gjenin konsensusin mes tyre dhe pas kësaj, PDR-ja doli sërish në zgjedhjet lokale e vetme, duke bërë sërish që në kampin e djathtë të rrjedhin votat. Por në zgjedhjet e vitit 2005 Pollo e Berisha dolën së bashku në fushatë, ku PDR-ja mori disa zona të lira dhe pas zgjedhjeve edhe Ministrinë e Arsimit dhe një post zv.ministri. Ndërkohë pas zgjedhjeve të 2007-ës u hodh ideja e shkrirjes së këtyre dy partive, nën pretekstin e sistemit të ri zgjedhor, proces i cili do të mbyllet para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

Marrëveshja PD-PDR

    PDR do të marrë 3 deri në 4 vende në Kryesinë e Partisë Demokratike

    PDR do të ketë deri në 7 anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD-së

    Degët e PDR-së do të shkrihen të gjitha në strukturat e PD-së

    Në secilën prej degëve PDR-ja do të ketë 3 deri në 4 përfaqësues të saj

    Krerët e PDR-së nuk do të vënë kushte për marrje të posteve në lidershipin e PD-së gjatë zhvillimit të zgjedhjeve brenda kësaj partie

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›